Përsiatje mbi urimin “Gëzuar, gjithë bashkë” për festat e Nëntorit
Çapajev Gjokutaj
Në festat e Nëntorit gjithnjë më vjen ndër mend urimi i moçëm. ‘Gëzuar’, thoshje ti dhe tjetri ta kthente po me urim: ‘Gjithë bashkë!’.
Përgjigja ‘gjithë bashkë’ përdoret më rrallë sot, më shumë nga të moshuarit se sa nga të rinjtë.
Po qe se gjuha do ndiqte logjikën e fakteve, kjo përgjigje do të duhej të ishte masive, sidomos për festat e Nëntorit. Një varg arsyesh e mbështesin këtë.
Çështja kombëtare shqiptare akoma nuk është zgjidhur tërësisht. Trojet etnike shqiptare janë të ndara në pesë shtete të ndryshme.
Politikanët thonë se trojet amtare do bëhen bashkë në Europën e Bashkuar. Zgjidhje e mundshme, por nuk vjen vetiu, si në ato përrallat me petulla që bien nga qielli.
Duhen shumë punë e mund, që të përshpejtohen proceset integruese, qoftë ato me BE-në, por sidomos ato ndërshqiptare.
Ngjan se këto të fundit janë të tipit ‘shtatë ujë e një oriz’, kanë kjamet retorikë e fare pak hapa konkretë. Përgjumje dembelësh, si në atë këngën ‘seç më fle në hije t’ferrës’.
Urimi ‘gjithë bashkë’ do të bënte sens për festat e nëntorit edhe nga që jemi të ndarë e të shpërndarë në gjithë botën. Një në tre shqiptarë është emigrant. Dhe shumica e të ikurve jetojnë me kokën pas, me mall për njerëzit e për vendin, për festat e për flamurin.
Malli e dashuria kanë qenë e janë. Dhe shyqyr që janë. Por na duhen edhe politika bashkëkohore, që do të lehtësonin ivestimet e emigrantëve në atdhe. Të fitonin ata e të përfitonte dhe vendi.
Na duhen politika e projekte, që do të nxisnin mijëra të rinj të talentuar dhe të shkolluar në universitete prestigjoze të botës, të bashkëpunonin me institucionet amëtare, qoftë edhe në distancë. Se jemi popull i vogël e burimet njerëzore i kemi të pakta.
Urimin ‘gjithë bashkë’ e bëjnë edhe më të domosdoshëm ndarjet e përçarjet që synojnë të mbjellin politikanët. Edhe tek dëshmorët shkojnë veç e veç. Jo po 28-a, jo po 29-a.
Datat e festave i kanë caktuar të zotët e punës, ata që bënë historinë, qoftë më ‘12, qoftë në ‘44.
Politikanët e sotëm bëjnë mirë të zgjidhin hallet e sotme. Dhe, po të kenë këllqe, të përpiqen që ndonjë datë nga e tanishmja të mbetet në histori e të kujtohet nga ata që do të vijnë.
Me sa duket nuk e kanë mësuar akoma se beteja për betejat, që i kanë fituar gjyshërit e stërgjyshërit, bëjnë vetëm kalamajtë, burracakët dhe furracakët.