Përplaset rrjeti CNN dhe Presidenti Trump
“Nuk është puna e CNN të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në botë. Është e jotja. Puna jonë është të raportojmë lajmin. #Faktet të parat” — kjo është përgjigjia e rrjetit amerikan informativ CNN ndaj sulmeve të Presidentit Trump. Ky reagim erdhi pas postimit të Presidentit Trump në Twitter ditën e shtunë, ku ai shkroi se: “FoxNews është shumë më i rëndësishëm në Shtete e Bashkuara se sa CNN, por jashtë Amerikës., CNN International është ende një burim i rëndësishëm i lajmeve (të rreme) dhe ato përfaqësojnë kombin tonë në botë shumë dobët. Bota nuk e sheh të vërtetën përmes tyre”. Por kjo nuk është hera e parë që Presidenti sulmon median në Amerike. Ai në mënyrë të vazhdueshme i ka kritikuar rrjetet prestigjoze informative amerikane CNN, The Washington Post dhe The New York Times, duke i cilësuar ato si shpërndarëse të lajmeve të rreme. Kjo qasje e përdorur nga Trump, është një metodë propagandistike e njohur, e cila përdoret për të ulur besueshmërinë e burimit të informacionit kritik.