Gjovalin Gjadri, letra për gruan e vdekur
E gjithë historia e një mungese u kthye në librin më të bukur për dashurinë. Gjovalin Gjadri, inxhinjer me profesion do të ulej të shkruante mallin për të shoqen e ndarë nga jeta, pa e ditur që një ditë këto shkrime do të merrnin formën e një libri.
Të përkthyer në shqip nga Ardian Ndreca e botimet Onufri, libri “Letra grues seme të vdekur” është një nga botimet më interesante të kohëve të fundit. Gjovalin Gjadri (1899-1974) ka qenë inxhinier i njohur i ndërtimtarisë, i shquar sidomos në ndërtimin e urave. Shkollimin e ka mbaruar në Vjenë.
Por, një tragjedi jetësore do ta cyt në shkrim artistik. Në Tiranë gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar, ai do të bie në dashuri me të bijën e Abdi bej Toptanit (1864-1942) – intelektual dhe patriot që ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Quhej Zejnep, e shkolluar po ashtu në Vjenë.
Por, kjo dashuri nuk mund të kurorëzohej në martesë me bekimin e Abdi beut, sepse Gjovalini nuk i takonte as rendit aristokrat e as nuk ishte mysliman (Toptanët rrjedhin nga Topiajt e Mesjetës). Abdi beu ishte përparimtar, po jo edhe rrethi i tij. Nuk duhet harruar se Haxhi Qamili atij ia kishte djegur shtëpinë, veç pse ishte mbështetës i Princ Wiedit. Kështu, kundër dëshirës së familjarëve, Zejnepja ik nga shtëpia dhe martohet me Gjovalinin në Shkodër me të cilin në Qerekë do të ndërtojnë një shtëpi ku do të lind djali i tyre, Egoni.
Thonë se Abdi beu vuante që nuk e takonte të bijën dhe kënaqej kur e shihte nga larg nipin e tij. Në fillim të vitit 1941, Zejnepja sëmuret nga tuberkulozi. Ndonëse kohë lufte e lëvizjet ishin të vështira e të rrezikshme, Gjovalini bën të pamundurën për ta dërguar atë në shërim në Itali, ku do të vdes më 15 gusht 1941.
Atëherë Gjovalini do të nis t’i shkruajë letra gruas së vdekur, në gjermanisht, me një stil unik artistik dhe thellësi psikologjike e filozofike. Në ato letra ndër të tjera thotë: “Mundem me të sigurue se në jetën teme nuk ia kam urue kurrkujt të keqen e as tash nuk ia due kujt, por me m’thanë kush se po e han dreqi tanë botën s’e kisha ça kryet aspak, aq të padrejtë e ndiej plagën që vdekja jote ka çilë tek unë”; “Nëse një Zot i mëshirshëm do t’i prirte sytë kah unë, do të duhej të ma ndalte menjëherë zemrën e s’duhej të lejonte të përjetoja dhimbjet ma mizore tue e ndie praninë tande pa e pasë vërtetë të mundun me mbërrijtë tek ti”; “Për mue vdekja s’ka ma kurrgjë të tmerrshme, përposë frikës së dyshimit se ndoshta s’kam me të takue ma”…
Këto letra janë përkthyer në shqip nga Ardian Nreca dhe botuar tash vonë në veprën “Letra grues seme të vdekun” nga shtëpia botuese “Onufri”. Për këto letra Ismail Kadare thotë: “Vetmitë e shkaktuara prej vdekjes janë të njohura në art, por këtu është fjala për vetminë tragjike të një bashkëshorti.
Është kjo, ndoshta, një nga arsyet se pse ky libër, pavarësisht nga botimet e munguara të tij, qëndron në kujtesën e disa brezave të lexuesit shqiptar, si një himn i rrallë për gruan”… Në kopërtinën e librit është portreti i Zejnep Toptanit i punuar gjatë studimeve të saja në Vjenë./gazeta-Shqip.com/