Apologjia ruse dhe serbe për kasapin e Bosnjës
Shaban MURATI
Dënimi i drejtë me burgim të përjetshëm në 22 nëntor i kasapit të Bosnjës, gjeneralit serb Ratko Mlladiç, nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, është një mesazh i madh juridik, historik dhe moral ndërkombëtar se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron, dhe se ata udhëheqës dhe shtete, që ëndërrojnë përsëritjen e luftërave në ish-Jugosllavi, duhet ta dinë se do të përballen me drejtësinë. Në kohën që gjithë bota demokratike përshëndeti vendimin e Hagës, nuk mund të mos bëjë përshtypje nga pikëpamja morale, juridike, diplomatike dhe historike, ajo apologji e mjerë zyrtare, që u ngrit në Rusi dhe në Serbi për përbindëshin e Bosnjës. Në datën 23 nëntor zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zakharova, bëri një deklaratë emfatike në mbrojtje të kriminelit famëkeq serb të luftës dhe me sulme e akuza ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të OKB, pse dënoi kriminelin. Ja çfarë thotë deklarata zyrtare e MPJ të Rusisë: ”Vendimi i dënimit të Ratko Mlladiçit është vazhdimi i kursit të politizimit dhe të paragjykimit, që ka dominuar veprimtarinë e gjykatës. Interpretimi antiserb i gjykatës për ngjarjet tragjike të viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, në fakt, e gërryen procesin e rikthimit të besimit reciprok në Ballkan”. Kërkesa ruse është njësoj sikur në mbarimin e luftës së dytë botërore të faleshin dhe të mos dënoheshin komandantët ushtarakë nazistë në emër gjoja të procesit të pajtimit në Europë. MPJ e Rusisë harron se pajtimi në Europë u bë pikërisht mbi bazën e dënimit të ashpër të kriminelëve të luftës.
Moska lëshoi në një fushatë masive tërë propagandën e saj ndërkombëtare në mbrojtje të kasapit të Bosnjës, duke arritur në nivelin e mjerueshëm, ku as propaganda sovjetike nuk është ulur, duke shpërndarë idiotizma të tilla se “Mlladiçi ka mbrojtur serbët nga xhihadi”. Propaganda ndërkombëtare ruse, duke kapërcyer kufijtë e çdo fantazie historike, po heroizon edhe po bën apologjinë edhe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, duke shpërndarë nëpër botë idiotizmat se forcave ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë u ishin dhënë dokumente, që flisnin për ligjet humanitare ndërkombëtare, se Millosheviçi kishte urdhëruar të mos lejoheshin forcat paraushtarake serbe të vepronin në Kosovë, se Millosheviçi kishte dhënë porosi që forcat serbe të mbronin pjesëtarët e kombeve dhe të etnive të tjera, dhe se fajin për gjithçka e kishte NATO, e cila ”ka bërë luftë bërthamore të intensitetit të ulët kundër Serbisë”.
Ky kurs zyrtar i Rusisë për apologjinë e krimeve kundër njerëzimit, që Serbia ka kryer kundër popujve joserbë, nuk ka asnjë skrupull, as moral, as historik dhe as diplomatik. Duke mbrojtur kriminelët ndërkombëtarë serbë si Millosheviçi, Mlladiçi, etj., Rusia mbron atë politikë kriminale të Beogradit ndaj popujve joserbë, që e ka mbështetur fort në kohën kur u zbatua. Këto qëndrime antimorale inkurajojnë forcat radikale ultra nacionaliste në Serbi për të mbajtur pushtetin, sepse me ato forca Moska garanton ndikimin e vet dhe kontrollin në Serbi. Forcat radikale nacionaliste serbe, pasues të Millosheviçit dhe të Mlladiçit, janë sot garantuesit e varësisë së Serbisë nga Rusia dhe nxitësit e urrejtjes ndaj NATO-s dhe BE. Apologjia e kasapit të Bosnjës është vazhdim i kursit zyrtar të Rusisë, e cila ka qenë mbështetësja kryesore e Serbisë dhe e bandave ushtarake serbe në Bosnjë-Hercegovinë me armë, para dhe me mercenarë rusë në kohën e luftërave të viteve ‘90. Nuk të habit as apologjia e Serbisë zyrtare, ku presidenti Aleksandër Vuçiç reagoi duke deklaruar në 22 nëntor se “Vendimi i gjykatës është një vendim i pajustifikuar”. Nuk mund të mungonte në apologjinë e shëmtuar për krimin Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka bekuar të gjitha luftërat, masakrat dhe gjenocidin serb kundër popujve joserbë, dhe iu bashkua korit profashist me deklaratën “vendimi për dënimin e Mlladiçit është punë e djallit”. Qëndrimi zyrtar serb është vazhdim i politikës së shtetit dhe të qeverive serbe, të cilat e fshehën 16 vjet me radhë kriminelin e luftës Mlladiç, kur ai u shpall nga Haga në kërkim ndërkombëtar, dhe ministria e mbrojtjes e Serbisë i jepte pension kur ai ishte në “arrati”.
Disa mësime dalin e duhet të dalin nga këto zhvillime negative, ku shtete si Rusia dhe Serbia rreshtohen zyrtarisht në mbrojtje të krimeve dhe të gjenocidit të kryer nga ushtria dhe shteti serb në vitet 90’ në Bosnjë, në Kosovë dhe në Kroaci.
Së pari, duhet thënë që apologjetët e sotëm të kasapit të Bosnjës, Rusia dhe Serbia, janë protagonistët e politikës millosheviçiane të krimit më të madh kundër njerizimit, të kryer pas luftës së dytë botërore kundër popujve në Europë.
Së dyti, duhet thënë se apologjetët e sotëm të kasapit të Bosnjës në Beogradin zyrtar janë duke ndjekur rrugën dhe ambiciet kriminale të Millosheviçit. Historiania Dubravka Stojanoviç, e Universitetit të Beogradit, thotë për AFP-në në 24 nëntor: “Nëse dikush do të pyesë se sa ka përparuar Serbia pas Millosheviçit, tani ka një përgjigje të qartë: Ajo ka ecur mbrapa. Nuk ka ndërgjegje për krimet e luftës”. Kush e drejton Serbinë sot? Sot Serbinë po e drejton garnitura qeveritare e Millosheviçit, që e futi ish-Jugosllavinë në luftëra të përgjakshme. Presidenti i sotëm Aleksandër Vuçiç ka qenë ministër i qeverisë së Millosheviçit, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm Ivica Daçiç ka qenë ministër i qeverisë së Millosheviçit, kryetarja e sotme e parlamentit Maja Gojkoviç ka qenë ministre dhe zëvendëskryeministre e kabinetit të Millosheviçit. Ministri i sotëm i mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka qenë këshilltari besnik i gruas së Millosheviçit, një arkitekte e konflikteve në ish-Jugosllavi. Ministri i mbrojtjes Vulin shpall hapur se është admirues i asaj që ka bërë Millosheviçi, dhe para pak kohësh deklaroi publikisht se ai “ka luftuar sëbashku me ish-presidentin Millosheviç për ideale të rëndësishme dhe të çmuara dhe sa të jem gjallë do të vazhdoj në këtë rrugë”. Dhe nuk është rastësi që të gjithë këta udhëheqës, të dalë nga uniforma e Millosheviçit, kanë të përbashkët se janë prorusë të fandaksur.
Kjo është garnitura, që qeveris sot Serbinë, kjo është garnitura që gjoja po bën kthesën dhe po vesh kostum europian. Kjo është garnitura e grimuar serbe, me të cilën na është premtuar se do të krijojmë familjen e lumtur ballkaniko-perëndimore, ku Shqipëria, e sëmura e përjetshme e internacionalizmit, do të gjejë fatin e vet të shumëpritur historik.
Duke analizuar apologjinë e Rusisë dhe të Serbisë për kasapin e Bosnjës dhe për kasapin e Ballkanit, nuk mund të mos hulumtosh për klimën ndërkombëtare dhe shkaqet favorizuese të kësaj apologjie. Me keqardhje duhet pranuar se një pjesë të fajit për këtë situatë të papëlqyeshme diplomatike e morale e ka edhe BE. Ka qenë gabim i madh i BE, e cila nuk e trajtoi krimin shtetëror serb njësoj si krimin shtetëror nazist. Unë kam shkruar në librin tim “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysmë revolucioni të lënë përgjysmë”,(Tiranë, 2004), se ajo që ndodhi në ish-Jugosllavi kishte nevojë për një Nuremberg të ri dhe për një Potsdam të ri:”Konkludimi historik i konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi e kërkonte një Potsdam të ri, ku Serbisë dhe udhëheqjes serbe t’i viheshin detyrime dhe kushte të tilla ndërkombëtare, që rajoni dhe Europa të sigurohej se asnjë udhëheqje dhe asnjë udhëheqës i ardhshëm serb nuk do të guxonte të ringjallte ambiciet nacionaliste dhe politikat destabilizuese dhe të përgjakshme të ish-presidentit Millosheviç”. (fq.75).
Kjo do të thotë që ata, të cilët me shtetin dhe ushtrinë e tyre shkaktuan masakrat dhe gjenocidin në ish-Jugosllavi, duheshin dënuar me atë shpejtësi dhe rigorozitet si kriminelët nazistë të luftës. Kjo do të thotë që Serbia dhe makina ushtarake serbe e agresioneve duhet të ishte ngarkuar me penalitete dhe Serbia të ishte detyruar të paguante reparacione për shkatërrimet, masakrat dhe krimet, që u shkaktoi popujve joserbë. Kjo do të thotë që për kriminelët ndërkombëtarë serbë të luftës duhet të ishte krijuar klima mbytëse, që të mos guxonte shtet apo qeveri, që t’i merrte në mbrojtje, siç nuk guxon sot qeveri apo shtet të marrë në mbrojtje nazistët 72-vjet mbas mbarimit të luftës.
Diplomacia europiane bëri gabimin e madh që, në ngutjen për të vendosur paqen në rajonin e ish-Jugosllavisë, shpiku të ashtuquajturën teori të simetrisë së fajit, sipas së cilës të gjithë, edhe agresori serb, edhe viktimat joserbe, kishin njësoj faj ndaj njeri-tjetrit, dhe kjo teori padyshim shfajësoi dhe trimëroi kriminelët. Kjo teori është bërë platforma zyrtare e Serbisë për të mbrojtur krimet e saj dhe kriminelët ndërkombëtarë të luftës.
BE bëri gabimin që nuk reagoi kur ish-anëtarët e qeverisë së Millosheviçit morën zyrtarisht pushtetin në Beograd me ardhjen në fuqi të Tomislav Nikoliçit, Aleksandër Vuçiçit, Ivica Daçiçit, etj. Madje kësaj garniture qeveritare i dha statusin e shtetit kandidat dhe i hapi bisedimet e pranimit në BE. Brukseli po bën gabimin, që nuk po reagon ndaj tendencës së rrezikshme qeveritare në Beograd për rehabilitimin dhe rifutjen në institucionet shtetërore të kriminelëve serbë të luftës. Kriminelë ndërkombëtarë të luftës si Lazareviç, Dikoviç, Shahinoviç etj. janë përsëri në podiumet e nderit dhe të pushtetit. Prestigjiozja amerikane “Nju Jork Tajms” shkruante në 23 nëntor: “Qeveria në Beograd është madje duke mirëpritur kriminelët e dënuar të luftës dhe aleatë të Sllobodan Millosheviçit”. Kurse AFP shkruante në 24 nëntor se “Në Beograd njerëzit e afërt me njeriun e fuqishëm të kohës së luftës, S. Millosheviç, po kthehen në postet e larta”.
Kjo që po ndodh aktualisht, kur Serbia dhe Rusia afishojnë publikisht apologjinë e kasapit të Bosnjës dhe të kasapit të Ballkanit, duhet të bëjë që si BE, ashtu dhe shtetet e rajonit, të rivlerësojnë me mendje të kthjellët lidhur me marrëdhëniet dhe llojin e bashkëpunimit me Serbinë. Nuk mund të ketë as integrim real europian dhe as të ashtuquajtur integrim ballkaniko-perëndimor me drejtuesit e Serbisë aktuale, që janë kopje e kohës së Millosheviçit. Shtetet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor duhet të ruhen nga miopia politike dhe diplomatike, që i pengon të shohin përtej retorikës dhe ahengjeve ballkanike.
Nuk kuptohet përse disa qarqe në Tiranë dhe në Prishtinë ende e sugjestionojnë veten me lutjen ”Bëje zot ëndërr”, kur Serbia po i mpreh dhëmbët përditë për tokën shqiptare, që quhet Kosovë./Gsh.al/