Albspirit

Media/News/Publishing

Herodoti në shqip nga Aleko Minga

Robert Thomanikaj

Prej dy-tre vjetësh Herodoti na flet edhe shqip, përmes përkthyesit Aleko Minga. Ndonëse nuk ka njeri që mos ta njohë babain e historisë, ai erdhi në gjuhën tonë pa bujë e zhurmë, a thua se i vinte turp që ishte vonuar. Ndonjë njoftim i rallë në shtyp, (e ndoshta edhe në ndonjë TV, -çfarë nuk e di), mbi botimin e Historive të tij, fleksoi vetëtimthi pa lënë gjurmë, gati po kështu edhe ndonjë shkrim aty-këtu tek ndonjë gazetë dhe faqe interneti. Për të ardhur keq!

Është për të ardhur keq se, ndërsa 20 vjetët e fundit (1995-2015) masturbimi turbo-folkloristik –siç e kanë quajtur disa– i patriotëve tanë (në thonjza) kishte cituar papushim Herodotin, në provë të tezave të tyre të babait-popull shqiptar dhe mëmës-gjuhë shqipe në globin tonë, (pse jo edhe në galaksinë tonë), tani që nëntë historitë klasike u erdhën atyre në shqip, ky libër kaq i rëndësishëm u kaloi atyre përpara syve pa ndjerë e pa lënë gjurmë, -helbete, ata kanë mbaruar punë me Herodotin! Ca më tepër është për të ardhur keq se, përveç nja dy shkrimeve mbi këtë përkthim të Herodotit në shqip, që më kanë zën sytë deri më tani, edhe shtypi zyrtar dhe historianët e vendit nuk gjetën pakëz kohë t’ia bënin këtë përkthim të ditur publikut shqiptar me ndonjë shkrim të tyre, -helbete, probleme madhore të riorganizimit strukturor (kupto: luftë për poste) së Akademisë u kanë ngrënë atyre kohën! Dhe i vë vulën kësaj keqardhje mosgjetja e librit në thuajse të gjitha libraritë dhe bibliotekat e vendit, përfshi këtu edhe bibliotekat e shkollave, gjithashtu ky libër nuk është as në programet e historisë së shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, dyshoj edhe për shkollat e larta, dega histori, –gjithkund ku babai i historisë duhej të zinte vend, nuk njihet fare; ai mund të gjindet vetëm tek libraria e firmës së tregëtimit të librave “Adrion”, tek Pallati i Kulturës, si dhe në Bibl. Komb. në Tiranë, po tek Pall. Kul., por tek kjo e fundit do të keni shumë vështirsi për ta gjetur librin tek skedarët onlajn!

Herodoti i Halikarnasit paraqit këtu kërkimet e tij, që bëmave të njerëzve të mos u fashitet kujtimi me kohën,…” –nis libri i tij. Ashtu qoftë, -le ti premtojmë edhe ne në shqip historianit tonë helen të paharruar, përmes kësaj pune gjigante të Aleko Mingës. Dhe besoj se tregimet e tij do të gjejnë –në mos sot– nesër e pasnesër jehonë në shqipen e bukur, një gjuhë kjo jo shumë larg asaj që fliste edhe vetë autori i larguar nga kjo jetë rreth 2400 vjet më parë. Një gjuhë tërheqëse e autorit, një gjuhë e thjeshtë dhe e rrjedhshme e përkthyesit të tij, të mbajnë ngjitur pas librit. E biles, të bëjnë tu kthehesh mbrapsh faqeve të lexuara, për të rizbuluar edhe një herë ngjarjet dhe personat historikë, pse jo edhe simbolikat e fshehura pas tyre. E pas këtij rizbulimi të duket se je dhe ti vetë aty brenda atyre ngjarjeve, apo më e pakta, ato ngjarje të sillen dhe përzihen me ngjarjet e kohrave të sotme. Si në një labirinth pasqyrash, si në ëndrra hyjnore, apo siç i thonë në kohët e sotme “moderne”, si në një deja vu!

Libri ka 609 e faqe, me gjithë parathënien e shkruar po nga vetë sjellësi i këtij libri në shqip, me gjithë disa harta të kohrave antike, me gjithë shënimet sqaruese dhe treguesin e emrave dhe vendeve. Pra, vetëm 9 historitë e Herodotit zenë aty tek rreth 530 faqe, çfarë na le të kuptojmë se shënimet dhe treguesi i emrave dhe vendeve –me ato 55 faqe të tyre –zenë një vend të vogël në librin shqip. E sidomos ato vetëm 28 faqe shënimesh (sqaruese) ta zvoglojnë diapazonin kërkues e qartësues, –sidomos atyre lexuesve që pak dhe aspak njohin nga historitë e lashta dhe antike. Në gjuhët e tjera, (ato kryesore të Europës), këto shënime sqaruese dhe treguesi i emrave tek ky libër zenë dy deri në trefishin e këtyre në shqip. Nuk e di përse përkthyesi ynë ka ardhur paksa i kursyer në këto shënime sqaruese! Ndoshta edhe janë hequr disa për të shkurtuar vendin! Ani paçka, do të thoja (në dialektin verior), e biles, po të kemi parasysh që është botimi i parë në shqip i këtij libri, këto shënime dhe tregues emrash janë njëher për njëher mjaftueshëm. Në një botim të dytë, padiskutim që këto duhet të zenë një vend më të gjërë, sidomos shënimet (sqaruese), çfarë një kualitet letre më i mirë mund ta mundësojë këtë edhe teknikisht, duke e nxjerrë librin edhe më të hollë nga botimi i parë.

Mendoj, se në një botim të dytë do të kemi nga përkthyesi edhe sqarimin klasik të përkthimeve, –çfarë botimit të parë i mungon (!?)– atë se nga cila gjuhë është i përkthyer libri! (Mendoj se Aleko Minga do jetë bazuar tek ndonjë botim italisht apo anglisht.) Aq më tepër, siç mendoj, përkthimi i klasikve antikë nuk duhet të ketë të drejtë përkthimi dhe botimi, pra leje të veçantë. E aq më tepër, që në mbështetjen financiare të këtij botimi –siç sqaron libri në fillim– është pjesërisht edhe Min. Kult.! Po nejse, një lexuesi të ditur për dije, këto çingërima pak i tërheqin vëmëndjen.

E rëndësishme është që në një botim të dytë të riparohen disa lapsuse të vogla, disa prej të cilave po i përmënd, si dhe dhjetra gabime gramatikore, të cilat nuk po i përmend, pasi cilido lexues i dallon menjëherë; disa nga këto lapsuse janë p.sh. ajo e emrit të tiranit të Korinthit, Kipselit, që jepet në ndonjë rast jo-korekt, në versionin latin, Cipselit (I/23), apo tek përgjigjia e orakullit drejtuar Krezit (I/55), në vend të: “Kur mbret i persianve të bëhet një mushkë”, duhet “kur mbret i medërve të bëhet një mushkë”, (medët/ madianët ngatërrohen edhe në një vend tjetër (III/136) me persët, ku në fakt flitet për anije mediane dhe jo perse; nuk e besoj se këto gabime na vijnë nga Herodoti), apo ngatërrohet Harpagu me Astiagun (I/129), “… kur ai, Harpagu, e kish gostitur Astiagun me mishin e të birit …”, kur në fakt ishte Astiagu që e kish gostitur Harpagun me mishin e birit të vet (Harpagut), apo tek sa përmenden të tërë helenët (I/143) me fjalët “kombi helen”, do të ishte më e saktë të përdorej nga përkthyesi ynë termi “populli helen”, pasi fjala “komb” është jo vetëm e re, pra e një periudhe mjaft të vonë, por ky term (përcaktim/ definim) ka kritere më specifike se sa termi “popull”; mbi toponimet do ti kërkoja përkthyesit ca më tepër kujdes, pasi herë-herë ato janë shqiptarizuar më së tepërmi, apo edhe përshtatur kohës së sotme, duket për t’ia bërë lexuesit më të thjeshtë në të kuptuar ngjarjet. Lexuesi, që pak e njeh historinë antike, duhet të mësohet edhe me termat “Ellada”, “Ellas”, në vend të “Greqi” dhe “grek”, që na jep përkthyesi, pasi flitet për atë Elladë të asaj kohe dhe jo për atë Greqi të shekujve V deri XIX. Ky thjeshtësim i përkthyesit në shumë emra vendesh dhe qytetesh, ka bërë që ai të parakalojë pa u ndalur në ndonjë pasazh mjaft të rëndësishëm, si ai (II/114) kur flitet për ngjarjen e Helenës dhe Parisit, treguar kjo nga priftërinjtë egjyptianë. Këtu vërtet bëhet fjalë për trojanin Paris të sapo larguar nga Ellada, por Herodoti na e jep me një emërtim tjetër, Teukrer (≈ Thëjkrer), emërtim ky që i ka futur historianët dhe gjuhëtarët në diskutime të mëdha, pasi ky lloj emërtimi ka –sipas disa studjuesve– kuptimin “kok turku”, pra të njeriut që e ha kot, ndërkohë që ngatërresat e historisë së Helenës duhet të jenë ku e ku më të thella. Këto “çingërima” duhen patur kujdes, (siç thotë llafi i urtë: pas gjëmushës së vogël fshihet lepuri i madh), sepse na kujtojnë një shprehje mjaft të vjetër shqiptare, sinonime kjo e shprehjes “kok-turku”, që është ajo “thi-krer”; pra të mos çuditemi që Herodoti ka përdorur këtë pararendëse të shqipes së sotme, thikrer (kok-bagëtije). Po nejse, ky është një poblem tjetër, që e përmenda sa për të ndezur paksa kureshtjen.

Këtu, në historinë e dytë (II) të librit, dua të sqaroj se gabimi i radhës, ai i vendosjes në fund të faqes (f.143) së dy shënimeve sqaruese 64 dhe 65, në vend që t’i vendosë ato në fund të librit, ku gjenden edhe shënimet e tjera sqaruese, ka bërë që numrat e këtyre shënimeve sqaruese në fund të librit të mos korrespondojnë me numrat që janë vendosur gjatë faqeve të mëtejshme të kapitullit II. Ky gabim duhet ndrequr në një ribotim.

Nganjëherë edhe një mohuese e thjeshtë e vendosur gabim, mund ta çkapërthis tërësisht kuptimin e tregimit. Kështu, tek (III/138) historia e persianve në Itali (f.222), tek shprehja: “… sipas tij kjo qe sepse knidianët nuk kishin mardhënie të mira me tarentinët, …” na çorodit së tepërmi, pasi në fakt tarentini Gilo donte të kthehej në Tarentin (prej nga ishte i përzënë) i shoqëruar prej disa knidianve, për faktin se këta kishin marrdhënie të mira me tarantinasit.

Ka edhe të tjera lapsuse, por ato nuk ia humbin kuptimin librit, sidomos një syri të vëmëndshëm, por sidoqoftë duhet të riparohen në një botim të dytë; errare humanum est – gabimi është njerëzor, thonë romakët, gabimet për njerëzit janë, thonë shqiptarët. Puna e përkthimit është më e vështirë se ajo e krijimit, përmendet sa herë, dhe kjo është e vërtetë. Ndaj përkthyesi i Herodotit duhet falenderuar me gjithë zemër për këtë punë gjigande të tij. E biles inkurajuar të na sjellë me radhë, Thukiditin, Tacitin, Diodorin e Siçilisë, Apollidorin (ato pak që janë mbledhur prej tij), Diogjen Laertin, Apianin dhe Arrianin, pse jo edhe dy librat e Gaj Jul Çezarit, (ndonëse njëri prej tyre është i përkthyer në shqip këtu e 70-80 vjet më parë –në mos gaboj), e sa e sa historianë të kohrave antike dhe pas-antike ka, të cilët gjinden të përkthyer në thuajse të gjitha gjuhët europiane, por jo atë shqipe! Sa keq! Të humbësh nga brezi në brez atë dije të lashtë e antike, që pjesërisht na është transmetuar deri më tani përmes aforizmave dhe shprehjeve popullore, përmes mënyrës së jetesës, e cila –dhe kjo e fundit– po unifikohet me atë moderne (mediatike) botërore. Ndaj, sa më shpejt e fuqishëm duhet ndihmuar në përkthimin e kësaj dijeje në humbje e sipër, ndonëse me vonesë, më parë nga ana e shtetit përmes subvensionimit në përkthime librash klasikë filozofikë e historikë, një investicion ky me vlerë in perpetuum (të përjetshme), sepse dija është fuqi, thotë llafi i urtë, jo në kuptimin e sundimit dhe përfitimit të njëanshëm, por atë të afrimit të popujve tanë ballkanikë e europianë, siç thotë edhe historiani ynë unik, “aty ku hyn dija nuk hyn grindja”.

Please follow and like us: