Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: Një qokë tek arvanitasit edhe në Çamëri

 

Mirë, shumë mirë bëri Presidenti ynë që qoftë dhe privatisht sikurse u tha në media, takoi shqiptarët e krahinave shqiptare në Sërbi. Bëri detyrën si simbol i unitetit të kombit, nderoi veten dhe postin që përfaqëson duke respektuar shqiptarët e atjeshëm, u dha zëmër e kurajo që të gëzohen në vëndin e të parëve pavarësisht se jashtë kufirit zyrtar, shtriu dorën e fqinjësisë së mirë ndaj Sërbisë pavarësisht padrejtësisë historike ndaj kombit shqiptar, duke bërë apel për urtësi dhe çlirim nga sindroma e fituesit apo humbësit në Ballkan.

Me një fjalë, qoftë dhe privatisht, kjo vizitë gjeneroi publicitet të atillë, efektet e të cilit ndoshta tejkalojnë edhe një vizitë zyrtare që i nënshtrohet protokollit strikt, qoftë dhe e shoqëruar me paketa financimesh apo projektesh konkrete. Shqiptarët në Serbi, më shumë se financime kanë nevojë për vëmëndje, respekt dhe kontakte rutinë. Kaq u mjafton që të mos ndjehen të vetmuar matanë. Me këtë rast, Serbia po dëshmon se po reflekton. Një fillim i mbarë i saj por ende pak sepse e kaluara ende ka peshë në politikën e saj.

Por ndërsa vizita të këtilla po mësohemi të kalojnë “fjollë” tek fqinjët verior (Mali i Zi dhe Serbi) dhe ai lindor (Maqedoni), hamëndjet ngrihen nëse një gjë e tillë mund të ndërmerrej edhe në fqinjin jugor Greqi. Sikurse krahinat shqiptare në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni, edhe Çamëria apo trevat arvanitase kanë prezencë etnike shqiptare apo arbërore dhe Shqipëria e ka në Kushtetutë vëmëndjen dhe përpjekjen ndaj mbrojtjes së interesave, të drejtat njerëzore dhe atyre kombëtare të shqiptarëve kudo ku ata ndodhen jashtë kufijve shtetërorë.

Në këtë sens, presidenti ynë, i njohur si politikan kurajoz dhe me inisiativë, duhet të ndërmarrë një hap të tillë duke dëshmuar me veprime konkrete vëmëndjen e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në Greqi, qofshin ata çamë, arvanitas të kohës apo shqiptarë emigrantë të tranzicionit.

Është në përshkrimin e punës e Tij. Qoftë zyrtarisht apo privatisht, Ai duhet të takohet me ta, atje. Me urtësinë tradicionale të politikës së Tij, ajo vizitë nuk mund të shihet si provokim përkundrazi do të shërbejë si artikulim i tabuve që nuk ua zë dot goja të tjerëve këtej dhe andej kufirit duke krijuar preçedentin për më pas për të tjerë.

Si mund të presim ne që faktori arvanitas dhe ai çam në Greqi të hedhë sytë dhe besojë tek Atdheu mëmë kur ne të parët i anashkalojmë dhe nuk bëzajmë për ta? Ata nuk kanë nevojë për financime, përkundrazi mund të na mbajnë ne ata me to por ata kanë nevojë për solidaritet dhe një dimension më shumë të identitetit që ju jep krenari dhe kjo është detyra jonë këtej.

Meraku se mos turbullohen ujrat me grekun janë argumenta që provokojnë “agoni” diplomatike në marrëdhëniet me ta duke bërë që të vërtitemi gjithnjë rreth pikës zero. “Djalli nuk është aq i tmerrshëm kur e takon” thotë një shprehje ndaj dhe me Greqinë, e vetmja mundësi për të gëzuar marrëdhënie të shkëlqyera siç dhe popujt meritojnë, është thënia e gjërave troç. Fundja jemi popuj binjak në gadishullin Ilirik dhe është absurd që 200 vjet vetëm i ndërsehemi njëri-tjetrit.

Nëse një vizitë presidenciale, qoftë dhe private, është tashmë gjë normale në Serbinë e nacionalizmit që shkaktoi tre luftëra në rajon këto dekada, ajo nuk ka pse të jetë më një tabu  në Greqi, që për më tepër është dhe anëtare e BE. Vetëm nëse nuk duam vetë ne sepse politikanin e lartë, shoqëruar me një autobuz diplomatësh dhe tabor gazetarësh që pasqyrojnë “live”, zor se do e kthejë mbrapsht në kufi një doganier apo do e shpallë të padëshiruar një polic apo kalec lokaliteti në fshatrat arvanitase ku Ai shkon.

Po në ndodhtë, do jetë publicitet falas dhe bota do dëgjojë më mirë dhe më shpejt dhe do kuptojë se nuk është Himara molla e sherrit por tjetër gjë. Më e madhe, reale dhe quhet Çamëri dhe arvanitas dhe ndodhen matanë kufirit, në Greqi. 28 Nëntori nuk është keq për fishekzjarre por për vëmëndje ndaj kauzave shqiptare ngado. Patriotizmi nuk ka brirë. Tej kufirit në jug nuk ka thjesht kauzë çame e arvanitase por kauzë shqiptare dhe ajo meriton përkushtim.

Please follow and like us: