Kujtimet e panjohura të Edit Durham: Kush e tradhtoi Shkodrën?
Rënia e Shkodrës në duart e malazezëve dhe qëndrimi i Fuqive të mëdha
“Lufta për Shkodrën” sipas kujtimeve të Edith Durhamit një shekull e ca më parë, shqipëruar nga Xhevat Lloshi, është padyshim një nga librat më të vyer në panairin e sivjetëm të Librit në Tiranë. Këto kujtimet të zonjës së famshme angleze vijnë për herë të parë të plota në shqip nga Shtëpia Botuese “Argeta LMG”
Rënia e Shkodrës bëri përshtypje të ndryshme në legatat e huaja në Cetinjë. Franca dhe Rusia e shprehën hapur gëzimin e tyre. Veprimi i mbretit Nikollë pa dyshim erdhi si pasojë e vonesës me dashje që shkaktuan këto dy vende.
— Ju nuk mund ta kapërceni dot le fait accompli!” [fr. fakt i kryer] – më tha dikush.
— Përveçse duke kryer një tjetër, – ia prita unë.
Disa midis të dërguarve diplomatë ishin tërbuar dhe të gjithë e dinin se kjo do të kërkonte një punë të lodhshme e me përgjegjësi, ndërsa ishin të preokupuar sipas rolit që luanin. Fuqitë e Mëdha kishin arritur vetëm një gjë. Me anën e përfaqësuesve të tyre shumë të fuqishëm, i kishin dhënë të kuptonte Malit të Zi se në Shkodër nuk duheshin bërë veprime dhune. Çdo hap i tillë do të sillte pushtimin e menjëhershëm të Cetinjës nga ushtritë austriake dhe një zbarkim të forcave të përbashkëta. Si pasojë, autoritetet lejuan vetëm batalionet e tyre më të qytetëruara për të marrë në zotërim qytetin dhe e mbanin rendin në pjesën më të madhe me vullnetarë sllavë të ardhur nga jashtë.
Princi Danilo hyri në Kalanë e Shkodrës në 24 prill, ngriti atje flamurin malazias dhe mori çelësat nga Esadi, i cili u nis menjëherë për Tiranë me ushtritë turke. Por nuk u bë ndonjë hyrje ceremoniale në qytet. Mbreti duhej ta bënte këtë më vonë.
Më 25 prill së bashku me z. Lok të gazetës “The Times” u nisa për Shkodër, me shqetësim të madh për gjendjen e miqve të mi. Morëm dy thasë të mëdhenj me bukë dhe disa arka me ushqime të tjera.
Shkodra e shkretë, nga ku isha larguar nëntë muaj më parë, kishte një pamje të mjerueshme. Banorët ishin gjysmë të hutuar nga terrori dhe zia e bukës, ishin të tmerruar se mos mbeteshin në duart e Malit të Zi. “Sikur ta dinim se do të kishim ndihmën afër,” thoshin shumë veta, “ne mund të kishim qëndruar një ose dy ditë më shumë. Kishim dëgjuar se kishin ardhur anijet, por pasi kaluan ditët njëra pas tjetrës dhe asnjë ndihmë nuk po vinte, menduam se do të ishin anije greke ose bullgare me më shumë trupa të tjera”. Në të vërtetë, popullsia nuk dinte gjë se ç’po ndodhte. Ushtarët malazez tashmë kishin nisur t’u thoshin katolikëve se shpejt do ta mësonin se si duhej të bënin kryqin.
Shtëpitë e shkatërruara dhe njerëzit e plagosur vërtetonin deklaratat plot indinjatë të konsujve dhe të kryepeshkopit, se ishte zgjedhur posaçërisht popullsia civile si objekt bombardimi. Shkollat, kishat, spitalet dhe konsullatat, të gjitha ishin vënë në shënjestër më tepër sesa kalaja apo kazermat. Ishin goditur të gjitha dhe disa qenë shkatërruar. Nuk kishte mundësi që të gjitha të ishin goditur rastësisht. Zjarr i rëndë qe përqendruar kundër konsullatës britanike. Jo vetëm që ishte goditur dhe z. Suma qe plagosur, por si shtëpia që ndodhej përballë, ashtu dhe ajo në krah të saj, qenë shkatërruar fare.
Katedrales nuk i kishte mbetur gjë nga shkëlqimi i dikurshëm. Çatia ishte bërë shoshë, shenjtorja dhe kulla ishin djegur, gropa të mëdha qenë hapur në dysheme nga predhat. Dyzet predha e kishin goditur, pesëmbëdhjetë nga të cilat qenë të kalbrit shumë të madh. Pothuaj dy mijë veta qenë strehuar atje me gjithë plaçkat e tyre, duke besuar se do të ishin të sigurt, por kishin ikur në panik. Disa ishin plagosur dhe shumë veta kishin humbur të gjitha gjërat mes flakëve. Kuvendi, gjithashtu, ishte shkatërruar, dy murgjër ishin vrarë dhe një ishte plagosur.
I shkreti plaku Marko dhe familja e tij kishin mbetur gjallë me ndihmën e vëllait të kryepeshkopit, i cili i kishte mbajtur me ushqim. Por ata ishin të sëmurë e mezi mbaheshin, po ashtu si shumë të tjerë. Në shtëpitë më të varfra njerëzit dergjeshin përtokë, në shkallën e fundit të mjerimit. Si ushqim kishin përdorur gjithçka: breshkat, bretkosat, iriqët dhe radhiqet. Gjatë njëzet e tetë ditëve të fundit qenë shpërndarë fare pak racione. Shumë njerëz kishin ngrënë bimë pak a shumë helmuese (sidomos rrënjë shumë të tharta të një lloj zambaku), ose ishin munduar të bënin bukë me farë liri. Këto kishin shkaktuar diarre akute. Unë pashë një burrë se si ra dhe vdiq në rrugë, ndërsa ushqeva vetë një fëmijë të bërë si skelet.
Malazeztë u kishin dhënë miell krerëve të komuniteteve katolike dhe myslimane, ditët e para ua shpërndanë pa pagesë. Populli priste para depove në radhë të gjata.
Deri tani të gjitha rezervat ushqimore ishin në duar të malazezve dhe asgjë nuk mund të importohej. Të gjithë miqve të mi dhe fqinjëve u dhashë nga fondi im.
I gjori plaku Marko ishte i dëshpëruar. Kopshtin e tij e kishin zënë ushtarakët turq si vend për barakat e kazermave, qenë ngritur katër baraka të tilla prej dërrase. Bimbashi, kur iku, i kishte dhënë Markos një letër të firmosur ku thuhej se, për dëmin e shkaktuar, të gjitha gjërat e lëna në kopshtin e tij mbeteshin pronë e tij.
Por trupat malazeze vërshuan brenda dhe kur mbërrita unë po plaçkisnin me rrëmbim, rrëzonin barakat, thyenin xhamat dhe tullat, duke bërtitur si bisha të egra. I urdhërova të largoheshin dhe meqë nuk pranuan të bindeshin, shkova drejt e në kamp dhe iu ankova ofircerit, se njerëzit e tij po silleshin më keq nga turqit dhe po bënin një përshtypje shumë të keqe në popull, U vendos një rojë, por shpejt u hoq. Erdhën prapë ushtarët dhe nisën përsëri. I gjori Marko nuk fliste nga frika, gati po qante kur shihte plaçkat që po i zhdukeshin. Unë i dëbova për të dytën herë dhe i kërcënova se do të shkoja te gjenerali për këtë punë.
Arriti Petar Plamenaci, i emëruar qeveritar i Shkodrës. Ishte dita 28 prill. Kafazi malazias më takoi në rrugë dhe më tha se Petari donte të më takonte sa më parë. Shkova drejt e në konsullatën malazeze, ku qe vendosur ai. “Ju përgëzoj”, – i thashë. “Gjatë luftës më kishit thënë se ia kishit vënë syri këtij posti. E arritët qëllimin”. Petari dukej i shqetësuar.
— Çfarë! – thirri ai. – Ju, ju që i njihni vështirësitë e gjendjes, më përgëzoni?
— Në rast se do të keni sukses, sa më të mëdha të jenë vështirësitë aq më i madh do të jetë nderi, – i thashë unë.
— Mon Dieu! Mon Dieu! – thirri Petari. – Çfarë mund të bëj? Unë e hartova të gjithë marrëveshjen me Esadin, përcaktova tërë kushtet e dorëzimit. Besoja se kjo do të ishte kurorëzimi i jetës sime dhe se do të isha në gjendje të tërhiqesha nga jeta shtetërore duke e mbyllur me nder karrierën time!
M’u duk për të qeshur ideja e tij për të mbyllur karrierën, kur dihej se Petari as nuk i kishte mbushur të dyzetat. Nuk nxora asnjë fjalë.
— Unë ju thirra, – vazhdoi ai, – që të kërkoj ndihmën tuaj. (“Ç’dreq doni”, thashë me vete). Unë ju lutem që, pasi ju e kuptoni këtë popull, të zini një shtëpi diku dhe të qëndroni për të më ndihmuar.
Unë i thashë se shpresoja të qëndroja pak, por ende nuk kisha ndonjë plan të caktuar. — Gjendja, – tha Petari, – është shumë e ndërlikuar.
— Shumë, – ia prita unë.
— Çfarë do të më këshillonit të bëja me malësorët?
— Kurrgjë, – u përgjigja unë. – Mos u ngatërroni me ta në asnjë mënyrë, po qe se nuk dëshironi të keni shqetësime. Ata të gjithë ju urrejnë.
— Edhe unë jam i këtij mendimi. Jemi dakord. – Kur pastaj fare papritur, dhe duke mos u përmbajtur ia nisi:
— Ju – ju – ju, vetëm një fjalë e vogël nga ju, vetëm një fjalë e këta malësorë do t’ju vijnë pas. Foluni një fjalë për ne, një fjalë të vogël, – ju lutem, ju përgjërohem!.
Shumë gjëra po më silleshin ndër mend. Për të tretën herë Mali i Zi po më lutej për ta nxjerrë nga gjendja e vështirë ku ndodhej. Jo më shumë se dy vjet më parë m’u kërkua që të ndihmoja për t’i kaluar përsëri përtej kufirit malësorët e tradhtuar. Tani Petari më lutej me përulësi që ta ndihmoja për t’i futur përsëri nën thundrën malazeze. Nuk e di nëse kam ndier ndonjëherë tjetër një përbuzje të tillë për një qenie të gjallë, ashtu siç ndieja në atë çast për Petarin.
— Çdo gjë është në duar të Fuqive të Mëdha, – thashë unë (duke shpresuar se ato do të vepronin shpejt). – E kush jam unë? Unë nuk mund të bëj asgjë.
— Ju, natyrisht, e kuptoni, – tha Petari, duke u dridhur kur u përmendën Fuqitë e Mëdha, – se ne e morëm Shkodrën dhe do të mbetemi këtu?.
— Plotësisht, – iu përgjigja unë. – E kam dëgjuar këtë tashmë shumë herë.
— Dhe se ne më parë lëmë pikën e fundit të gjakut tonë këtu, sesa të tërhiqemi.
— Plotësisht ashtu. E kam dëgjuar këtë tashmë disa muaj me radhë. – Petari u drodh përsëri.
— A mund të mbështetem në ndihmën tuaj? – pyeti ai.
— Pa më siguruar se e njëjta drejtësi do të zbatohet ndaj myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, mos prisni gjë nga unë. Është një çështje për të cilën unë nuk lëshoj pe. Deri tani gjatë luftës kam parë vetëm marrëzira, korrupsion dhe barbari. Ju ndoshta nuk keni dijeni për sjelljen e Stanko Markoviqit në Podgoricë. Ai dëshironte të vdisnin urie…
— Ah, mon Dieu! mon Dieu! – thirri Petari. – Ju nuk e dini sesa keq më vjen për këtë gjë. Nuk dashkeni të keni besim te unë për shkak të sjelljes së një bishe, të një kafshe si Stankoja?
— Unë, gjithashtu, kam dëgjuar se çfarë ka ndodhur në vise të tjera. Dhe ju duhet ta pranoni se Sankoja është qeveritari i qytetit më të madh të Malit të Zi. Në qoftë se është e tillë drejtësia e një qyteti të madh, ç’lloj drejtësie mund të pritet në krahinat e largëta? Boll kam dëgjuar për këto gjëra. – Petari dukej i dëshpëruar. Ai hapi një kuti dhe nxori ca letra.
— Shiko, – më tha, – ju vetë do t’i caktoni nëpunësit këtu.
Ai më kërkoi që t’i rekomandoja një përkthyes, i cili të fliste serbisht dhe shqip. Përkthyes të tillë ishin shumë të paktë, në kundërshtim me “26 000 sllavët” që përmendte Popoviqi. Ne zgjodhëm dy. Ai nisi nga gjykatësit. Sipas Petarit, në Malin e Zi kishte vetëm një shumë të mirë. Ne e emëruam atë, në letër.
— Ju e kuptoni, – tha Petari, – se ne do t’i trajtojmë me drejtësinë më të madhe të gjithë ata që janë me ne. Për të tjerët nuk do të kemi asnjë mëshirë.
— Tamam ashtu siç kini bërë në Gjakovë tashmë, – ia preva unë.
— A keni ndonjë propozim për të bërë? – pyeti ai.
— Do të ishte mirë mendoj unë, derisa të vendoset më shumë rregull, që të mbeten në fuqi kapitulacionet dhe njëfarë kontrolli evropian.
— Ne nuk do të lejojmë asnjë ndërhyrje… – filloi Petari.
— Nuk ia vlen të diskutojmë, – i thashë unë, – qysh se, para së gjithash, çdo gjë është në dorën e Fuqive të Mëdha. – Petari bëri edhe një përpjekje tjetër.
— A keni ndonjë ankesë për mënyrën se si zbatohet drejtësia tani?.
— Sigurisht, ushtarët po e plaçkisin plakun Marko tamam si ujqër. – Më dha një urdhër me shkrim, që kjo të ndërpritej. Po a do të lejohesha gjithashtu që ta kapërceja Drinin dhe të shkoja për të ndihmuar fshatrat, që ishin djegur e plaçkitur nga serbët? – Ai papritmas mori zjarr.
— Nuk ka fshatra që të jenë djegur e plaçkitur nga serbët, – deklaroi ai. – Këtë gënjeshtër jua kanë thënë shqiptarët.
—Ma ka thënë Jovan Joviçeviqi, para pak kohe konsull i këtushëm. Ai më tha se ishte një skandal. – Petari u trondit. — Unë dëshiroj të di gjithashtu nëse lejohet të ushqej të sëmurët dhe ata që po vdesin nga uria në qytet, apo në rast se ata e pranojnë ndihmën, do t’i kërcënoni me varje ose burgim, siç bëtë në Podgoricë?
Ai e dinte se kjo ishte e vërtetë dhe i shqetësuar në mënyrë të dukshme, më tha se parole d’honneur, unë isha e lirë të ndihmoja cilin të doja. Ai bëhej sipas rastit i besueshëm, lutës, provokues dhe i përulur. Gati sa nuk qesha me zë të lartë, kur ai e mbylli me këto fjalë:
— Sado që detyra është e vështirë, ju duhet të paktën të pranoni, zonjushe, se në të gjithë Malin e Zi unë jam i vetmi njeri me të vërtetë i aftë për ta marrë përsipër këtë gjë.
Unë pothuaj ia dhashë të qeshurit. Puna ishte se kjo ishte llogaritur si një goditje për Luis Vojnoviqin. Unë mora përsipër ta ndihmoja me kusht që të zbatohej drejtësia e përpiktë, në rast se ai do të qëndronte, dhe i thashë: “Mirë u pafshim”. Ashtu siç e solli fati, nuk pata rastin ndonjëherë tjetër të flisja me të. Gjëja më kryesore për ta vënë në dukje nga kjo bisedë ishte, ndoshta. se ai nuk guxoi të mohonte qoftë edhe vetëm një nga akuzat e mia.
Koha kalonte si makth dhe dukej pa mbarim. Asnjë lajm nuk lejohej të vinte në qytet. Asnjë letër nuk mund të dërgohej dhe të merrej, përveçse me anën e ndonjë korrespondenti ose ndonjë të huaji tjetër që vinte ose ikte. Mali i Zi ndërkaq punonte në mënyrë të ethshme që, me kërcënime ose premtime, ta bënte popullsinë të nënshkruante letra ku do të deklaronte se dëshironin t’i përkisnin Malit të Zi. Njerëzit të tmerruar nuk dinin ç’të bënin. Ata nuk donin të ishin malazez, por anijet e Fuqive të Mëdha qëndronin pa vepruar dhe çdo shpresë për ndihmë po zhdukej. Ndoshta Fuqitë e Mëdha, në fund të fundit, kishin pranuar fait accompli. Kryepeshkopi mbajti një qëndrim të vendosur. Atij iu ofrua një shpërblim i madh si shtetas malazias në rast se do t’i bënte katolikët të nënshkruanin, por ai refuzoi, duke thënë se një gjë e tillë nuk duhej zënë në gojë në pallatin e tij. Shumë patriotë të njohur u detyruan të arratiseshin natën dhe të fshiheshin, duke shpëtuar tamam në kohë, sepse të nesërmen vinin ushtarët për t’i arrestuar meqë u kishin thënë njerëzve: “Të mos firmosnin dhe Fuqitë e Mëdha do t’i shpëtonin”. Mali i Zi, gjithashtu, u orvat që t’i ngrinte myslimanët kundër katolikëve. Vendi gëlonte nga spiunët. Asnjë nuk guxonte të fliste.
Unë isha e zënë tërërisht me punën e ndihmës. Erdhën dy ndihmëse mjaft të afta,, zonjusha Bakston dhe zonjusha Robertson, kjo infermiere e kualifikuar. E vetme nuk do t’i kisha bërë ballë punës. Austriakët dhe italianët kishin një anije ndihmash që i priste, por nuk lejoheshin të vepronin derisa të sqarohej situata politike. Prej fshatarëve që zbrisnin nga malësia merrja fasule të thata nga ato që nuk i kishte prekur lufta. Bënim vizita shtëpi më shtëpi gjithë mëngjesin, me ekstrat lëngu mishi dhe me qumësht të kondensuar ushqenim njerëzit që po vdisnin dhe këto i kisha sjellë me vete, ndërsa pasditeve punoja te ambulanca për ata më pak të sëmurë, kurse atyre që po vdisnin urie u shpërndaja racione fasulesh e orizi. Moti u bë shumë i nxehtë dhe puna në kasollet mbytëse e të ndyra, si dhe midis turmës së njerëzve, ishte rraskapitëse. Turma ushtarësh lëvrinin në qytet. Pijetoret ishin mbushur plot. Ishte një kohë me shqetësime. Tregtarët filluan të ankoheshin se ushtarët po i vidhnin. Asnjë gazetë nuk vinte. Takova te ura e Bunës vojvodën Vukotiq, vëllanë e mbretëreshës. “Sa kohë keni që ndodheni këtu?”, më pyeti ai. “Po pres që të shoh hyrjen zyrtare të mbretit”, i thashë unë. Atij nuk i erdhi mirë. “A është caktuar?” e pyeta. “Jo”, m’u përgjigj.
E ndieva vetën më të lumtur. Sidoqoftë, Fuqitë e Mëdha po bënin diçka. Më 3 maj gjeneral Martinoviqi, komandanti ushtarak, u nis me nxitim për në Cetinjë. Ne po rropateshim me masën tonë të të sëmurëve, pjesa më e madhe e të cilëve e mori veten me ushqim të kujdesshëm dhe me pak ilaçe të thjeshta. Erdhi lajmi se më datën 14 admirali britanik dhe përfaqësuesit e të gjitha fuqive të tjera do të merrnin në dorëzim qytetin.
Ishte një gjë tepër e mirë për të qenë e vërtetë. Kisha shpresuar dhe kisha patur frikë për Shkodrën gjatë muajve të vrenjtur të dimrit të gjatë. Dhe tani në të nxehtit e verës së hershme viti i pashpresë po zvarritej dalngadalë. Unë kisha frikë se mos madje në çastin e fundit Fuqitë e Mëdha, për të arritur qëllimet e tyre të veçanta, do të lejonin që kjo popullsi të martirizohej si gjakovarët dhe si popullsia e Gucisë. Më pas mund të ndodhte një masakër e madhe, e tillë si ajo që njoftohej nga Prizreni dhe afër Manastirit.
Në çastin e fundit malazeztë e panë se duhej të largoheshin dhe u hakmorën në mënyrë të poshtër. Qyteti u mbush plot me gra dhe burra malazez dhe besohej se ishin ata që i vunë zjarrin pazarit. Pazari gjithmonë qëndronte i mbyllur natën dhe gati të gjithë tregtarët ktheheshin në shtëpitë e tyre në qytet. Ai patrullohej krejt nga ushtarë malazez. Pak pas mesnate shpërtheu një zjarr në tri pika njëherësh dhe për më tepër nisi në pjesët më të pasura të pazarit. Disa tregtarë që e diktuan zjarrin, u ndaluan nga ushtarët që të jepnin alarmin derisa të merrte mirë. Pastaj u bë e pamundur që të ndaloje flakët, derisa u shkatërrua krejt gjysma e pazarit. Unë shkova për të parë se ç’po ndodhte. Turma e malazezve, oficerë dhe të tjerë, qeshnin me të madhe. Dyqanxhinjtë pranë zjarrit u munduan më kot të shpëtonin mallrat, pjesën më të madhe të të cilave e kishin grabitur malazeztë. Meqë e mohonin me paturpësi se ata ishin fajtorë dhe midis të tjerash, ngarkonin me faj austriakët, unë bëra hetime në Plavnicë e në Podgoricë dhe zbulova se një sasi gjërash të plaçkitura ishin atje dhe njerëzit lëvdoheshin me to.
Nuk mund të vihej në dyshim fajësia e Malit të Zi. Një zjarr i tillë nuk kishte rënë gjatë tridhjetë vjetëve; kjo ishte goditja e fundit që i dërrmoi shumë nga shkodranët e gjorë, të cilët shpresonin se me tregtinë që do të përtërihej, do ta merrnin veten nga humbjet e luftës. Në qytet u hap fjala se malazeztë kishin ndër mend edhe atë ta digjnin natën tjetër. Por nuk besoja se do të guxonin ta bënin këtë. Më 14 maj herët ata filluan të kalonin urën dhe të dilnin nga qyteti.
Ishte një ditë e bukur vere. Lumi shkëlqente nga dielli. Nga larg u duk një benzinatë. Po vinte gjithnjë e më afër. Popullsia kishte përgatitur flamurët shqiptarë dhe dëshironte të hidhte trëndafila në këmbët e nënadmiralit Burnej, por për keqardhjen e tyre më të madhe, i ndaluan të shprehnin gëzimin. Benzinata kaloi nën urën mbi të cilën po kalonin malazeztë në tërheqje. “Shihi ata anglezë trupmëdhenj e të shëndoshë”, tha dikush, duke bërë me shenjë nga marinarët. “Sikur të kishim edhe ne një qeveri që të na ushqente ashtu”.
Benzinata kaloi anës doganës së vjetër. Admiralët zbritën nëpër një dërrasë, u pritën nga disa autoritete malazeze dhe shkuan në qytet. Kishte mbaruar pikëllimi dhe tensioni i gjashtë muajve të gjatë. Shkodra kishte shpëtuar./dita.al/