Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Ikonomi: Në kujtim të Ismail Qemalit

Këto dy foto i bëra para pak javësh në lagjen e vjetër Galata të Stambollit. Bëhet fjalë për hotelin “Pera Palace”, një ndërtesë e stilit klasik evropian ku kanë bujtur me dhjetëra njerëz të famshëm të botës.  Kisha dëshirë ta shihja këtë hotel, sepse prej aty nisi udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

“Pera Palace” edhe sot ruan sharmin e tij të vjetër. Dera e ashensorit kryesor me lakimet e befta të hekurit të rrahur ishte përsëri aty, ashtu siç kishte qenë në kohën kur Ismail Qemali qëndronte ulur në hollin e vogël të hotelit.

Ky 68-vjeçar, të cilin turqit e quanin Avlonyali Ismail Kemal bej, për mua, ashtu si për shumë të tjerë, mbetet njeriu më i famshëm që ka bujtur ndonjëherë në këtë hotel.

Në “Pera Palace” shihje shpesh ato ditë të vitit 1912 një francez të shëndoshë, me flokë të zinj, të ndarë në mes dhe me mustaqe të trasha. Ai ishte kryeredaktor i së përditshmes Le Matin, një prej gazetave më të njohura të botës dhe kishte ardhur nga Parisi për të mbuluar ngjarjet në Stamboll. Lauzanne njihej personalisht me Ismail bej Vlorën.

Ndonjëherë mbrëmjeve, Ismaili i afrohej gazetarit dhe e pyeste fare shkurt:

“Ndonjë të re?”

Lauzanne i tregonte për humbjet dhe fitoret. Herë-herë, Ismaili shprehte kënaqësi dhe thoshte vetëm kaq: “Sa mirë!” Në fytyrë nuk i shfaqej ndonjë emocion kushedi çfarë, pavarësisht se kush kishte humbur dhe kush kishte fituar. “Sa mirë!” përsëriste.

Një ditë gazetari e pyeti: “Si ka mundësi që për ju është njëlloj mirë, si atëherë kur turqit fitojnë ashtu edhe kur ata munden? Ismaili vuri buzën në gaz si rrallë ndonjëherë dhe me fjalë të qarta e të matura, tha: “Eshtë mirë, sepse cilido qoftë fitimtari ose i munduri, ka ardhur ora që unë kam pritur gjithë jetën dhe që populli im ka pritur me shekuj: ora kur Shqipëria më në fund do të heqë zgjedhën dhe do të bëhet shtet i pavarur.”

Stéphane Lauzanne, fatmirësisht ka fiksuar në një shkrim të tij skenën e largimit të Ismailit nga Stambolli për të shkuar në Shqipëri.

Një mëngjes, tregon ai, takova Ismail Qemalin, i cili po nisej me një torbë në dorë. Ishte e shtunë, 2 nëntor.

“Ku po shkoni kështu? – e pyeta.

“Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri,” – tha.

Ismaili dhe njerëzit e tij do të niseshin me anijen rumune Regele Carol, që bënte rregullisht rrugën Stamboll-Konstancë. Anija mbante emrin e mbretit të Rumanisë, me të cilin Ismaili ishte njohur dekada më parë.

Me të njëjtën anije do të niseshin edhe Nabi beu, ambasadori i Turqisë në Itali dhe Hilmi pasha, ambasadori në Austri. I pari shkonte për të vulosur paqen përfundimtare me Romën, pas humbjes së perandorisë në luftën për Tripolin. Tjetri do të bisedonte me Vjenën dhe do të kërkonte ndërhyrjen e fuqive për t’i dhënë fund përparimit të ushtrive ballkanike. Të dy negociatorët kishin me vete valixhe të mëdha, kujton Lauzanne. Por bagazhi më i rëndë për nga shpresat dhe nga vendosmëria ishte ai brenda torbës së vogël të Ismail Qemalit.

Please follow and like us: