Albspirit

Media/News/Publishing

Kurthet e dashurisë në internet

Vetmia ngjall edhe iluzione, mund të na bëjë të besojmë se pas një uebkamere ekziston vërtet mundësia për të gjetur shpirtin binjak, ose dikë që është i gatshëm për një aventurë. Industria e seksit ka marrë shumë para nga interneti, por tani kriminaliteti ka gjetur një aktivitet tjetër që lidhet me seksin dhe izolimin: kërcënimi. Personat që merren me këtë “mision” përfitojnë nga pamaturia e bashkëbiseduesit nga ana tjetër e monitorit të kompjuterit. Ka nga ata që për dy minuta joshin femra bukuroshe, me linja trupore të përkryera, të cilat janë gjithmonë gati të zhvishen përpara një uebkamere, që ndërkohë po i regjistron dhe më pas, me të do t’u bëhet shantazh. “Le Monde” i ka kushtuar një artikull të veçantë këtij fenomeni. Forumet janë mbipopulluar nga persona të cilët ankohen për zgjuarsinë e atyre që kanë sjellë këtë tendencë të re. Interneti është i mbushur me kërcënues, pedofilë, kriminelë të cilët jetojnë nëpër provinca. Personat e dobët i shtyn vetmia të besojnë gjithçka, me qëllimin për të prekur ëndrrën e një dashurie të vërtetë.

Teknika për të kërcënuar të rinjtë, të rejat dhe të rriturit e të dyja gjinive është gjithnjë e njëjta: duhet joshur bashkëbiseduesi duke i krijuar besim, në mënyrë që ai të mendojë se ka përballë një person të besuar. Pastaj e gjitha kthehet në një lojë fëmijësh: kur ai ose ajo zhvishet, fillon regjistrimi. Pas kësaj, vjen shantazhi: nëse viktima nuk paguan një shumë të caktuar parash përmes “Paypal”, ose “Western Union”, atëherë videoja do të hidhet në internet. Paratë që merren në këmbim shkojnë në Afrikë ose Europën Lindore. Çdo mjet është i mirë për t’i paguar kërcënuesit. Një djalosh tregon për “Le Monde” se u nënshtrua pas pamjes mahnitëse të një gruaje bukuroshe dhe të famshme, e cila i kërkonte që të zhvishej dhe t’i tregonte gjoksin. Natyrisht që djaloshi iu bind. Nuk u duhet vënë faj, sepse dihet që burrat bien lehtë në grackë. Më pas ajo e akuzoi menjëherë për pedofili dhe e kërcënoi se do t’ia dërgonte videon të gjithë të njohurve të tij.

Miliona persona mund të jenë gjendur në të njëjtën situatë. Kërcënuesit nuk hezitojnë t’u dërgojnë mesazhe të rreme prokurorëve të Bregut të Fildishtë, ose vendeve të tjera, se nuk do të heqin dorë nga preja e tyre. Disa sajte, si për shembull “Badoo.Com”, përdoren në raste të veçanta.

Ka edhe nga ata që nuk bien pre e këtyre mashtrimeve, madje janë krejtësisht indiferentë rreth asaj që ndodh në internet. Kryesisht viktimat janë të rritur, megjithatë edhe adoleshentët nuk mbeten pas.

Ky është një mekanizëm i rrezikshëm, madje edhe policët e specializuar e pohojnë këtë. Kërcënimi i parë është një video ku shfaqet emri dhe mbiemri i personit të rënë në grackë, zhveshja e tij lakuriq, shpërndarja e videos në të gjithë planetin. Duke menduar të gjitha këto, njerëzit tremben dhe pranojnë të paguajnë. Ndonjëherë edhe kërcënimet mund të jenë të tepruara. Sipas Vincent Lemoine, personi që merret me këto raste, në Francë numërohen të paktën dy vetëvrasje në vit që lidhen me këtë lloj kërcënimi. Për personat që janë shumë të ndjeshëm, turpi, pamundësia për të paguar, terrori i reklamës së keqe, mund t’i shtyjë ata të marrin masa ekstreme.

Adoleshentët, numri i të cilëve sa vjen e rritet në çat dhe nëpër forumet e ndryshme, po bëhen preja më e lehtë për t’u kapur nga organizatat kriminale, edhe pse gjatë stinës së verës ata që bien më shumë në kurth janë të rriturit. Kush mbetet vetëm në qytet është më i ekspozuar se të tjerët për t’u bërë pjesë e iluzioneve të internetit.

Please follow and like us: