Albspirit

Media/News/Publishing

Adriatik Alimadhi: Shqiptarë, duajeni dhe nderojeni Flamurin tuaj!

 

Ky flamur-shkabë na qëndron sot para syve i gjallë, se e gjallë ka qëndruar Shqipëria në zemrat tona, i fortë, se të fortë kanë qëndruar shqiptarët në male, halle dhe ndër shekuj.

Ky flamur i valvitur nëpër stuhitë e kohës, i ngjyer me gjak të kulluar shqiptarësh, që ka dalë nga plagë luftrash, i ngjyer me gjak dhe tregime historike, që është dhuratë prej dëshmorësh fisnikë të kombit shqiptar.

Ky flamur hijerëndë vjen në ditë të mira për t’na kujtuar hi e robëri, na tregon ditë të errta, për t’na skalitur shtrenjtësinë e lirisë.

Kur dita e flamurit shkrepi 105 vite më parë në Vlorë nuk qe një ditë ku njerëzit dalin me tufa lulesh në duar, por ajo ishte një oshtimë triumfi, si një frymë fitorje, që nxeh dhe shtrëngon zemrat për fitore të tjera.

Kështu vjen edhe sot dita e flamurit, vjen të na shkundi me trumbetat e historisë shqiptare, vjen të na nxehë zemrat për popullin dhe për kombin, vjen të na trimërojë për punë të lavdishme, ky është edhe kuptimi i ditës së flamurit.

Këtë e tregon flamuri ynë, shqiponja e zeze me fushën e gjakut. Prandaj shqiptarët duhet ta nderojnë flamurin e tyre sepse nuk është flamur si dokudo, por është ai flamur që u mat me ushtritë më të forta që ka mbajtur ky dhe.

Është ai flamur që doli kundër legjionevet të Romës, ai që topiti hovin e sulltanëvet, është ai flamur që u mbrojt lavdishëm në perëndim e në lindje.

Shqiptarë, duheni Flamurin tuaj, se rreth kindave të kuqe, nën krahët e Shqiponjës së zezë u fal shpirti i dëshmorëvet, rrahu zemra e luftëtarëve, u shtua ëndrra e lirisë, u ngjallën shpresat e së ardhmes, vajtuan këmbanat e vdekjes, buçiti kënga ë fitores, u ngrit e ra, ra e u ngrit fryma e një kombi mijëravjeçar.

Shkaba e zezë me fushë të kuqe! Eh, ku ka figurë më të përshtatur për të treguar historinë e Shqipërisë? Ku ka frymë më të mprehtë për poetin për të treguar një shpend e me dy ngjyra dhe tërë fatet e kombit tonë?!

Populli shqiptar në tërë jetën e tij nuk ka bërë tjetër gjë vetëm se është mbrojtur si shqiponjë në mes të një pellgu gjaku, këtë kanë bërë shqiptarët deri sot.

Shqipet e vogla që ecin mbi shesh gjaku shekullor, me qeleshen e bardhë në kokë, me armët fisnike në krah, krijojnë flamujt e vegjël, flamujt që nuk i djeg flaka, që nuk i përpin varri sepse ata që bien te pragu i kufijve të këtij kombi, i kanë falur jetën këtij flamuri që mbledh frymë shqipesh dhe frymën e pashuar të shkabës.

Dy krenat e shqiponjës shikojnë rrept nga jugu, shikojnë thellë nga veriu sepse rënkojnë bijtë e Bajram Currit, sepse kërcënonin djemtë e Negovanit, Themistokli Gërmenjit, djemtë e Çerçiz Topullit, bijtë e Shërbestarit të Shqipërisë Mid’hat Frashërit.

Shikoni shkabën, Vakëfin Shqipëri ku kanë ligjëruar poetët Naimi, Fishta e Çajupi, shikoni shkabën të vendosur mbi varrezat e dëshmorëve ku ruhet gjaku fuqi i martirëve të gjallë.

Më të shumtët e rasteve është gjeografia ajo që shënon fatin e popujvet, prandaj edhe Shqipëria u ndodh në një nga udhëkryqet ku u përshkruan forcat më të mëdha të botës, ato që i hapën shtigjet e historisë.

Prandaj u desh të luftojë e gjithmonë të luftojë, e të mos bëjë gjë tjetër vetëm të luftojë: si një shkëmb në mes të detit që e rrahin pa pushim valët e ashpra e furtunat e forta që e shkallmojnë pjesë-pjesë, që e hanë si me limë, që e mbulojnë herë pas here në valën e zezë, por ai mbahet akoma dhe nxjerr kohë pas kohe ballin e vrazhdë kërcënonjës.

Vetëm se shqiptarët duhet ta dinë se Flamuri ynë shpesh herë gjatë historisë, u mund nga forca por jo nga frika, u thye në shtizë por nuk u përul në pluhur, ashtu siç nuk ra edhe në Beograd, ku lojtarët e ekipit tonë kombëtar nuk e lanë të zhubravitej apo të shkelej nga shovinistët serbë, ky është qëllimi që të gjithë armiqtë e Shqipërisë nuk e tallën kurrë, por e deshën, nuk e përbuzën kurrë, por e nderuan, ai sot valvitet në mes flamunjve më të mëdhenj të botës demokratike dhe perëndimore.

Për këtë flamur me këtë shkab ranë mijra dëshmorë! Dëshmorët, ah, sa herë kjo fjalë shqiptohet e thuhet, përdoret, prej njerëzish, që nuk ja peshojnë kuptimin, sa herë del kjo fjalë nga buzë tregëtarësh, sa herë është përtypur në gojë tradhëtarësh, sa herë ju hidhet mbulesa e gënjeshtrave politike, sa herë kalon përmbi turmat e mpita, si një zë fare i zakonshëm, pa zgjuar asnjë dridhje shpirti!

Plagët e dëshmorëve hapen si gojë e kuqe që ju flasin brezave të rinj, jo me tinguj të gënjeshtër, por me gjak të zemrës: “duke ju thënë se këtëj është udha juaj!”.

Brezat vijnë dhe shkojnë, disa drejtë dhe disa shtrembët, ca të fortë dhe ca të dobët, por dëshmorët e flamurit nuk përgjunjen dhe me plagët e kuqe vazhdojnë gjithmonë të na thonë “Këtej është udha juaj”.E megjithatë dëshmorët e flamurit durojnë në heshtje atje te balta që ju ha eshtrat dheu i zi.

Ata nuk fyhen dhe as nuk zemërohen, turmat e habitura vinë dhe shkojnë, tregëtarët thithin dhe mbushen, tradhëtarët shtypin dhe shtypin dhe dëshmorët qëndrojnë gjithnjë në heshtje, si monument që si prish koha dhe me ball të kthyer nga agimet e pritura dhe plagët e tyre tregojnë në heshtje “këtej është udha e juaj!”.

Të gjithë popujt me moral të lartë ngrehin nga një gurë të gdhendur tek balta ku bie dëshmori, kurse turmat e ulta e lënë të mbijë ferra e të kullosen bagëtia përmbi eshtrat e tij. Por dëshmorët nuk zemërohen sepse ata e dinë që është toka ajo që shenjtëron dëshmorin por është edhe dëshmori ai që e shenjtëron tokën.

Tek Grekët dhe Romakët e vjetër emri i Dëshmorit gdhendej në një shenjë mermeri, ajo fjalë gumonte gojë më gojë, nëpër vargje lavdie, fëmijët e tyre nëpër festa zyrtare zinin vendin e nderit, në festat kombëtare dhe fetare rrethoheshin me dashuri prej gjithë popullit.

Nga ana tjetër krishterimi i shpallte të shenjtë ata që binin për të hapur të vërtetën e fesë, kuse popujt e verbuar shkonin e shkelnin pa kujdes mbi eshtrat e dëshmorit.

Por dëshmori nuk tronditet, prej statujës së mermerit, as prej këngës së poetit, prej ikonës së kishës, a prej baltës së shkelur, Ai është gjithmonë Ai dhe plagët e tij të kuqe të njëjtën gjë thonë: “Këtej ishte edhe udha e juaj!”.

Se ç’tufë e shëmtuar do të ishte njerëzia sikur të mos kishte ata njerëz që ngrihen mbi jetën e zakonshme, mbi vogëlsitë e ditës, kur ata hedhin përpara dritën e idesë dhe tregojnë në horizonte caqet për tu arritur.

Por mbi të gjithë ngrihen dëshmorët, po përse dëshmorët se përveçse panë dritën e idesë, patën edhe forcën e shpirtit t’i thërrasin “ne për ty Flamur falim jetën” dhe e falën me të vërtet Jetën.

Dëshmorët i thanë popullit ne biem theror për ty, për të dërmuar pushtuesit e tu, që të të sjellim liri e dritë dhe ranë me të vërtetë: sepse fjalët e tyre nuk patën gënjeshtra dhe as mashtrime. Prandaj dëshmorët e dinë më mirë se askush tjetër udhën që duhet të ndjekë kombi i tyre, prandaj të patundur me plagët e kuqe nuk kanë pushuar kurrë së thëni: “këtej është udha e juaj!”.

Prandaj jemi në këtë 105 vjetor dhe t’ju themi këtyre dëshmorëve të Flamurit, dëshmorëve të Shqipërisë etnike, se i kemi kuptuar mirë veprën, gjuhën dhe plagët tuaja o dëshmorët e Shqipërisë! E kuptojmë, dhe na mbushen sytë me lotë kur ju kujtojmë Ju.

Se për ju nuk pati as gur të gdhendur, as festa, as kurora, nuk pati asnjë ngushëllim për eshtrat tuaja derdhur poshtë e lartë në baltën e mëmëdheut, sepse ju ratë për të ngritur një popull të regjur dhe të shtypur, një popull të vogël dhe me shumë armiq, që e hëngri varfëria, që e dërrmoji robëria e jashtme, që e shtrydhën tradhëtarët e brendshëm.

Ishte shumë e vështirë lufta juaj që ju i dolët për zot dhe shumëkujt i dukej luftë e pashpresë, vetëm shpirti juaj i madh mundi ta mposhte dyshimin dhe thatë se Shqipëria medoemos do të bëhet se duam ne që të bëhet, liria medoemos do të vijë se duam ne që të vijë, se bashkimi kombëtar do të bëhet se thatë ju që të bëhet dhe pavarësia e Kosovës është proçes i bashkimit të gjithë shqiptarëve.

Shumë herë armiku erdhi dhe e shkeli baltën tuaj që mban eshtrat tuaja, shumë herë tradhëtarët ia vunë emrin tuaj përsipër atdheut të nxjerr në treg.

Po ju të pa thyer, shkoni drejt së ardhmes dhe me plaget e kuqe na thoni vazhdimisht “këtej është udha juaj!”. Ja dhe ne, në këtë 105 vjetor po ju përgjigjemi me besë shqiptari o dëshmorët e Flamurit, me atë besë që dini Ju se “andej është edhe udha e jonë!”.

Duket se elementi njeri është trazuar anë e mbanë, si lënda në kaosin e vjetër për të gjetur një rregull të ri bashkëjetese, për të rilindur një harmoni të re.

Është çuar forca e popujve si valë deti që vjen nga fundet dhe ka vënë në kryefjalë për jetë a vdekje, barazinë kundër privilegjeve, drejtesinë kundër shfrytëzimit, lirinë kundër robërisë, luftohet për të drejtat e popujve dhe për të drejtat e njeriut. Këtu kishte të drejte Mid’hat Frashëri kur tha:

“Në robëri puna jonë është lufta, në liri lufta jonë është puna”.

Flamuri ynë që s’u përkul as në luftrat e egra të njerëzisë ai s’duhet të përulet as sot që luftohet në dritën e ideve, sot që lufta jonë lidhet me atë të popujve të shtypur, të popujve liridashës kudo që ndodhen.

Sot Flamuri ynë valvitet në NATO në radhën e atyre popujve me përparim njerëzor dhe demokratik.

Dita e flamurit i gjen sot shqiptarët si asnjëherë tjetër, ai sot vjen krenar dhe madhështor, i pastër, ashtu siç ka lindur, pa ngarkesë dhe simbole komuniste, prandaj kanë rëndësi përvjetorët që vijnë, se flamuri shqiptar me shqiponjën dy krenare valvitet ashtu siç ka lindur, flamuri i Kastriotëve, Flamuri i Abdyl Frashërit, Flamuri i Ismail Qemalit, Flamuri kombëtar i pastër ashtu siç e donte Shërbestari i Shqipërisë Mid’hat Abdyl Frashëri.

Mjaft gjak ka rrjedhur, mjaft forcë është përdorur, mjaft dhe frikë, mjaft u tmerrua njeriu. Në përvjetorët në vazhdim lutemi njëherë e përgjithmonë mjaft u tmerrua njeriu prej njeriut. Në këto kohë duam të dalim edhe ne në dritën e diellit, kërkojmë më shumë gëzim në fytyrën e ngrysur të popullit tonë, më shumë dritë për vatrën shqiptare.

Mjaft u derdhen dhe shkrumbuan, fuqitë e shpirtit shqiptar në fushën e armëvet, në luftën pa mbarim. Sot duam të lidhim njëherë e mirë plagët e gjakut, t’i varim në mur armët, sot kërkojmë të tjera sharte jetesë, kërkojmë që shpirti i kombit tonë të ketë bashkim të çeli edhe ai burbuqet e rëndësishme, të pjeki edhe ai pemët e arta në kopshtin e diturisë e të arteve, kërkojmë që flamuri ynë të shoqërohet me valvitjet e tij, krijimet e freskëta të shpirtit shqiptar në qiellin e kthjellët të paqes të Shqipërisë sonë etnike.

Ne besojmë verbërisht se vuajtjet dhe peripecitë e këtyre 104 vjetëve i kanë dhënë popullit tonë një kuptim dhe një vetëdije politike që nuk ka pasur ndonjëherë, ne kemi bindjen se në të ardhmen do të dijë të përqendrohet rreth interesave kombëtare, do të dijë të veprojë si një organizim i lidhur për të marrë në dorë fatet e kombit shqiptar.

Shqiptarët nuk duhet të presin se kush duhet t’ju bëjë bashkimin kombëtar nga ai ose nga ky, bashkimin duhet ta gjejnë në vetveten e tyre, në pjekurinë e tyre politike.

Shqiptarët duhet t’i peshojnë mirë interesat e tyre kombëtare dhe të bashkohen në ato interesa kombëtare dhe jo me fjalë, por me punë, jo me gënjeshtra të politikës trashëguese të partisë kriminale komuniste sot Partia Socialiste.

Largohuni prej këtyre klikave, largohuni prej atyre që duan t’ju mbajnë të ndarë në krahina, largohuni prej sharlatanëve të bijve komunistë të djeshëm, prej atyre që kanë politikën mjet të jetesës, mjet tregtie.

Shqiptarët duhet të kuptojnë interesat e Shqipërisë dhe të përqendrohen rreth tyre, bashkimi kombëtar bëhet vetëm duke u mbështetur vetëm dhe vetëm në interesa të larta kombëtare, të cilat janë interesat e shumicës, interesat e bujkut, të punëtorit, të intelektualit, të popullit që punon dhe prodhon.

Këto janë elementët, këto janë shtresat shoqërore që duhet të bashkohen dhe të shtrëngojmë rradhët tona rreth boshtit të interesave kombëtare, rreth një ideje qëndrore shqiptare,shqiptarët duhet të jenë të sigurt se përpara një bashkimi të tillë s’ka tradhëti të brendshme dhe të jashtme që mundet t’i mposhti shqiptarët.

Vetëm bashkimi mundet që shqiptarët të bëhen zotërit e vetvetes, të këtij flamuri, të tokës së një kombi, të vatrës së tyre, vetëm at’here shqiptarët do të shikojnë se 28 nëntori i vitit 1912 do të shfaqet kuptimplot dhe flamuri ynë do të valvitet me të vërtet i lirë në qiellin e bukur të Dhqipërisë etnike.

Me vetëdije e theksoj se shqiptarët duhet ta duan flamurin e tyre për shkak të kësaj historie dhe të këtyre vlerave kombëtare.

Shqiptarë duajeni dhe nderojeni flamurin tuaj, e në u dasht përuluni përpara tij!

Please follow and like us: