Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Raporti i plotë i dokumenteve të zhdukura nga SHISH

 

INFORMACION PËR INVENTARIN

 Mbi përfundimin e inventarizimit dhe marrjen në dorëzim të materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit

 Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar,

Zotit Fatos Klosi

Në zbatim të urdhrit Tuaj, ju vëmë në dijeni se përfundoi para afatit kohor inventarizimi i imët (fletë më fletë) dhe marrja në dorëzim e fondit të mbyllur të ish-Sigurimit të Shtetit, e cila u krye në një periudhë 3-vjeçare kohe nëpërmjet dy fazave:

Faza e parë

Pasi konstatuam se në Drejtoritë e Aparatit Qendror si dhe në Degët e SHIK-ut në rrethe, ruheshin dhe administroheshin dokumentacione operative të të gjitha llojeve të ish fondit të mbyllur të Sigurimit të Shtetit, në kundërshtim me Ligjin e FHIK-ut dhe atë të Arkivave, organizuam menjëherë grumbullimin, evidentimin, inventarizimin dhe marrjen e tyre në dorëzim. Si rrjedhojë, u grumbulluan dhe u inventarizuan 2325 dosje të ndryshme operative, 1419 dosje të R.S.I. si dhe 3584 dokumente e materiale të ndryshme operative që ndodheshin gjendje pothuajse në të gjitha Drejtoritë dhe Degët e SHIK-ut në rrethe; duk mundësuar punën që Shërbimi Informativ Kombëtar të ketë në përdorim të përditshëm vetëm dokumentet që ka prodhuar e prodhon si SHIK.

Faza e dytë

Dhe më kryesorja ishte fiksimi, inventarizimi, marrja në dorëzim dhe sistemimi i fondit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit që gjetëm në arkivin tonë. Kjo ishte edhe faza më e vështirë me të cilën u përball Dega e Arkivit, pasi:

– Arkivi u gjend në situatë kaotike. 80 % e materialit të futur në arka dhe thasë ishin të vendosura dhe të shpërndara nëpër dhomat e arkivit, ku materiale në arka të një fondi ishin bashkuar me një fond tjetër, (shpesh për të gjetur materialet për shfrytëzim detyroheshim të lëviznim mbi 50 arka), pjesa më e madhe e arkave metalike dhe e materialeve SRV ishin të hapura (pa dryna) edhe ato arka që ishin me dryn, detyroheshim t’i hapnim me forcë pasi nuk gjenim çelësat e tyre,etj.

-Procesverbalet e dorëzimit të fondeve arkivore i gjenim me vështirësi, gjë që fillimisht na krijonte mjaft pengesa serioze për të verifikuar në kohë e me cilësi materialin konkret të kërkuar.

-Materiali arkivor mbahej për ruajtje dhe shfrytëzim në kundërshtim me Ligjin, jo vetëm pa inventar, por një pjesë e mirë e procesverbaleve të dorëzimit të ish Degëve P. Brendshme të rretheve, ishin të pa firmosura si dhe të pa shënuar në to komisionin apo edhe individin që i ka marrë në dorëzim.

Të dyja këto faza për nga pikëpamja e kërkesave të zbatimit ligjit dhe rregullave të Drejtorisë Përgjithshme të Arkivave, u realizuan nëpërmjet një pune të kualifikuar profesionale dhe ndjenje të lartë përgjegjësie, sipas një metodike të hartuar nga Dega e Arkivit dhe miratuar nga Drejtoria. Në të përcaktohej qartë jo vetëm taktika dhe strategjia e inventarizimit, por edhe problemet tekniko-administrative që do zgjidhte ky proces, duke filluar qysh nga akt-marrëveshjet (solidare) të arkivisteve fondruajtëse , organizimin e vogël të punës, plotësimin e regjistrave inventar të fondeve Model 14, në bërjen e procesverbaleve të marrjes në dorëzim për secilin fond më vete, në përcaktimin e rregullave të ruajtjes së sekretit dhe të vazhdimësisë së punës me komisionin “Bezhani” e shfrytëzimin e arkivit dhe deri në sistemimin përfundimtar të tij.

I theksuam këto jo vetëm se janë kërkesa te domosdoshme të zbatimit të ligjit si dhe pasqyrojnë kulturë tekniko-profesionale, por edhe për faktin se përfundimi i inventarizimit na përballi me shqetësime serioze në fushën e dokumentacionit dhe të pasqyrimit të punës nga paraardhësit tanë si:

– Mungesa e plotë e dokumentacioni që të pasqyrojë punën dhe aktivitetin e kësaj dege (me përjashtim të Komisionit “Mezini”); ka gjurmë të kësaj pune si kompjuterizimi R.S.I. dhe i disa fondeve, autorizime shfrytëzimi, fotokopjime, krijimi i fletoreve të fondeve, pa llogaritur këtu mungesat në informacione apo relacione te-ndryshme , tematika -pune e plane, analiza periodike e vjetore pune, ndonëse urdhri i titullarit për këto të fundit ka qenë, e cila është e pa dokumentuar e evidentuar.

Pa u zgjatur në vështirësitë dhe pengesat tona, si fizike ashtu edhe në marrjen e përgjegjësive mbi vete, arritëm të përfundojmë inventarizimin i cili përbëhet nga dy fonde kryesore të ish-Ministrisë së Brendshme, Sigurimi i Shtetit, si:

  1. Fondin i kundërzbulimit ( ish Drejtoria I-rë), ku përfshihen materialet operative të arkivuara të Degës IV (kartoteka), Degës XIII-të që vepronte në drejtim të përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë, Degës X-të (shifra) në Aparatin Qendror dhe vazhdon me 26 njësitë administrative që fillojnë me ish-Drejtorin P. Brendshme Tiranë si dhe me Degët e P.Brendshme: “B.Curri”, Kukës, Shkodër, Pukë, Rrëshen, Dibër, Burrel, Lezhë, Krujë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Gramsh, Fier, Berat, Vlorë, Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë i cili përveç se u inventarizua, u sistemua sipas kësaj strukture.
  2. Fondin i zbulimit (ish Drejtoria II-të) , ku përfshihen materialet operative të arkivuara me emërtesat : fondi i Drejtorisë II-të që përmban materiale operative të arkivuara të degëve të kësaj drejtorie si dhe fondi i Kosovës, fondi i të huajve, fondi i të arratisurve, fondi ekonomik, fondin e veçantë, fondi administrativ dhe fondi i shifrës së këtij shërbimi, i cili përveç se u inventarizua, u sistemua sipas kësaj strukture.

-Dy fondet e mësipërme përmbajnë të gjitha materialet agjenturore-operative të ish-Sigurimit të Shtetit qysh nga koha e krijimit të tij e deri më 2 Korrik 1991 me shkrirjen me ligj të këtij organi.

Në arkivin tonë ndodhen gjithashtu edhe 135 dosje operative, fashikuj me implikime, me materiale për ish-anëtarë e kandidatë të PPSH, që i përkasin grupit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, fëmijëve të tyre dhe 24 ish-shtetarëve dhe lidhjeve miqësore e shoqërore të tyre si dhe dy volume “Përgatitja e Prokurorit Përgjithshëm” (për këtë grup).

Këto dosje operative janë tërhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ku ruheshin për llogari të Fondit të ish-KQ të PPSH pa asnjë lloj dokumenti. Meqenëse janë dosje operative, kemi mendimin të shfrytëzohen dhe të administrohen nga ne. Gjithashtu, krahas këtyre fondeve kemi edhe fondin e “të vdekurve” i cili përbëhet nga 6270 dosje të ndryshme. Të shprehur në shifra, këto fonde përfaqësohen: Fondi kundërzbulimit që ka 12335 dosje operative, 7891 dosje RSl pjesa më e madhe e të cilave janë të shoqëruara me dosjen e punës dhe 6097 njësi të ndryshme dokumentare që përbëhet nga procesverbale të ndryshme, regjistra e libra evidence, studime, përshkrime, tema, shkresa dhe dokumentacione të ndryshme operative.

Fondi i zbulimit që ka 28256 dosje operative, 3802 dosje RSI dhe kandidatësh për bp. si dhe2266 njësi të ndryshme dokumentare që përbëhen nga procesverbale të ndryshme, regjistra e libra evidence, studime, përshkrime , tema , shkresa dhe dokumentacione të ndryshme operative. Të gjitha këto materiale u evidentuan në regjistrin inventar te fondit “Model 14” fletë për fletë, me një numër total fletësh të inventarizuara rreth 5.380.000 dhe me numrin total prej 58554 dosjesh të ndryshme, 9372 dokumentacione të ndryshme si dhe 215794 kartela të ndryshme. I tërë ky volum është futur e sistemuar në 1240 arka metalike dhe dy dollapë druri të mëdhenj me sirtarë , të ndara në 5 dhomat e arkivit.

Nga inventarizimi dhe ballafaqimi përfundimtar me këtë dokumentacion, na rezultojnë këto mungesa:

-Në fondin e kundërzbulimit mungojnë 82 dosje përpunimi dhe drejtimi, 3 dosje RSI (agjenture), 27 dosje hetimore e gjyqësore, 16 dosje dhe fashikuj të tjerë, 18 regjistra të ndryshëm dhe 146 njësi të tjera emërtuese, ku përfshihen procesverbale, lista veçimi, libra evidence, shkresa, dokumentacione të ndryshme, etj. ‘

-Në fondin e zbulimit mungojnë 52 dosje agjenture dhe të kandidatëve në studim (të fondit të veçantë) dhe 3 njësi dosje të ndryshme.

— Në këtë informacion po ju evidentojmë vetëm disa nga mungesat më kryesore dhe që për mendimin tonë janë të qëllimshme, si më poshtë:

-Dosja e drejtimit të ambasadës jugosllave, ku përfshihet periudha e viteve 1948-1991. Kjo dosje përfshin në vetvete 11 volume (fashikuj) të cilat totalisht kapin shifrën prej 3887 fletësh .

-Të gjithë regjistrat kryesorë të punës operative të ish-Degës P.Brendshme Mirditë (Rrëshen), degë e cila mbulonte dhe ish-Repartin e Riedukimit Spaç, si: regjistri i përpunimeve, regjistri i agjenturës, regjistri i këshillimeve dhe demaskimeve, regjistri i denoncimeve për krimet kundër shtetit (KKSH), regjistër për përpunimet paraprak e 2A, regjistër për të arratisurit, regjistër i dosjeve dhe fashikujve, regjistër për të riatdhesuarit, regjistër për informatat, regjistër për problemet e centralizuara, regjistër për të internuarit dhe të dëbuarit, etj.

Në arkiv mungojnë gjithashtu dhe 27 materiale SRV. Dokumentet e SRV janë shfrytëzuar barbarisht për qëllime politike nëpërmjet botimit në media, si përshembull listat “e vdekjes” etj.

Këto mungesa kanë dalë si rrjedhojë e krahasimit të gjendjes së inventarizimit me procesverbalet e dorëzimit, të gjetura nga ne në kohën e ardhjes.

Nuk dimë si mund të konsiderohen procesverbalet tip regjistri të fondit të Kosovës nga të cilët janë fshirë me korrektor (e ndaluar kategorikisht kjo gjë) 538 emra, të cilat dorëzuesi dhe marrësi në dorëzim i justifikojnë në fund të procesverbalit, por që çuditërisht këto dosje janë të evidentuara në kompjuterët e Degës së Arkivit qysh gjatë vitit 1996, kur ky fond është dorëzuar në arkiv në vitin 1995.

Përfundimi i inventarizimit të materialeve të ish-sigurimit të shtetit evidencoi disa probleme e shqetësime të cilat lidhen kryesisht me ruajtjen dhe shfrytëzimin e tij nga paraardhësit, që nga më kryesoret janë: Shfrytëzimi i arkivit është realizua nga ish-drejtuesit e arkivit në tre drejtime kryesore, të cilat bien ndesh me Ligjin Nr.7726, dt29.6.1993 “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat” si dhe me ruajtjen e sekretit shtetëror.

Konkretisht:

  1. Pa autorizim me shkrim të titullarit të organit, është kompjuterizuar i gjithë rrjeti i fshehtë informativ i organeve të sigurimit të shtetit (1945-1991), mbi bazën e regjistrave themeltar të agjenturës si dhe një pjesë e madhe e fondit të zbulimit si fondi i veçantë (agjentura aktive, pasive dhe ajo në studim) , fondi i të arratisurve , fondi ekonomik , fondi Kosovës dhe ai i të huajve . Siç del dhe nga hetimi i prokurorisë për “disketat” , ( për problemin e të cilës ju kemi informuar më parë), në kompjuterizimin e këtyre materialeve kanë marrë pjesë edhe punonjës të tjerë jashtë strukturës së degës apo drejtorisë së arkivit dhe pa miratim me shkrim të titullarit të organit.
  2. Pa autorizim me shkrim të titullarit të organit, janë hedhur nëpër fletore e blloqe të ndryshme të pasekretuara (26 të tilla), emrat e ‘ personave që kanë dosje në arkiv si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit apo si përpunime; emra personash të ndryshëm, kopjuar nga procesverbalet e asgjësimit apo listat e veçimit dhe që ju përkasin fondit të kundërzbulimit.
  3. Ndonëse në arkiv janë gjendur disa autorizime të lëshuara nga titullari i organit, që lejojnë persona të veçantë të shfiytëzojnë materialin arkivor, nuk dihet se çështë bërë me këto materiale, pasi nuk gjetëm regjistrin e evidentimit të studiuesve në arkiv; pa shtjelluar në këtë pikë shfrytëzimet masive të arkivit pa autorizim. Vetëm “materiale të ndryshme”, që konsideroheshin ato dosje e materiale operative që shfrytëzoheshin, gjenden të grupuara në dhomën kryesore të arkivit rreth 450 dosje, informacione e materiale të tjera operative.

— Lidhur me shfrytëzimin e arkivit, mendojmë të evidentojmë edhe problemin e fotokopjimit. Kështu, janë fotokopjuar në arkiv materiale të rëndësishme arkivore, paautorizim me shkrim të titullarit të organit. Një pjesë e materialeve të fotokopjuara kanë qenë burim kryesor “informacioni” për median elektronike dhe atë të shkuar.

Zoti Drejtor, në këto ditë kemi filluar përpunimin e  materialeve të hedhur në kompjutera dhe do të vazhdojmë me zbatimin e fazës së tretë, atë të kompjuterizimit të inventarëve, të përpunimeve e më vonë në hartimin e një softi të përshtatshëm për studimin e dokumenteve gjendje në arkiv.

Ndërkaq, jemi në pritje të vendimit Tuaj për problemin e mikrofilmimit i cili do të jetë dhe faza ” e katërt” që  mendojmë të shoqërohet dhe me përmirësimin rrënjësor të kushteve teknologjike dhe të shfrytëzimit të kësaj pasurie të shërbimit dhe të kombit.

Image result for sigurimi i shtetit

Please follow and like us: