Sadik Bejko: Artistë…përtej të gjitha regjimeve dhe kohërave…
Duhet ta falenderojmë Televizionin “Klan” për atë që bëri: një program shumë miqësor, shumë të ngrohtë për kompozitorin Aleksandër Lalo.
E them me shumë forcë: nuk janë përcjellë shumë figura të tjera me një emision kaq të përgatitur profesionalisht dhe me këtë përkushtim humanist, me këtë qasje kulturalisht të një cilësie dlirësisht të pa infektuar nga reklama a nga interesi merkantil.
Në këtë gjithësi të merkantilizmit dhe të hedonizmit, ku si në një batak të pashpresë po përkundemi e po infektohemi, ndalja te një artist si A. Lalo, evidentimi i vlerave të tij intelektuale dhe i vlerave civile, i veseve apo i virtyteve krejt intime, personale, pra i vetive të një qënieje specifike, krejt të papërsëritshme, është një rast i paprecedent në kulturën shqiptare
Sandri Lalo ishte një muzikant i kohës së komunizmit, që doli nga skarkofagu i vdekjes, ashtu si një mumje egjiptiane që mbas mijëra e mijëra vitesh del nga terri i pirmidave, për të provuar se notat, meloditë, idealet miniaturiste të muzikës së tij, janë të afta t’i flasin një kohe si kjo që po e jetojmë.
Mjerisht, erdhi muzika e dikurshme e Lalos. Mjerisht erdhi Sandri (dje e sot) njeri…(shumë mirë), por… Sandri si një artist që nuk i kapërceu më tej kapacitetet e tij…, artist që ndali në paravitet 1990, dhe pse si artist i kishte të gjitha pajisjet për të qenë prapë AI… për të qenë muzikanti e Sandri – artisti i lirë i gjithëkohshëm, artisti njeri….kjo mbetet një pikëpyetje.
Edhe diçka tjetër…
Jam shumë i kanaqur për sa bëhet. E përshëndes Televizionin “Klan”, redaksinë e ‘C’est la vie’… Pandi Laçon etj etj. Se unë e kam njohur Sandrin gati… fëmijë…Punonim të dy në Radio Televizionin Shqiptar më 1972-1973. Ishim të dy autorë të Festivalit të 11-të. Pastaj na dënuan. Na dënuan ne si shumë e shumë artistë të tjerë…këngëtarë, poetë, dramaturgë, regjisorë, piktorë…shumë e shumë…që mos t’i përmendim. Unë shkova në minierën e Memaliajt. Sandri u dënua me vajtje në Kukës.
Këtë, këta të intervistuarit e sotëm, sikur kanë frikë që t’ia përmendin. Mbase se dhe vetë Sandri, nuk donte t’ia përmendnin “dënimin”, e kishte “harruar”.
Sandri në Kukës shkoi si i dënuar politikisht. Ai flinte me gabelët në Kukësin e vjetër se aty (në Kukës) po e pranonin si qytetar të dorës së dytë. Ishte muzikant i mirë, por I trajtuar pa dinjitet, pa strehim… pa një strehë ku të futë kokën. Muzikant kombëtarisht i shquar, por si qytetar i Kukësit… krejt anonim.
Ai para pak javësh foli i revoltuar në funeralin e Françesk Radit se dikur të dy kishin qenë të dënuar politikisht. Franko i degdisur në Pukë, Sandri në Kukës.
Ata mbijetuan. U mbetën kohërave si artistë dhe vdiqën artistë. Unë, në vija të prgjithshme, pak ndryshe, por isha bashkë me ta.
Dhe jam krenar. Jetuan diktaturën dhe post-diktaturën si artistë.
Kjo, as më pak as më shumë, është vlerë njerëzore
Artisti… gjejeni ju që jeni sot…Sandri, Franko, Frederik Reshpja, sa e sa të tjerë, mbeten e vdiqën artistë.
Artistë…përtej të gjitha regjimeve dhe kohërave… Amen.