Suzana Tahiri: Mesazhi im për 28 nëntorin, shqiptarë të bashkuar dhe pa paragjykime!
Suzana Tahiri, vajza bukuroshe nga Vushtria por që jeton në Prishtinë, Kosovë vijon të mbetet në qendër të lajmeve në hapësirën shqiptare.
E bukur, e brishtë, me pasione për modën dhe fotografinë që i konsideron si arte jo vetëm të bukurisë, ajo shpesh është gjendur edhe nën trysninë e lajmeve të pavërteta dhe në çdo rast i ka falur. Ishte spektakli “Shpija e Kosovës” ku ajo u bë e njohur për publikun. Edhe pse nuk qëndroi gjatë aty, shpejt ra në sytë e publikut. Por, prej asaj kohe modelja Suzana Tahiri vazhdimisht ka investuar për emrin e saj. Vajza nga Vushtrria ka përfunduar Shkollën e Mesme Ekonomike “Hoxha Kadriu”, pastaj ka studiuar dhe përfunduar studimet e larta në dy fakultete si dhe Studimet Master në Shkenca Politike. 24-vjeçarja është pjesëtare e Forumit Rinor së PDK dhe një kohë të gjatë ka punuar si praktikante në zyrën e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi.
Suzana, kur ka filluar veprimtaria juaj si modele?
Veprimtaria ime si modele filloi në moshën 15-16 vjeçe si një lloj hobi, një farë pasioni dhe më vonë nga përfitimet që kisha fillova ta marr më seriozisht dhe t’i përkushtohem më tepër. Natyrisht që para nisjes së kësaj veprimtarie në qenien time femërore kishte diçka ndryshe nga moshataret e mia, pra një lloj bukurie që s’dukej kund tjetër.
Me çfarë jeni marrë tjetër përveç modelingut?
Përveç kësaj, duhet të them se nuk i kam lënë anash as veprimtaritë e tjera të artit. Jam marrë kryesisht me modelim, kam qenë pjesë e shumë fushatave publicitare në Kosovë e jashtë saj. Kam qenë ndër të parat femra në Kosovë që mora pjesë në spektaklin “Belly dance”, çka bëri që shumë këngëtarë ta ftojnë të jetë pjesëmarrëse në videoklipet e tyre.
Ju vlerësoheni si prej femrave që keni thyer tabu në Kosovë; si e vlerësoni këtë gjë?
Të them të drejtën nuk e kam pritur që në gjithë këtë botë mediatike edhe jeta ime të bëhet kaq publike. Dhe kjo ka ardhur në saj të angazhimet në shumë veprimtari që unë i kryej normalisht dhe si një femër arti di t’i posedoj.
Ndërkaq keni edhe një përvojë si punonjëse në Këshillin e Ministrave, përjetimet që keni ndjerë?
Përvoja ime në zyrën Kryeministrit Hashim Thaçi më bëri të mësoj shumë gjëra, të marrë përvojë institucionale, të komunikoj me drejtues të të gjitha niveleve, çka më lidh edhe me studimet. Synimet e mija janë që të jem sa më e shkolluar dhe arsimuar për të kontribuar më shumë për vendin tim.
Në rrethe gazetarësh dhe jo vetëm thuhet shpesh: Suzana Tahiri ose lajmi i parë në media; përse ka ndodhur kjo gjë?
Mendoj se tërheqja mediatike ndaj meje ka qenë e lidhur me veprimtaritë e mia. Unë i qëndroj fort veprimeve të mia, mbaj një balancë me realitetin dhe nuk di ta kem tepruar në asnjë rast.
Është e kuptueshme që rreth jush të ketë edhe shumë lajme të pavërteta, me të cilat mbahet “gjallë” shtypi rozë, cili prej tyre të ka shqetësuar më tepër?
Rreth meje ka pasur shumë thashetheme, lajme të pavërteta, ngjarje të stisura, të cilat për fat të keq u patën shndërruar si një art i të thënit asgjë apo si një grumbull fjalësh boshe me zhurmë të madhe, të cilat nuk më kanë penguar, por motivuar që të mësoj, arsimohem për të qenë e aftë të jem përballë çdo obligimi që do ta marrë në shoqëri. Unë nuk kam urrejtje ndaj lajmeve të tilla, madje për këtë fundvit kam edhe një porosi: “I dua edhe ata që më kanë përfolur apo s’më duan për një fakt, pse janë shqiptarë, janë gjaku im, mbase një ditë do të pendohen dhe kuptojnë se shekulli XXI është shekull i çiltërsisë, i të bërit diçka të dobishme e jo hipokrizisë mashtruese, anëve të padukshme të jetës së individit në shoqëri.
Në përvjetorë të rëndësishëm të Kosovës, Shqipërisë dhe të hapësirës shqiptare ju keni një mënyrë origjinale nderimi: shqiponja në një trup të hijshëm. E kujt ka qenë kjo ide?
Në këtë ditë dhe datë të veçantë ndihem e lumtur dhe kam një ndjesi të veçantë se po në këtë dit linda. Ishin pikërisht ndjenjat shpirtërore atdhetare, ishte diçka e brendshme dhe vendosa në këtë formë ta nderoj vendin tim dhe shqiptarët.
Cilat janë pasionet e tjera të Suzanës?
Pasionet e tjera të miat janë shumë: lexoj, merrem me sport, ndjek gjini të ndryshme të artit, shkruaj në kohën e lirë dhe së shpejti do të dalë libri im parë me poezi për fëmijë. Për më tutje plane kam shumë, por do bëhen të ditura kur të jenë kristalizuar më mirë.
Cili është mesazhi juaj për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit në 103-vjetorin e shtetit shqiptar?
Porosia ime për të gjithë ata që e ndiejnë veten shqiptarë është që të jenë më të bashkuar, pra më shumë se kurrë, pa paragjykime fetare e politike. Mendoj se kjo na ka mbetur prej së hershmi dhe dot na mbajë deri në fund, të qënurit shqiptarë.
27 nentor 2015