Këshillon Dr. Adem Harxhi: Merreni seksin lehtë dhe pa stres…
Prishja parakohe quhet ndryshe ejakulacioni prematur. Kjo ndodh në mënyrë të pavullnetshme, para penetrimit, ose menjëherë pasi bëhet penetrimi në vaginën e partneres.
Nga kjo vështirësi seksuale, vuajnë rreth 1/3 e burrave nën 25 vjeç dhe rreth 10 përqind e burrave mbi 25 vjeç. Shkaqet më të përgjithshme të ejakulacionit premature janë tre:
a-Eksitimi i madh seksual
b-Ankthi për performancën seksuale
c-Stresi
Refleksi i ejakulacionit është vështirë të kontrollohet në mënyrë perfekte.
Ata që janë të aftë ta kontrollojnë, gëzojnë nivel të lartë të eksitimit seksual dhe e zgjedhin kohën se kur duhet të ejakulojnë.
Jo rrallë, prishja parakohe është një refleks i kondicionuar, i krijuar nga eksperiencat e para seksuale, të kryera në situata që kërkonin ejakulacion të shpejtë (marrëdhënie seksuale në vende ku ke frikë se të diktojnë, e të tjera të ngjashme).
Por ky refleks, mund të përforcohet edhe kur prishjen e shpejtë ta ka kërkuar partnerja, në marrëdhëniet e para seksuale (marrëdhënie të shpejta me një prostitutë e cila nuk ka kohë të merret shumë me një djalë të ri), kjo ndodh edhe kur djemtë që fillojnë të masturbojnë e kryejnë këtë akt shpejt e shpejt.
Këto lloj marrëdhëniesh me prishje të parakohshme, mund të bëhen një zakon që vazhdon edhe më vonë.
Një arsye tjetër, që çon në ejakulacionin para kohe është dhe ajo, kur djalit i mungon ndjenja që paralajmëron prishjen. Ai hyn pa paralajmërim në fazën nga ku procesi nuk kthehet dot mbrapa dhe ejakulacioni nuk përmbahet.
Duhet të dini, se janë shumë burra që vuajnë nga prishja para kohe. Madje të gjithë burrat do të dëshironin ta zgjatnin kohën e ejakulacionit. Por, mos u mërzitni. Ju mund ta rregulloni këtë problem.
Unë e kuptoj që ejakulacioni para kohe shqetëson burrin po aq sa edhe gruan. Ai shkakton ankth, ndjenjë turpi dhe ndonjëherë edhe terror. Kur shfaqen këto ndjenja negative, bëjnë që ndonjëherë të errësohet edhe gjykimi.
Shumica e burrave, gjatë jetës, provojnë probleme seksuale të ndryshme. Por, duhet të dini, se për të gjitha këto probleme ka zgjidhje, po qe se dëshironi dhe kërkoni ndihmë.
E para gjë që duhet të bëjë një burrë që vuan nga ejakulacioni i hershëm, është të fokusohet në vlerat e tij si partner dhe si njeri. Ta tregojë veten se është një burrë me vlera. Të tregojë se për të nuk ka aq shumë rëndësi si punon penisi, por si sillet në tërësi.
Vetëm, kur do të arrini të ndjeheni mirë me njëri-tjetrin, ju do të jeni në gjendje të funksiononi mirë edhe seksualisht.
Kur filloni lojën seksuale, mos shkoni menjëherë tek penetrimi. Fokusohuni në aktivitete të tjera (prekja, përkëdhelja, puthjet) dhe pasi të ndjeheni mirë me njëri-tjetrin, filloni penetrimin.
Mundohuni t’i shpjegoni partneres se kjo mund të ndodhë, për sa kohë ju nuk jeni mësuar dhe nuk ndjeheni komfort me njëri-tjetrin.
Ushtrimet e Kegelit për forcimin e muskulaturës së perineumit, ndihmojnë shumë.
Provoni të bëni seks ngadalë, mos nxitoni për interkursën.
Kundër prishjes para kohe përdoren edhe barna. Anestezikët lokalë, si lidokaina, në kokën e penisit, ndihmojnë. Përdorimi i kondomit mund të ndihmojë, ndonëse, ka djem që prishen edhe duke vendosur kondomin.
Përdorimi i barnave kundër depresionit si Prozaku, Zolofti e të tjerë, gjithashtu, ndihmojnë. Por këto barna duhet të rekomandohen nga mjeku dhe të merren në doza të vogla.
Paçi fat të mirë dhe merreni ngadalë!