Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Ndëshkim fajtorëve për përmbytjen e autostradës

Situata e krijuar nga shirat intensivë dhe vërshimi i lumenjve ka bërë që të vihen në lëvzje të gjitha strukturat e shtetit. Në orën 18:00 ka nisur mblidhja e Komiteti të Emergjencave Civile. Komiteti ndërministror i Emergjencave Civile, drejtohet nga kryeministri Edi Rama, dhe do të vendoset nëse do të shpallet apo jo Gjendja e Emergjencës në vend.

Ndërkohë, kryeministri i cilësoi qesharake akuzat se përmbytja në autostradën Tiranë-Durrës erdhi si pasojë e hapjes së liqenit të Kasharit. Rama tha se aktualisht, ky liqen është nën kuotë.

“Është e papranueshme që të ndërtohet një gënjeshtër politike se me demek u hap Bovilla, apo Liqeni i Kasharit, që është akoma 3 metra nën kuotë”, tha Rama.

Shkaqet, Kryeministri thotë se janë të tjera dhe për këtë iu referua fjalës së ministrit Xhafaj në lidhje me ndërtimet dhe ndërhyrjet pa leje në kanalizime.

“Ajo përmbytje ka disa shkaqe të tjera dhe mbështes ministrin e Brendshëm. Ne do t’i shkojmë deri në fund, aty është ndërhyrë drejtpërdrejtë në rrjetin e shkarkimeve, duke ndërtuar pa leje dhe improvizuar shkarkime që sjellin këto pasoja. Nuk do të falim asnjë përgjegjës për atë situatë. Do t’i shkojmë deri në fund”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi nga qytetarët që të tregohen të vëmendshëm nga paralajmërimet EC, ushtrisë e policisë, ndërsa për autoritetet tha se vëmendje kërkoi tek situata në rrjedhën e Vjosës.

Rama falenderoi edhe njëherë Lulzim Bashën për mirëkuptimin, por edhe për qëndrimin e mbajtur gjatë ditës së premte për përmbytjet.

Sipas Emergjencave Civile, prurjet në Vjosë dhe Seman në datën 2 dhe 3 pritet të dhjetëfishohen në krahasim me prurjet para fillimit të reshjeve.

EC thotë se situata do të ketë një përmirësim të lehtë në datën 4 dhjetor e në vijim.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se në krahasim me përmbytjet në vitin 2015, prezenca e ushtrisë në terren në ndihmë të qytetarëve është pesëfishuar.

Edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi se angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë maksimal.

Kujtojmë se si shkak i reshjeve dhe vërshimit të lumenjve është prekur thuajse i gjithë vendi, ndërsa përmbytjeve nuk u shpëtoi as Tirana. Po ashtu pritet që në orët e mbrëmjes së sotme lumi Vjosa të dalë nga shtrati, pasi niveli i ujit po rritet me 20 cm çdo një orë.

Please follow and like us: