Albspirit

Media/News/Publishing

Sota-Tahiri, prokuroria verifikon tenderat e Ministrisë së Brendshme

Të gjithë tenderët e zhvilluar në Ministrinë e Brendshme nga viti 2013 deri në vitin 2017, kohë që përkon me periudhën kur në krye të këtij dikasteri ishte ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri do të verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Sipas burimeve jo zyrtare, ky veprim i Prokurorëve po kryhet për të qartësuar se sa tenderë kanë fituar kompanitë që i përkasin biznesmenëve Orest dhe Lefter Sota, babë e bir.

Veprimtaria e këtyre shoqërive është vendosur nën lupën e prokurorëve të dosjes “Habilaj-Tahiri”, menjëherë pasi Orest Sotës iu gjetën me 863 mijë euro për të cilat përfaqësuesit e akuzës deklaruan në gjykatë se kanë dyshime se i përkasin ish-ministrit të Brendshëm.

Siç edhe rezulton ende pa u zgjeruar hetimet “Eco Construction and Partners”, që i përket Orest Sotës, rezulton të jetë nënkontraktuar për rikonstruksionin e komisariatit numër 6. Ky tendër kishte vlerën e mbi 200 milionë lekëve.

Prokurorët e dosjes “Habilaj-Tahiri” numri i të cilëve ka shkuar në 6, janë ndarë në tre grupe. Një pjesë e tyre po heton pasuritë e të gjithë të dyshuarve përfshi edhe Orest Sotën dhe të afërmit e tij.

Të tjerë prokurorë po hetojnë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për dyshimet e trafikut dhe të korrupsionit, një çështje kjo që u bë publike pas goditjes së grupit të Habilajve nga drejtësia italiane.

Dy prokurorë të tjerë po zbardhin lidhjet e policisë me grupet e drogës, në rrëfim edhe të një raporti të Shërbimit Informativ. Të parët ish-zyrtarë policie ndaj të cilëve hidhen dyshime për lidhjet e tyre me trafikantët janë ish-drejtori i policisë, Jaeld Çela, ish-shefi kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila si edhe ish-shefi i kufirit Sokol Bode.

Por vetëm deri më tani për këtë të fundit ka një masë sigurie, çka do të thotë se siç parashikon procedura vetëm ai do t’i nënshtrohet kërkimit ndërkombëtar. Dy të tjerët, ndaj të cilëve ka urdhër ndalimi të firmosur vetëm nga prokurorët , nuk do t’i nënshtrohet kërkimit ndërkombëtar , por vetëm brenda territorit derisa edhe ndaj tyre të ketë masë arresti nga gjykata./Top Channel

Please follow and like us: