Qelbej nga çorapet e leshit, arrestohet pasagjeri
Policia indiane ka arrestuar një person era e çorapeve të të cilit ka shqetësuar pasagjerët e një autobusi të cilët kanë protestuar. Personi në fjalë hoqi këpucët dhe çorapet në autobusin që shkonte nga shteti pranë Himalajave, Himachal Pradesh në Nju Delhi dhe i vendosi nën vete, thotë policia. Pasagjerë të tjerë janë irrituar dhe i kanë kërkuar ti hidhte çorapet, por ai ka refuzuar duke u përballur fizikisht, aq sa detyroi shoferin e autobusit të ndalonte pranë një stacioni policor në distriktin e Una në Himachal Pradesh. Shefi i policisë Sanjeev Gandhi tha për AFP se autobusi ndaloi disa herë për shkak të erës së tmerrshme para se të vinte në stacionin e policisë. “Ai u arrestua për prishje të qetësisë publike e më pas u lirua me kusht”, ka thënë Gandhi. Ai shton se personi ka kërcënuar pasagjerët e tjerë dhe ka shkaktuar telashe edhe në stacionin e policisë. Ai u largua me tjetër autobus një ditë më pas, teksa ngulmonte se çorapet e tij nuk vinin erë.