Ruben Avxhiu: Dita pa lajme
Në 18 prill 1930, drejtuesi i emisionit të lajmeve të mbrëmjes, deklaroi thjesht, se nuk kishte asnjë lajm. Për 15 minutat vijuese, BBC transmetoi muzikë pianoje.
Pas mbarimit të emisionit, BBC riktheu lidhjen me drejtpërdrejt me “Queen’s Hall” në Langham Place, Londër ku po luhej opera “Parsifal” e Vagnerit.
Është vështirë të imagjinosh sot, “një ditë pa lajme”. Janë kthyer në drogë për shumë prej nesh. Etja për to i bën njerëzit që të klikojnë mbi gjithëfarësoj titujsh pavarësisht sesa i panjohur apo i pabesueshëm burimi, mjafton që t’u zgjojë kurreshtinë, t’ua kënaqë preferencat apo t’ua përforcojë pikëpamjet e çimentuara.
Që ta perifrazojmë Ajnshtajnin: dy gjëra nuk kanë fund, Universi dhe Nevoja e Pangopshme e njerëzve që të vërtetojnë se pikëpamjet e tyre janë të drejta. Dhe nuk jam shumë i sigurtë për të parin.
Kjo nevojë ushqen sot atë që ka mbetur nga industria e medias. Informimi nuk është më misioni kryesor. Në krye është ngritur sigurimi i lexuesve se nuk janë të gabuar në preferencat dhe fantazitë e tyre. Me pak fat, këto të fundit nganjëherë përputhen me realitetin dhe të drejtën. Nëse jo, media që ende dëshiron të ruajë një lloj serioziteti merr fatin në duar dhe guxon të sfidojë sadopak bindjet e publikut të saj. Nganjëherë e shpërblyer me urrejtje, inat, fyerje e kërcënime. Për të mos thënë duke bërë një hap më përpara drejt falimentimit të pashangshëm.
Në këto kushte, nuk është çudi që lajmet mbeten shabllone, që burimet e ndryshme bëjnë paqe të heshtur me kopjimin në masë të materialeve, duke preferuar grumbullimin në grupet e ndara të publikut sipas pikëpamjeve politike e kulturore e nganjëherë edhe kombëtare e fetare.
Askush prej nesh nuk do të guxonte të deklaronte se dita nuk ka pasur lajme e të kalonte lidhjen te muzika klasike. Kjo jo vetëm për shkak të profesionizmit po edhe të realitetit, në të cilin publiku thjesht do të kalojë te një burim tjetër i medias për kërkuar drogën e ditës.
Sot edhe një fotografi në instagram e një modeleje të vetëshpallur në Instagram përbën “lajm”. Edhe një koment idiot prej një vizitori për fotografinë. Edhe përgjigjia për të nga një tjetër askush. Në vend të tastave të pianos, muzika e ditëve tona është ajo e klikimeve mbi uebsajte, fotografi instagrami, poste fejsbuku etj. Klik-klik-klik për të siguruar se ekziston.
Ndoshta ajo ditë pa lajme e prillit të vitit 1930 do t’i dukej tmerrësisht e gjatë dhe mërzitshme njeriut të ditëve tona. Ashtu si spktatorit të BBC-së të asaj kohe do t’i dukeshim si njerëz të marrë, si minj të droguar në një eksperiment laboratorik, tërë kohën në kërkim të një ngjarjeje, gjithë kohën të skandalizuar, të ofenduar, të përligjur moralisht, të falenderuar e të komplimentuar, oreçast duke lënë përshtypje të mira e duke u kënaqur sesa të drejtë paskeshim pasur.
Nuk e di se cilin tmerr do të kisha zgjedhur nëse do të kisha ndonjë mundësi të caktoja kohën që do të jetoja. Ndoshta përsëri mbi këtë çmendurinë e sotme do të bëja “klik”. Kadareja ka shkruar njëherë për dramën e Prometeut kur shqiponja nuk u kthye më që t’ia hante mëlçinë. E kemi zgjedhur vetë torturën tonë të përditshme. Muzika e pianos është po aq afër, vetëm një klik më tej, sa edhe çdo lajm për PD-në, Ramën, Thaçin, Serbinë, Greqinë, fenë e veshjen më skandaloze të ditës. Me fatin e ditës në gishtat tona, askush nuk ka pse pret një drejtues lajmesh që ta shpëtojë nga një ditë klikimesh e pamjesh televizive. Po sot, jemi të gjithë drejtues lajmesh. Jemi të gjithë në biznesin e medias. Facebook, Twitter, Instagram etj na kanë bërë të gjithë prodhues dhe konsumues informacioni. Vorteksin nga i cili vuajmë e krijojmë vetë çdo ditë. I vetmi dallim për dikë si unë është thjesht justifikimi se ky është profesioni im. Më gënjen mendja se pa këtë do të kisha refuzuar pjesëmarrjen në shfaqjen e madhe, ku të gjithë janë njëkohësisht edhe në sallën e spektatorit edhe në skenë, në këtë realitet distopian që jo vetëm në 18 prill 1930 po edhe pak vietë më parë do të kishte qenë i paimagjinueshëm./Ylliria/