Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Idrizllari: Një ditë për të reflektuar mbi Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare

 

 

Sot është një ditë për të reflektuar mbi Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare dhe gjakun e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore. Nuk ka rëndësi nëse i huaji i fundit pushtues u largua në 28 apo 29 Nëntor. Ka rëndësi të kuptojmë motivin thelbësor të kësaj rezistence dhe tradhëtisë që ju bë idealit të saj.

Shqipëria u çlirua nga pushtuesit, por më pas shqiptarët filluan luftën vëllavrasëse. Ish luftëtarët e kësaj Lëvizjeje Çlirimtare prodhuan luftën më të egër civile ndaj popullit të tyre. Duke e transformuar vendin e çliruar në një bunker gjigand izolues ndaj botës. Luftuan me aq zjarr për lirinë, por më pas e burgosën në diktaturën më të tmerrshme të njerëzimit. Ushqyen luftën vëllavrasëse nëpërmjet spiunimit, linçimit, nënshtrimit. Mbollën frikën, përçarjen, ndarjet, armiqësinë.

Fitoren Çlirimtare Kombëtare e përdorën vetëm si një trofe për të instaluar pushtetin e tyre gjakatar, shumë i ngjashëm me atë fashist kundra të cilit kishin luftuar dhe që shumë shqiptarë flijuan jetën. Përça e Sundo – kjo u bë alternativa pas luftës! Kështu përfundoi ideali i Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare. Dhe fatkeqësisht akoma sot vazhdon të luhet e njëjta alternative, por në një tjetër dimension, në formën e revanshit partiak.

Shqiptarët edhe 2017-ta i gjen më të ndarë se asnjëherë në skalione partiake vëllavrasëse. Akoma duke debatuar mbi klishenë e argumentit historik: në 28, apo 29 u largua pushtuesi i fundit? E ndërsa me ish pushtuesit realisht jetojmë në paqe si popuj miq, mes njeri-tjetrit nuk e kemi gjetur kurrë paqen. Një tragjikomedi që të bën të qash dhe të qeshësh njëkohësisht. E prodhuar nga një politikë sa e hidhur aq edhe qesharake. Zoti i ndihmoftë shqiptarët!

Please follow and like us: