Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Atdheu si subjekt

 

 

Shpesh fjalën atdhe e përdorim me lehtësinë e një nxënësi fillorist që lakon një emër çfarëdo në të gjitha rasat. Në tekste atdheu shihet si objekt: “Duaje atdhenë si shqiponja folenë” ose “Atdhetar është ai, që e do atdheun edhe kur atdheu i bën padrejtësi.”

Krahas mangësive të tjera tek këto dy thënie, atdheu shihet si i ndarë nga njeriu, diçka si unë (subjekti) dhe atdheu (objekti). Në fakt, për mendimin tim, ky është kënd i gabuar i vështrimit të atdheut. Nëse atdheun do ta shohim si subjekt dhe jo si objekt, atëherë e kemi më të lehtë edhe për të kuptuar se ç’është atdheu. Nëse themi se atdheu fillon tek unë, tek ti, tek ai, tek ajo, atëherë dukuria, nocioni merr substancë, bëhët më konkret (ti, unë, ajo, ai,) si fillesa të atdheut fizik dhe moral njëherësh: ti dhe gjuha shqipe, përrallat e gjyshes, ninullat e kënduara dhe “të mbjella” tek ti nga nëna dhe mund të vijmë në një përfundim që mbetet gjithë jetën në mendjen e secilit: Kur ti shkon në një vend të huaj, e merr atdheun me vete në të dy format, edhe atdheun fizik (ti ), edhe atdheun moral,( gjuhën, mentalitetin, zakonet, këngët, historinë, kulturën etj.) Nëse do ta shohim atdheun si të tillë, atëherë thëniet apo këshillat: “Ta duam atdheun”, “Duaje atdheun” e kanë të zbehur kuptimin.

Vështrimi i atdheut si objekt sikur e zbeh mardhënien individ- atdhe. Tradicionalisht atdheu është parë si objekt dhe jo si subjekt. Naim Frashëri e shikon atdheun pranë, rreth e rrotull tij, por jo tek vetja: O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka / Më je nënë, më je motër, më je vlla./ Edhe Asdreni e shikon atdheun si objekt: Të fala të dërgoj, /këndej ku jam Atdhe, /gjithnjë po të kujtoj,/ se birin tënd më ke./

I njejti këndvështrim ndeshet edhe te Gjergj Fishta: Por nji fushe ma e bleret nuk shtrohet,/ Por nji mal ma bukur s’rri,/ Ma i kulluet nji lum s’dikohet,/ Moj Shqypni, porsi i ke ti./

Në tekstet poetikë të Arshi Pipës dhuna e diktaturës mbi të burgosurit politikë shihet si dhunë mbi atdheun. Në planin semantik kjo justifikohet në radhë të parë me faktin se, duke ushtruar terror mbi qytetarin shqiptar, ky terror është ushtruar mbi atdheun, sepse çdo qytetar i këtij vendi është pjesëz e atdheut: Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi ne / t’atillë një dhunë qi s’banë as Turq as Shqe? / Nga trolli i vendit duel e rrit kjo farë?/ Nji djall e mbolli te nji vend i verbën. /

Në një tekst poetik Trifon Xhagjika, poet i pushkatuar nga diktatura, sheh atë që të tjerët ose nuk e shihnin, ose bënin sikur nuk e shihnin, ose e mbulonin dhe e zbukuronin. Portreti i atdheut në këtë tekst është realist, madje i vizatuar fatalisht si i tillë dhe në perspektivë: Një vend i ëndërrave pa fat / një vend latydësh të tërbuar, / një vend i mendjeve sakate, / me turp kusari mbuluar, / Një vend me fjalë kotësie, / ku vdekja e fshehtë është modë, / ku drita e Diellit u bë hije, / Atdhe i dashur je ti sot./

Bilal Xhaferri në një tekst të tij poetik e sheh atdheun subjektivisht: Vend i vogël/ Kohë e vogël / Rracion i vogël./ Errësirë e madhe/ Frikë e madhe/ Mjerim i madh./ Po ashtu edhe Fatos Arapi e sheh atdheun brenda vetes: atdheu është buka e uritur, /të ikën nga duart e dot nuk e ngop; /endërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur; /me sytë n’errësirë vetveten kérkon. /

Edhe Ali Podrimja e shikon atdheun te vetja: Toka ime digjet / në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar./

Ndërsa Mihal Hanxhari ka një vështrim tejet modern të atdheut: Shpëto o Zot vetëm sytë e fëmijve të Kosovës/ O Zot shpëto ata sy të kaltërt të peshqëve blu/ Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu./

Më kanë mbetur në mendje dy vargje origjinalë të poetit Ilirian Zhupa, i cili e koncepton pak a shumë kështu atdheun: Atdheu im në grykë si komb / as të gëlltis, as të vjell dot/.

Dikush me guxim thotë se atdheu është zhgualli i breshkës, që nuk na lë të largohemi larg lëndinës (atdheut) dhe na mbron sa herë rrezikohemi të na godasin ( shpesh nacionalizmi, korraca e breshkës, është strehë e sigurtë.)

Po pyetjeve se nëse atdheun fizik ( malet, fushat, kodrat, bregdetin, fabrikat, shitoret i privatizuan (ose i grabitën me ligj), atëherë ku është atdheu im? Mos mbeta pa atdhe?! Mos duhet të iki nga sytë këmbët në kërkim të një atdheu tjetër?! Me një gjysëm zëri mund të përgjigjemi se nëse u grabit atdheu fizik, atdheun moral nuk na e grabisin dot: gjuhën, ninullat, përrallat, këngët, historinë, zakonet, traditat mund t’i deformojnë, por nuk mund t’i privatizojnë.

Për atdheun gjatë viteve kemi lexuar tekste që përcillnin dy lloje dashurish: dashuri romantike dhe dashuri inteklektuale. Dashurinë romantike e takojmë te poetët tanë të Rilindjes dhe tek poetët e socrealizmit.. Aty atdheu vizatohet siç duhet të jetë, jo siç është. Tek të parët për arsye patriotike, ndërsa tek të dytët nga frika ose për arsye ideologjike.

Një ndër atdhetarët që e ka dashur atdheun me një dashuri intelektuale të pashterrshme është Faik Konica. Ai e shihte Shqipërinë siç ishte, por falë kulturës së thellë dhe shpirtit të tij kritik kërkonte dhe e gjente Shqipërinë e vërtetë në thellësi të shekujve dhe tek vetja, atë të papluhurosurën nga shekujt, të padeformuar nga pushtimet dhe qytetërimi i huaj. Si njohës i thellë i identitetit shqiptar të kahershëm, si një njeri me identitet të spikatur atdhetar, ishte buzëplasur nga identiteti i cënuar i shqiptarit dhe i identiteti i deformuar i atdheut. E vetmja “e metë” e Faik Konicës ishte se ai shihte atë që të tjerët nuk ishin të aftë ta shihnin: shqiptarin e dikurshëm europian pa shtresimit e pluhurave të huaj mbi kryet e tij dhe shqiptarin e fillimshekullit XX, i mbështjellë me lëvozhgat e kulturave apo qytetërime të huaja.

Ndërsa poeti Lasgush Poradeci e zbulon atdheun tek gjuha dhe e rikrijon atë mrekullisht prej gjuhe.

Vështrimi kritik i vetes (atdheut) sot nuk është mungesë atdhedashurie apo nihilizëm, por dashuri e vërtetë për këtë vend dhe këta njerëz që duhet të bëhen çdo ditë më të mirë. Dallimi i mangësive, dobësive të atdheut te vetja është hap i madh qytetërues për të ndryshuar këtë vend.

Dashuria për atdheun nuk vjetërohet, nuk ndryshket kurrë, nuk del kurrë nga moda. Dashuria për atdheun është respekt për veten dhe ruajtje identiteti. Kurrsesi nuk mund të jesh qytetar i Botës, qytetar i Europës pa patur një identitet kombëtar.

Ne këtë ditë feste, ku ka mjaft fjalime dhe patetizëm, ndoshta do të ishte më e udhës, që t’i lëmë mënjanë patetizmat dhe të shkojmë diku te kodrat e lëna pasdore të Beratit dhe të mbjellim një rrënjë ulliri. Ky veprim do të ishte vërtetë gjest i vyer, vendit do t’i shtonim diçka.

 

Please follow and like us: