Trocki vijon të provokojë edhe pas 77 vjetësh
Leon Trocki mbetet ndoshta figura më e polemizuar e shekullit të kaluar dhe më polemizuesja brenda radhëve të socialistëve. Edhe sot, 77 vjet nga vdekja e tij, bolsheviku ukrainas qëndron në radhën e parë të ideologëve që vijojnë të prodhojnë debat dhe dishepuj.
Rasti më i fundit i një debati rreth figurës së tij është gjeneruar nga një serial rus, me emrin e revolucionarit, pra “Trotsky”, shfaqur me rastin e 100 vjetorit të Revolucionit të Tetorit.
Seriali ka tërhequr vëmendjen e World Socialist Web Site, një media online, themeluar dhe administruar nga Komiteti Ndërkombëtar i Internacionales së Katërt, që i kushton një shkrim të posaçëm. Siç mund të merret me mend, temë është saktësia historike e përcjellë në serialin rus, mbi të cilin WSWS ngre pretendime serioze. Madje akuza për shthurje dhe degradim intelektual.
“Asnjë falje nuk mund të ketë për askënd – prodhuesit, skenaristët, aktorët dhe personelin teknik që morën pjesë në këtë përzierje gënjeshtrash, pornografie, antikomunizmi dhe antisemitizmi të pacipë. Ata meritojnë, individualisht dhe kolektivisht, asgjë më shumë sesa përbuzje. Asocimi i tyre me këtë sipërmarrje patologjikisht reaksionare do të përkufizojë karrierën e tyre përgjithnjë…Është një demonstrim i frikës dhe urrejtjes që regjimi rus dhe elita oligarke ka për Revolucionin e Tetorit. Një çerek shekulli pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, regjimi i Putinit – i cili pak a shumë hapur promovoi këtë film dhe mirëpriti transmetimin e tij në “Kanal Pervyi” si një ngjarje zyrtare – nuk lejon asnjë qasje objektive dhe një portretizim objektiv të Revolucionit të Tetorit”, shkruajnë që në hyrje autorët e shkrimit, Fred Williams dhe David North.
Sipas tyre restaurimi i kapitalizmit në Rusi kërkon një narrativë antitrockiste dhe në këtë drejtim, regjimi i Putin nuk i ka lëvizur asgjë portretizimit të Trotskyt nga ajo që është thënë për të nën regjimin e Josif Stalinit. Edhe baneri promovues është parë nën lenten pezhorative: i veshur me të zeza dhe ne syzet që reflektojnë zjarrin, ja Trotsky i idesë së revolicionit permanent sjellë me një ilustrim që për autorët është diabolik.
Nën akuzën e tyre vjen edhe Kisha Ortodokse Ruse, është bashkëideologia e regjimit aktual, pasi ajo ka dhënë “bekimin për portretizimin e Trotskyt si një figurë mefistofeliane demoniake”.
Vetë drejtuesit e filmit sillen në vëmendje për mënyrën sesi është konceptuar prej tyre Trotsky: “Një rockstar por të cilit i mungonte kitara”.
Kështu e ka imagjinuar atë treshja e drejtuesve të filmit me tetë seri, Aleksandr Kott, Konstantin Statskii dhe Oleg Malovichko. Autorët sjellin nën velin e akuzës edhe atë që thotë aktori kryesor: Konstatin Khabensky, i cili e ka luajtur rolin e revolucionarit edhe në një film tjetër: Esenin.
“Trotsky ishte një figurë e tmerrshme me një fat të tmerrshëm. Asgjë nuk më tërheq te Trotsky”; citohet aktori.
“Një rrëfim i falimentimit artistik”, komentojnë Williams dhe North.
Përveç këtij kriminalizimi artistik nëse mund të quhet kështu mbingarkesa me bëma e një jete gjithë ngjarje dhe veprime të jashtëzakonshme, është deformimi historik ai është provokon më shumë. Nuk kanë munguar historianë që kanë vënë re se atribuimi Trockit i vrasjes së Carit është i pavërtetë dhe provokativ. I pavërtetë sepse vrasja e Carit u urdhërua nga Lenini dhe Sverdllovi, provokativ sepse duke qenë Cari një figurë e dashur e Kishës, vendosja e një vrasësi hebre në qendër të narrativës, transformon një ngasje të përgjithshme në emocion negativ dhe ndezës.
http://www.wsws.org/en/articles/2017/11/25/tele-n25.html
Përtej të gjithave, recenca të tilla si kjo e Internacionales ip sigurojnë serialit shikueshmërinë, ndërkohë që rikujtojnë se historia është fushëbetejë aktive sidomos kur ngjarjet e saj thjeshtohen në rolin e një apo disa individëve siç është rasti i Trockit. /respublica/