Albspirit

Media/News/Publishing

Skandal në Prokurorinë e Elbasanit/ Drejtuesi rrëmben tre dosje me forcë, ndërhyn policia

Prokuroria e Elbasanit është kthyer në institucionin e skandaleve, bëmave dhe gjëmave.

Disa kohë më parë u raportua se ishte ky institucion që kishte publikuar dosjen me sekretin hetimor për hetimin e Orest Sotës, i cili u kap me 863 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por më pas prokurori i Elbasanit u përfshi në një aksident spektakolar, të cilin e kaloi me një masë administrative.

Së fundi ka plasur një skandal i padëgjuar më parë në Prokurori. Prokurori Dritan Gina, i ka marrë me forcë tre dosje një prokuroreje të Prokurorisë Elbasan.

Burime nga policia e Elbasanit i thanë CityNews se ky institucion ka kryer kqyrjen, pas kallëzimit të bërë në polici nga prokurorja Amarda Xhaferri ndaj drejtuesit të Prokurorisë Elbasan Dritan Gina.

Të njëjtat burime i thanë CityNews se në Prokurorinë e Elbasanit ka pasur një përplasje të fortë midis Xhaferrit dhe drejtuesit Gina. Shkak për këtë përplasje midis tyre janë bërë tre dosje të cilat Gina ia ka “rrëmbyer” vartëses së tij. Bëhet fjalë për tre dosje shumë të rëndësishme si pastrim produktesh të veprës penale, korrupsion, etj.

Xhaferri i ka pasur në hetim këto dosje të cilat shefi i saj nuk dihet pse i ka marrë, pasi kanë qenë në kompetencë dhe hetim nga Amarda Xhaferri.

Prokurorja e ka kundërshtuar eprorin dhe rrëmbimin e dosjeve. Për këtë arsye mësohet se ajo ka bërë një kallëzim në policinë e Elbasanit, e cila më pas ka bërë edhe kqyrjen.

Ky është një skandal i padëgjuar më parë në Prokurori, ku një drejtues “rrëmben” dosjet, ku nuk dihet për çfarë arsyeje, për ti mbyllur apo për të fituar ndonjë gjë nga pazari i tyre?

Policia ka kryer procedurën. Përplasja ka ndodhur dhe tashmë pritet hetimi i plotë i kësaj ngjarjeje përtej kufijve të një skandali që ka përfshirë së fundi Prokurorinë e Elbasanit. /CityNews

Please follow and like us: