Albspirit

Media/News/Publishing

Zuckerberg: Perëndimi ndodhet në pragun e falimentimit

Themeluesi i Facebook rrëfen sesi një historian arab i mesjetës zbuloi të ardhmen e botës

Mark Zuckerberg është i bindur se Perëndimi ndodhet në pragun e falimentimit. Por ka një armë sekrete, e cila gjendet në shkrimet e Ibn Khaldun, historianit të madh arab të Mesjetës.

Sipas Ibn Khaldunit, çdo cikël historik përbëhet nga një fazë ngritjeje, e karakterizuar nga akumulimi i pasurisë dhe nga vlerat tradicionale, dhe nga një fazë rënieje, e karakterizuar nga përkeqësimi i zakoneve, nga një taksim gjithnjë e më i lartë dhe nga luksi. Gjenerimi bart në vetvete farërat e degjenerimit, degjenerimi bart në vetvete farërat e gjenerimit të ardhshëm.

Pika kulmore e zhvillimit përkon me fillimin e korrupsionit. Në këtë fazë përhapen shkencat spekulative dhe arti, të financuara nga një sufiçit i akumuluar në fazën e mëparshme. Domethënë, Ibn Khalduni ishte goxha i ndërgjegjshëm se, duke qenë vetë ai intelektual, njëkohësisht ishte një produkt i bumit ekonomik dhe një sinjal i dekadencës

Qysh nga fillimi i vitit 2015 Mark Zuckerberg ka marrë zakonin që të këshillojë libra për të ushqyer një debat në faqen “A Year of Books”, duke u frymëzuar nga ajo që pak kohë më parë bënte Bill Gates. Dhe duhet pranuar se këshillat e miliarderëve amerikanë shpesh janë të shkëlqyera: nëse falë Gates bota ka njohur studimet e ekspertit të energjisë Vaclav Smil lidhur me rënien e fuqisë ekonomike amerikane, Zuckerberg në vijim ka promovuar libra jo banalë filozofie të shkencës, sociologjisë, antropologjisë dhe gjeopolitikës.

Ai nuk ka famë se është intelektual dhe, nëse besojmë në mishërimin kinematografik të tij, ndoshta nuk është as kushedi se çfarë inteligjent: imazhi që kemi është ai i dikujt, që ndeshi disi rastësisht në një ide të madhe dhe shpejt u rrethua nga financues dinakë dhe këshilltarë të aftë. Atëherë çfarë të thuash, përveçse këshilltarët e aftë kanë bërë një punë të shkëlqyer? Djaloshi është demonstruar jashtëzakonisht përthithës. Zuckerberg vazhdon të habisë, dhe këtu nuk po flasim për aktivizimin e kohëve të fundit, të gif-eve të animuara në rrjetin e tij social.

Këshilla bibliografike e disa kohëve më parë është befasuese: Muqaddima e Ibn Khaldunit, një traktat mbi historinë universale, i shkruar në vitin 1377. Qartazi, sipas themeluesit dhe shefit të madh të Facebook, ky libër mund të na ndihmojë të kuptojmë të tashmen. Çfarë ka kaq shumë interesante në këtë libër? Dhe si futet ky në debatin bashkëkohor? Është ajo që kam ndërmend të ilustroj.

Ibn Khalduni që ndoshta autori i parë që propozoi një “shkencë të historisë” të përqëndruar mbi idenë se ndodhitë njerëzore ndjekin cikle të rregullta – lindje, zhvillim, dekadencë – dhe analizon në mënyrë të detajuar shkaqet që çuan në transformimet sociale dhe në revolucionet kulturore.

Nëse parimi i cikleve gjendet tashmë tek grekët, sidomos tek Historitë e Polibit, këtu vlerësohet karakteri sistematik i kërkimit. Ideja gjeniale e filozofit magrebas qe ajo e aplikimit në fenomenet sociale, të studimeve të Aristotelit lidhur me gjenerimin dhe korrupsionin e formave të jetës.

Sipas Ibn Khaldunit, çdo cikël historik përbëhet nga një fazë ngritjeje, e karakterizuar nga akumulimi i pasurisë dhe nga vlerat tradicionale, dhe nga një fazë rënieje, e karakterizuar nga përkeqësimi i zakoneve, nga një taksim gjithnjë e më i lartë dhe nga luksi. Gjenerimi bart në vetvete farërat e degjenerimit, degjenerimi bart në vetvete farërat e gjenerimit të ardhshëm. Pika kulmore e zhvillimit përkon me fillimin e korrupsionit.

Në këtë fazë përhapen shkencat spekulative dhe arti, të financuara nga një sufiçit i akumuluar në fazën e mëparshme. Domethënë, Ibn Khalduni ishte goxha i ndërgjegjshëm se, duke qenë vetë ai intelektual, njëkohësisht ishte një produkt i bumit ekonomik dhe një sinjal i dekadencës.

Ky model vitalistik i historisë mund të aplikohet ndaj fenomeve dhe niveleve të ndryshme, të kundërvëna midis tyre si ingranazhet e një mekanizmi të vetëm. Mbi të gjitha aplikohet ndaj qytetërimeve dhe dinastive: Ibn Khalduni përshkruan në mënyrë të detajuar parabolat e kalifateve umajade dhe abaside. Në fillim të Nëntëqindës, tek Rënia e Perëndimit, Osvald Spengler do të nxjerrë konkluzione të ngjashme. Por ajo që na intereson më shumë këtu, sepse i intereson Zuckerbergut, është se modeli khaldunian mund t’i aplikohet ekonomisë, domethënë në dy nivele: atë makroekonomik dhe atë biznesor.

I konsideruar prej shumë studiuesve si shpikësi i të parës “shkencë të organizimit social”, “baba i ekonomisë” apo deri “baba i ndarjes së punës”, “pararendës i marksizmit”, por edhe i neoliberizmit reganian, Ibn Khalduni propozon parasëgjithash një projekt të parë të teorisë së cikleve ekonomike. Skema ngjitje – rënie e Khaldunit nuk është shumë e largët nga teoria e stadeve të zhvillimit të Walt Whitman Rostow, një prej modeleve më të praktikuar nga ekonomistët.

Artikulohet në 5 faza, nga shoqëria tradicionale në epokën e konsumit masiv. Me pak fjalë, në këtë tekst të lashtë Mark Zuckerbergu kërkon instrumenta interpretuese për të kuptuar fenomene mjaft konkretë, si rënia dhe novatorizmi. Refleksionet e një historiani arab të 1300 mund ta ndihmojnë të pilotojë me efikasitet më të madh kompaninë e tij, në një kontekst global i cili po transformohet rrënjësisht.

Por pyetjet që dalin na përkasin të gjithëve: si të njihen shenjat e një krize kur shfaqen? Është e mundur të mbështetet një zhvillim ekonomik pa limite? Si të shmanget që të mos përfundohet siç kanë përfunduar umajadët dhe abasidët? Rasti i Greqisë, që është vetëgllabëruar në një spirale konsumesh joprodhues (fillimisht) dhe interesash mbi borxhin (më pas), duket se ka dalë nga këto faqe.

Duke respektuar thëniet e Kur’anit, sipas Khaldunit teorikisht do të ishte e mundur të shmangej rënia, por në praktikë asnjë dinasti nuk ka arritur ndonjëherë t’i rezistojë korrupsionit të zakoneve. Mekanizmi i përshkruar tek Muqaddima ka diçka të pandryshueshme: etika kur’anore – ashtu si ajo protestante tek Max Weber gjashtë shekuj më vonë – mundëson që të prodhohet pasuri, por tepria e pasurisë domosdoshmërisht që i gërryen vlerat tradicionale, duke retrovepruar mbi kushtet e domosdoshme të prodhimit.

Në fazën e urbanizimit, faktorët prodhues mobilizohen gjithnjë e më shumë masivisht për të ushqyer një “sistem prestigji” (jâh), domethënë një konkurrencë mjaft të kushtueshme për akaparimin e pushtetit dhe, për pasojë, edhe të resurseve. Për absurd, shpërdorohen më shumë resurse për të nxjerrë resurse atij që i prodhon, sesa për t’i prodhuar drejtpërsëdrejti. Dhe konkurrenca bëhet gjithnjë e më e ashpër, sa më të rralla bëhen resurset për t’u ndarë, pasi “Kur shpirti mësohet me ndonjë gjë, kjo gjë hyn në qënien e tij dhe bëhet pjesë e natyrës së tij”.

Grekëve do t’u fishkëllenin ndoshta edhe veshët, por këshilla ime është që përqëndrohemi tek fishkëllima në veshët tanë. Sipas Ibn Khaldun është të paktën e mundur të njihet nëse po jetojmë në një fazë ngritjeje apo rënieje: treguesi kryesor është disekuilibri midis prodhimit dhe konsumit.

Në kohërat e tij, pasi ekonomia ishte kryesisht bujqësore, ekuilibri përcaktohej nga raporti midis fshatitit (prodhuesve) dhe qytetit (konsumatorëve). Por për ta azhornuar analizën e tij me kohërat e sotme, është patjetër e domosdoshme që të përfshihet industria midis sektorëve prodhues.

Në këtë mënyrë do të kuptojmë se në modelin khaldunian mund të përmblidhen idetë e tashmë të cituarit Vaclav Smil lidhur me krizën e sektorit prodhues amerikan”, një shoqëri që pushon së prodhuari të mira materiale është e destinuar që të shembet.

Një fil rouge lidh refleksionet e klasës drejtuese amerikane, nga Gates tek Zuckerberg, të gjithë të vetëdijshëm se operojnë në një kontekst rënieje: është fundi i shekullit amerikan, o njeri, fillimi i stanjacionit shekullor të ekonomive të avancuara, siç u proklamua nga ish Sekretari i Thesarit Larry Summers.

Please follow and like us: