Albspirit

Media/News/Publishing

“Rrëfej unë, gruaja”, një histori sprovash

Fotografia e Teuta Dhima

Teuta Dhima

 

 

Duket sikur Mimoza Kuchly, i ka paracaktuar gjini rrëfimit të saj duke e titulluar vëllimin me tregime “Rrëfej unë gruaja”. Linja të buta, rrëfim që të lë mbresa për një figuracion të pasur dhe përshkrim të imët në funksion total të përndezjes së fantazisë. Rrëfimi është rrugë e drejtë, pa kthime të thella retrospective dhe kalime në kohë.

Autorja luan herë pas here rrengje të vogla për ta bërë lexuesin pre të kureshtisë dhe këtë e arrin këndshëm, pa të lodhur me situate të pakuptimta dhe mugesa lidhjesh logjike.

Mimoza luan me fjalët zgjuarsisht dhe i përdor ato në momentin e caktuar, për të përftuar situatën.

Tematika e tregimeve të Mimozës është tejet aktuale. Një realitet aq i prekshëm saqë ndërsa lexoja mendoja: – kjo më ka ndodhur edhe mua, po edhe shoqes sime apo motrës. Ngjarjet për të cilat Mimoza rrëfen, me të vërtetë mund t’i kenë ndodhur gjithkujt, por ajo ka marrë guximin t’i rrëfejë dhe i rrëfen ato nga një pozicion solid: “Rrëfej unë gruaja”.

Mimoza rrëfen në vetën e parë, merr përgjegjësinë të përfaqësojë. Të përfaqësojë gruan që vuan për humbjen e një njeriu të shtrenjtë, gruan këtë krijesë delikate, balerinë. Gruan që dashuron të tjerët, por mbi të gjitha ka shumë dashuri për veten. Dashuri kjo që e bën atë të vendosur për zgjedhjet e saj edhe pse në ndonjë cast ndihet e dyzuar dhe, siç thotë autorja: – ku ka dashuri nuk ka mëkat.

Gruaja që “ndeshet” në betejë me cigaren e fundit dhe fiton ajo, në emër të jetës që krijohet Brenda saj.

Gruaja që i rrëfehet pasqyrës dhe “përplaset” mureve të ngushta të këtij komunikimi delikat dhe del fitimtare duke mos e lejuar pasqyrën t’i gjykojë shpirtin, por vetëm fizikun e saj që nuk arrin të riprodhojë.

Gruaja për të cilën Mimoza Kuchly rrëfen, bëhet nënë nga fëmija që nxjerr nga shpirti dhe jo nga trupi i saj. Gruaja që merr testament mirënjohjeje, për dashurinë që përcjell si bijë shpirtërore.

Gruaja, e dashuruara, e tradhtuara, gruaja shoqe dhe mike.Ajo që kalon në etapat e jetës pa iu dridhur syri. Kalon nëpër:

më të ëmblën, dashurinë

më të vështirën ndarjen

më të dhimbshmen lamtumirën

dhe më të bukurën rigjetjen.

Por, në rrëfimin e Mimozës nuk ka vetëm gra protagoniste, ka edhe burra. Figura e tyre del në mënyrë të drejtë përdrejtë ose jo të tillë, nëpërmjet situatave të ndërthurura me aq delikatesë nga autorja. Të gjitha tregimet e Mimozës sjellin një histori të veçantë, por unë do të doja të ndalesha pak tek një tregim në veçanti.

Ai titullohet “Vegimi” dhe nis kështu:Kapakët më rëndonin sikur të ishin bartës të dy copa tullash.

Nëse në tregime te tjera rrëfehet ngapozicioni i një gruaje, në këtë tregim rrëfen në pozicionin e një burri. Ajo jo vetëm që realizon personazhin, por arrin të përshkruajë edhe gjendjen e tij të dyzuar gjatë përjetimit të vegimit. Paralelisht autorja krijon dy persoazhe dhe i vesh me tis magjie: ajo e djalit që tërhiqet nga bukuria e shtojzovalles dhe figura e vajzës së brengosur e cila vajton humbjen e mikut të saj, të cilin e ka vrarë rrufeja në pyll bashkë me të dashurën. Mimoza rrëfen perms vegimit ndaj, i lejohen të gjithë hamendësitë në zgjidhjen e konfliktit. Ishte ditëlindja jonë atë ditë dhe ai nuk duhet të dilte, -thotë vajza e pyllit. Mjafton kaq për t’u krijuar ideja që vajza e bukur si njështojzovalle pylli është vajza e tradhtuar. Përmes një shkallëzimi situatash dhe futjen e dialogut mes dy infermierëve në spital, autorja jep zgjidhjen: ditën kur djali u dogj me të dashurën në pyll, ishte 25 vjetori i tij dhe vajza që vajtonte humbjen ishte motra e tij binjake. Nga përshkrimi përmes vegimit, kalon në realitet. Vajza shtojzovalle është e vërtetë me gjithë dhimbjen e saj dhe është një mjeke, ndërsa personazhi ynë i gjallë dhe i shpëtuar prej saj.

Në pamje të pare të krijohet përshtypja se personazhet e tregimeve të Mimozës nuk pësojnë transformime rrënjesore gjatë rrjedhave të rrëfimit. Kjo është një zgjedhje personale e saj për të mos qenë thjesht një pasqyruese transformimesh. Mimoza lë vend për nënkuptime, transformimi i personazhit nis, ceket në rrëfim dhe zhvillohet në mendjen e lexuesit. Kjo bën që rrëfimi i Mimozës të lërë shije. Një shije të forte që nuk e harronkollaj.

Autoren do ta quaja mjeshtre të detajeve. Ajo përdor përemrat vetorë në disa tituj tregimesh edhe në titullin e vëllimit: Rrëfej Unë gruaja; Unë, ai dhe baleti. Nëpërmjet këtij përdorimi ajo fiton një pozicion tjetër në rrëfim dhe e gjallëron atë. Luan me ngjyrat, të kaltrën e detit, të kuqen përndezëse dhe sensual në funksion të përshkrimt të gjendjes shpirtërore të personazheve të saj.

Në hyrje të çdo tregimi autorja ka përzgjedhur një citat nga mëndjendriturit e kohërave.Janë këto citime si korniza kuptimplotë të rrifimit të saj si një lloj parashtrimi dhe parapërgatitjeje e situates dhe asaj që do të ndodhë më pas. Është strategjike zgjedhja e saj, pasi të grish ta lexosh, të bën kurioz për tëa rritur deri në fund,ku të presin zgjidhje të gjetuara dhe mbresëlënëse.

Askush nuk do të rrëfente më mirë ,më bukur, më hapur se një grua për një grua. Kjo e ka bërë Mimozën të dalë fitimtare në rrëfimet e saj. Të shprehë atë që secila prej nesh mund ta ketë përjetuar e mund t’i ketë ndodhur në të përditshmen e saj, por që nuk ka marrë lapsin për ta hedhur në letër dhe për ta ndarë me mijëra të tjerë për të na sjellë një histori sprovash.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: