Elite Model Look, këshilla për vajzat që duan të bëhen modele
Koha ecën dhe zakonet ndryshojnë. “Elite Model Look”, konkursi i madh ndërkombëtar për modele, tani do të zhvillohet në internet, duke ju ofruar vazhdimisht vajzave nga mosha 14-22 vjeçe mundësinë të arrijnë suksesin, duke ndjekur gjurmët e top-modeleve të famshme si Cindy Crawford, Gisele Bündchen, Constance Jablonski, etj. Sipas drejtuesve të “Elite”, kjo nuk është vetëm një mënyrë për të gjetur bukuri të reja, por edhe për të kuptuar nëse vajzat e përzgjedhura kanë aftësi të ndërtojnë profesionin e tyre, gjë që do t’i lejojë ato të bëjnë karrierë dhe të arrijnë në majë si modelet e famshme paraardhëse. Ja disa këshilla sesi të bëheni modele dhe të mbroheni nga mashtrimet.
Këshilla për vajzat që duan të bëhen modele
Për të nisur karrierën si modele, vajzat duhet të kenë një trup të mirë, të hanë në mënyrë të shëndetshme dhe të plotësojnë orët e nevojshme të gjumit. Ato nuk duhet t’i përkushtohen vetëm pamjes së jashtme, por edhe asaj të brendshme: u nevojitet forcë e madhe dhe qetësi, cilësi të cilat kërkohen në një moshë të vogël, sepse shpeshherë modelet e nisin punën shumë të vogla. Për këtë arsye, është mirë që vajzat të lidhen me një agjenci profesionistësh, sepse dinë t’i mbështesin me seriozitet, sidomos në këtë moment delikat të rritjes.
Mosha e duhur për t’u bërë modele; prejardhja gjeografike
Ka ndryshuar jo vetëm lloji fizik i modeleve, por edhe standardet dhe ligjet e bukurisë. Bukuria e viteve ‘80 ishte e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, e menjëhershme, e përqendruar më tepër te përmasat klasike 90-60-90. Sot, jo vetëm kjo konsiderohet e bukur, por janë futur në lojë përmasa të tjera dhe mbi të gjitha bukuria që kërkohet nuk është që mund të gjendet menjëherë. Tani i jepet rëndësi së veçantës, shumë karakteristikave të tjera, për shembull mënyrës se si lëviz një modele, si ecën, është apo jo fotozhenike. Tashmë është zgjeruar gama e elementeve dalluese të bukurisë, nuk ekziston më një model ideal. Ndër vite është ulur edhe mosha e vajzave. Tani një modele e nis punën nga mosha 15-18 vjeçe dhe mund të vazhdojë më tej karrierën, në varësi të personalitetit, qëndrueshmërisë dhe fatit, natyrisht. Për sa i përket prejardhjes, tani pranohen vajza nga e gjithë bota, nga amerikanet, te brazilianet, vajzat e Lindjes, por nuk bëhet fjalë për kërkim të një pamje të veçantë fizike. Agjencitë dhe qendrat e modës i kanë zbuluar vajzat e këtyre vendeve në momente të veçanta. Vajzat që vijnë nga Lindja e Europës për shembull, kanë nisur të punojnë shumë që pas rënies së murit të Berlinit, kur kanë pasur mundësi, kanë blerë rroba më të bukura, gjë që u ka dhënë mundësinë atyre të bëhen pjesë e të gjithë pasarelave të Europës. Top-modelja më e bukur e të gjitha kohërave është dhe do të mbetet Christy Turlington.
Moda dhe sëmundja e anoreksisë
Anoreksia është një sëmundje që duhet luftuar në të gjitha mënyrat. Vajzat duhen këshilluar dhe nxitur që të ndjekin një stil jete të shëndetshëm, të ushqehen mirë. Në rast vështirësish duhen njoftuar prindërit dhe mjekët, si dhe duhet ndërprerë menjëherë aktiviteti profesional i vajzës. Shëndeti është një pjesë e rëndësishme në kryerjen e çdo pune, dhe në rastin e një modeleje, nëse nuk ka qëndrueshmëri fizike e psikologjike, nuk mund të mbahet ritmi i pasarelave.
Biznesi më fitimprurës për femrat
Në fakt ky është rregulli i pashkruar, i vendosur nga tregu i modës, që është i gatshëm të paguajë më shumë për një vajzë sesa për një djalë.
Kujdes nga agjencitë e rreme
Vajzat duhet të bëjnë kujdes me këdo që u kërkon para për të nisur karrierën si modele. Nëse një agjenci është serioze dhe profesionale, që sheh te një vajzë karakteristikat e nevojshme, është vetë agjencia që merr përsipër investimin fillestar. Po ashtu vajzat duhet të pranojnë veten e tyre dhe mendimin e agjencive për të mos shkatërruar ëndrrat. Pra nëse një agjenci nuk sheh cilësi te një vajzë që kërkon të bëhet modele, është më mirë ta thotë hapur.