Kyçyku vjen me një roman (edhe) për flijimet e prindërve
Fjalia që të godet që në krye është kjo: “Ati ishte aq i pamëkat, sa nganjëherë të vinte ta vrisje”. Duke u shprehur mbi këtë krijimtari, menjëherë pas botimit të veprës në nëntor 2017, autori ndalet të tregojë se kjo fjali e ndalonte të bënte ndryshime në roman gjatë 14 vjetëve, që kur libri filloi të ngjizet e të shkruhej në kujtesën e autorit.
Vepra letrare më e fundme e shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku, publikuar pak ditë më parë nga Botimet Poeteka, vjen si një himn kushtuar prindërve, flijimeve të tyre të pafundme dhe heshtjes së përkorë që shoqëroi, përkushtimit që jo gjithmonë u shndërrua në mirënjohje dhe keqkuptimeve të shumta me shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë.
Romani “Ati” rimerr nga një këndvështrim tjetër temën e gjak/hakmarrjes. Çdo marrëdhënie mes brezave ka brenda të paktën një etje për hakmarrje. Përtej çdo loje fjalësh, mund të flitet për një gjakdhënie që zgjon hakmarrjen dhe për një hakdhënie që çuditërisht ndjell, ose sjell gjakrrjedhje. Secili brez e ndjen veten të përligjur të hakmerret ndaj brezit paraardhës, gjoja në emër të brezit pasardhës, dhe kësisoj dëmton tre breza. Kjo edhe ngaqë ende jetojmë brenda një historie, ku të ashtuquajturat “ide shpëtimtare” helmojnë gati çdo lidhje gjaku, por edhe anasjelltas: kriteri biologjik i përzgjedhjes, sidomos në fushën e dhuntive, u ndryshon kahun ideve të mira.
Fjalia që të godet që në krye është kjo: “Ati ishte aq i pamëkat, sa nganjëherë të vinte ta vrisje”. Duke u shprehur mbi këtë krijimtari, menjëherë pas botimit të veprës në nëntor 2017, autori ndalet të tregojë se kjo fjali e ndalonte të bënte ndryshime në roman gjatë 14 vjetëve, që kur libri filloi të ngjizet e të shkruhej në kujtesën e autorit. “Librin kam vazhduar ta shkruaj qysh nga shkurti i 2003-shit, por vetëm në kokë. Mbeti një libër që shkruhej pa duar, në kujtesën time dhe në mosnjohjen e lexuesit”, shton autori. Gjatë çdo ‘ndërhyrjeje’ në roman, autorit i vegohej bindja se sa pak ishte shkruar për flijimet dhe pamundësitë e prindërve dhe sa shumë për gabimet apo mangësitë e tyre. Kur gjykojmë paraardhësit, asnjëherë nuk mbajmë parasysh kushtet shpirtërore, por vetëm ato historike.
E folmja e personazheve në roman është qëllimisht ‘e shkartisur’, me përngjitje disi shqetësuese nga të dyja dialektet dhe nga të gjitha të folmet, edhe si shprehi e përçarjes së pashpallur që sundon shoqërinë e sotme, e një shqipeje përherë në kapërcyell, por edhe si pasqyrë e paragjykimeve të vetë lexuesit.
Shumica e ngjarjeve dhe hollësive rrjedhin nga kjo histori, ku diktatura e një ideologjie mori trajtat e një diktature mbi vetë fatin njerëzor dhe e fatit mbi vetë njeriun. Kur ideologjitë çojnë vetëm në utopi, – duke u shndërruar rëndom në masakra të shumëfishta, – aq sa njeriu të kënaqet me sa më pak dhe të mos ngopet me asgjë, dhe kur për pjesën tjetër të jetës shkruhet një letërsi mashtruese. “Ati”, rrëfen autori, më ndihmoi të shoh gjëra që dihen e nuk shkruhen dhe anasjelltas. Se shpesh aty ku jeta duket e padurueshme, dendësia e përjetimeve, e pyetjeve pa përgjigje, është një lloj mrekullie.
“Është shkruar shumë pak edhe për: vetëmohimin e babait, heshtjen e papërkthyeshme të nënës, vetminë e secilit prind më vete dhe së bashku, për mënyrat si shpërblehen vuajtjet e tyre gjer edhe kur çdo shpërblim duket si vuajtje e shtuar”, thekson në shënimet e veta përcjellëse rreth librit shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku.
Bio
Ardian Kyçyku (pseudonime letrare Adrian –Christian Kyçyku/Kuciuk) është autor i 45 librave origjinalë në gjuhët shqip e rumanisht, i cili ka kryer studimet e larta në Universitetin shtetëror të Tiranës, fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega gjuhë-letërsi. Kyçyku është doktor i shkencave filologjike, doktorant në teologji dhe profesor universiteti. Ai është anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, rektor i Universitetit “Gheorge Cristea” të Bukureshtit. Nga viti 1998 ai u bë bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus si edhe bashkëthemelues dhe President i European Academy of Performing Arts (2013). Për krijimtarinë letrare dhe artistike Kyçyku është vlerësuar me çmimin kombëtar të letërsisë “Penda e Argjendtë”, për tregim (2012) etj. Krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.