Albspirit

Media/News/Publishing

Bernd Fisher: Tranzicioni i Shqipërisë nuk mbaron me anëtarësimin në BE

Në një intervistë të gjatë në RTSH, historiani Bernd Fisher ka rrëfyer njohjen e tij me Shqipërinë, që prej vizitës së tij të parë në vitin 1988.

Duke folur për gazetarin Lutfi Dervishi, Fisher ai thotë se Shqipëria dhe Kosova në të ardhmen mund të jenë dy shtete si shembulli i SHBA-së dhe Kanadase.

Fisher shprehet se me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian tranzicioni jo domosdoshmërisht do të përfundojë.

“Marrim rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë. A mbaroi tranzicioni i tyre sepse u bënë anëtarë të BE-së? Jo. u futën në një fazë të re, por qartësisht ka ende nevojë për zhvillim” – thotë historiani për Lutfi Dervishin.

Intervista e plotë:

Ju jeni pjesë e një komisioni për të rishkruar tekstet e historisë dhe detyra juaj është paksa e veçantë, të shkruani kapitullin e Luftës së Dytë Botërore në 18 faqe. A po flasim këtu të shkruajmë historinë apo të bëjmë twitt të historisë?

Së pari më lejoni të them se unë nuk jam në twitter. Duket se disa njerëz i hapin vetes telashe duke bërë twitte. Po, është e vërtetë, se është një detyrë e vështirë. Është shumë më e lehtë për një historian të shkruaj gjatë sesa të shkruaj në mënyrë të përmbledhur për ngjarje që janë shumë të komplikuara. Është një temë për të cilën kam shpenzuar shumë kohë. Shpresoj që kam mundur të rrok ngjarjet kryesore, çështjet kryesore në vetëm 18 faqe.

Sa ndryshon leximi historisë së Luftës së Dytë Botërore, në këto 18 faqe nga leximi aktual që i bëjnë nxënësit kësaj periudhe?

Mendoj se ka disa ndryshime. Një nga problemet që kam parë me tekstet e historisë në Shqipëri dhe në Ballkan në përgjithësi është politizimi i ngjarjeve kryesore, të cilin jam munduar ta shmang. Sikundër e dini, unë nuk kam asnjë interes për këtë çështje. Jam përpjekur të jem sa më objektiv që të jetë e mundur për të paraqitur një pikëpamje që është shumë më pak e debatueshme sepse thjesht është objektive.

Po flasim për rishkrimin e historisë, por ju vetë keni shkruar se “historia është një proces që unë vetë kam nevojë ta rishqyrtoj e ta rishkruaj”. Kjo duket si muzikë e mirë për veshët e historianëve dhe veçanërisht atyre që kanë shkruar gjatë periudhës së socializmit në Shqipëri?!

Gjithmonë kam argumentuar se historia është një proces që nuk ndalet, si çdo gjë tjetër në këtë botë. Nuk mendoj se është e mundur për askënd që të shkruaj atë që mund të quhet “historia përfundimtare” apo të thotë fjalën e fundit për rolin e një individi në histori apo të një ngjarjeje. Gjithmonë del diçka e re dhe mendoj se ajo që quhet rishkrimi i historisë duhet bërë rregullisht. Për shembull, unë kam kontribuar diçka. Shpresoj që të tjerë kur të shkruajnë të marrin për bazë atë që kam shkruar dhe të vijojnë më tej me kontributet e tyre. Por mendoj që është e rëndësishme të thuhet që rishkrimi i historisë të bëhet mbi bazën e fakteve dhe provave të rejaa dhe jo bazuar mbi ideologji të reja.

Ju premtova që intervista do të ketë disa tone personale dhe dua ta nis me diçka personale nga ju. Ju keni qenë në Shqipëri për herë të parë në vitin 1988…

Po, kjo është e saktë…

Dhe ju keni qëndruar 10 ditë. A ishin këto 10 ditë, 10 ditët që tronditën përshtypjen tuaj, opinionin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët? Mendoj se deri në momentin e vizitës së parë ju e keni njohur Shqipërinë dhe shqiptarët kryesisht përmes arkivave…

Keni të drejtë. Gjithmonë ka dallim kur ti ndodhesh në vend. Deri në këtë moment unë kisha lexuar pothuajse çdo gjë që gjeja për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe sërish përshtypja e takimit të parë është një përshtypje që do të mbes tek unë përgjithmonë…

Si për shembull?

Përshtypja që më lanë njerëzit, përshtypja që pata kur pashë fshatrat, përshtypja që më la regjimi për aspektet shumë negative të tij. Isha i ndërgjegjshëm çdo ditë për represionin e madh që ushtrohej ndaj njerëzve në Shqipëri.

Nga vizita e parë, 29 vjet më parë, deri tek momenti që ne po flasim bashkë, si e keni parë ndryshimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Mendoj se ka patur ndryshime sizmike, si në ndryshimin fizik të vendit, ashtu edhe në mënyrën se si shqiptarët e shohin veten në kontekstin rajonal apo europian. Sa i përket ndryshimeve fizike, unë e mbaj mend Tiranën që ishte kryesisht me vila të vjetra të ndërtuara në vitet 1930. Për fat të keq një pjesë e madhe e tyre nuk ekzistojnë më…

Po tani ne kemi qiejgërvishtës….

Po, është e qartë që tashmë kemi qiejgërvishtës në Tiranë.

A është kjo një gjë e mirë apo e keqe?

Janë të dyja. Është keq nga pikpamja e arkitekturës. Mendoj se vilat ishin shumë më të bukura dhe tërheqëse sesa kullat. Por në anën tjetër, ndërtimet e larta bëjnë të mundur që gjithnjë e më shumë njerëz të jetojnë në qytet dhe të shijojnë atë që i ofron kryeqyteti. Sa i përket njerëzve, shqiptarët po bëhen pjesë e Europës. Tashmë udhëtojnë lirisht. Qartësisht e kanë lirinë për të lexuar gazetat dhe librat që duan. Dhe e gjitha kjo të mos harrojmë nuk ishte e mundur në regjimin komunist. Ka marrë fund izolimi prej disa dekadash. Dhe sigurisht ka shumë e shumë ndryshime të dukshme.

Ballkani në përgjithësi, por dhe Shqipëria në veçanti nuk është se vuajnë nga mungesa e miteve dhe legjendave. Cili është miti shqipar që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Më lejo të theksoj se mitet dhe legjendat nuk janë vetëm në Ballkan, por janë universale, sa i përket planetit që jetojmë. Më e shumta e miteve përqëndrohen tek origjina dhe në këtë pikë të gjithë popujt përpiqen të krijojnë mite që t’i bëjnë ato të besojnë se kanë patur një rol të veçantë në histori…

Dhe në këtë pikë të gjithë popujt e harrojnë pak Evën dhe Adamin e Biblës…

Po, qartësisht harrojnë shumë gjëra në këtë aspekt dhe këtu për fat të keq futet koncepti i nacionalizmi dhe bëhet jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimin e historisë dhe ndonjëherë edhe të ideologjisë. Por më lejoni të theksoj se kjo ndodh kudo dhe nuk ka lidhje vetëm me Shqipërinë.

Nëse flasim për liderët që kanë një ndikim të madh në jetën e një kombi dhe në jetën e një vendi, dhe nëse e nisim me Skëndërbeun, heroin tonë kombëtar, që është cilësuar si kalorës i krishtërimit, cili është opinioni juaj për të?

Gjithë popujt kanë nevojë për heronjtë e tyre kombëtar dhe mendoj që Skëndërbeu është heroi ideal kombëtar i shqiptarëve. Ai mbase është ndryshe nga heronjtë e tjetër kombëtar në Ballkan, por ndoshta kjo është për faktin se shqiptarët luajtën një rol të ndryshëm nga serbët, grekët, rumunët apo bullgarët. Por si hero kombëtar, ai veçohet qartësisht nga të tjerët dhe gjej rastin të uroj shqiparët për përvjetorin e Skëndërbeut që është vitin që po vjen.

Gjatë 105 viteve të shtetit shqiptar, Shqipëria e ka nisur nga të qenit Principatë në 1913, qeveri parlamentare, mbretëri, republikë popullore socialiste, demokraci parlamentare dhe këto ndryshime të rrëmbyeshme të sistemeve kanë prodhuar liderë të fortë, si Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Edi Rama. Dhe nëse mund të flasim për një emërues të përbashkët të këtyre burrave të fortë, cili do të ishte ai?

Një prej emëruesve të përbashkët do të ishte fakti që ata janë të gjithë autoritar. Ndokush mund të argumentojë se Shqipëria ….

…Është tokë pjellore për të prodhuar liderë të fortë?

Pa diskutim. Dhe mendoj se terreni pjellor ka të bëjë me faktin se Shqipëria është një shtet i dobët me institucione të dobëta. Nëse nuk do të kishim institucione të dobëta, nuk do të kishim nevojë për liderë të fortë. Tek e fundit demokracia nuk ka nevojë për liderë të fortë.

Liderët e fortë që i kemi dhuratë janë barrë apo vlerë për drejtimin dhe zhvillimin e vendit?

Unë mendoj se janë të dyja. Fillimisht ata janë një aset, vlerë, sepse krijojnë një farë stabiliteti që nuk do të ishte i mundur pa ta. Por në fund vjen një pikë kur shoqëria dhe shteti nuk ka nevojë për liderë të fortë sepse insitucionet janë zhvilluar dhe koncepti i demokracisë është po ashtu i zhvilluar. Nuk mendoj se Shqipëria ka mbërritur ende në këtë fazë. Dhe mendoj se ky tranzicion do të jetë i vështirë sepse do të kërkonte që lideri i fortë të tërhiqej dhe të lejonte institucionet të funksiononin. Liderët e fortë nuk para e kanë qejf ta ndërmarrin këtë hap.

Ju thatë që liderët e fortë janë asete në fazën fillestare sepse stabilizojnë vendin dhe ky është rasti i mbretit Zog dhe gjithë të tjerëve. Dhe pastaj vjen momenti që e destabilizojnë vendin?

Pjesërisht po, sepse shumë liderë të fortë nuk lejojnë zhvillimin e dekoracisë ngaqë në këtë mënyrë ata minojnë pozitën e tyre. Mendoj se duhet të kemi ….

Pra, është loja e mbijetesës politike….

Po. Ne duhet të kemi dikë që mendon për të ardhmen, që të arrijë të dallojë dhe të kuptojë që koha si lider politik i fortë ka marr fund. Dhe ata të tërhiqen dhe të zëvendësohen nga institucionet e forta dhe nga rrjedha demokratike.

Mbreti Zog, ai u përpoq ta modernizonte vendin dhe ta çonte atë drejt Perëndimit? Ku mendoni se ai dështoi dhe çfarë mund të bënte më mirë?

Ai ka dritëhijet e tij. Sa i përket aspektit ekonomik, ai pothuajse dështoi. Shumica e lidërve gjykohen nga fakti se sa mirë jetojnë njerëzit kur krahason periudhën e marrjes së pushtetit me atë të lënies së pushtetit…

Ky ishte dhe “mallkimi” i presidentit Karter…

Po, në një masë të madhe po. Ekonomia amerikane në shumë aspekte ishte më keq në fund të presidencës së tij sesa në fillim. Si rezultat i kësaj, Karter, të paktën nga pikëpamja ekonomike, nuk konsiderohet një president i suksesshëm… Mendoj se në rastin e mbretit Zog vlen e njëjta gjë. Shqiptarët në fund të vitit 1939 nuk është se jetonin më mirë se vitin që u vendos Monarkia, në vitin 1928.

Po, por në një intervistë me dy gazetarë amerikanë në atë kohë, mbreti Zog u tha “detyra ime është disi e vështirë. Më duhet ta sjellë këtë vend dhe këtë popull nga shekulli XV në shekullin XX”. Arriti ta bëj këtë gjë Zogu?

Mendoj që në shumë aspekte ia arriti dhe siç kam argumentuar në librin që kam shkruar, mendoj që kontributi i tij më i rëndësishëm ishte thyerja e barrierave të brendshme, në Shqipëri. Dhe bëri të mundur që qytetarët ta ndjenin vendin pjesë të gjithë vendit dhe jo thjesht anëtarë të familjes, klanit apo krahinës. Dhe kjo është mjaft e rëndësishme për strukturën e një shteti modern. Për këtë i duhet njohur merita. Pra, janë bashkë anët pozitive dhe negative. Në përgjithësi do të thoja se Zogu ishte një figurë pozitive në historinë e Shqipërisë.

Ne na pëlqen të vendosim nota. Nga 1 në 10, duke supozuar që 10 është nota maksimale, çfarë note do t’i vinit Zogut, duke qenë se ju e njihni më mirë se kushdo tjetër?

Ne historianëve zakonisht nuk na bëhen pyetje të tilla. Kjo është më shumë për matematicienët…

Bëjeni një përjashtim…

Do ta bëj. Së paku, do t’i vija notën 7 si udhëheqës i vendit. Mendoj që në përgjithësi kontributet e tij janë pozitive.

Do të kemi rast t’i vëmë nota dhe lidërve të tjerë…

Jo, të lutem…

Në librin tuaj për Zogun ju keni shkruar se shqiptarët tregojnë më shumë respekt, konsideratë dhe bindje ndaj Kanunit të Lekë Dukagjinit se sa ndaj 10 urdhëresave …

Po, mendoj se kjo ka qenë e vërtetë në vitet 1920-1930. Jam i sigurtë se ka ndryshuar që nga ajo kohë. Kjo ka lidhje me nivelin e zhvillimit në atë kohë. Niveli i Zhvillimit të Shqipërisë në fillim të shekullit XX ishte në pikën më të ulët, edhe për faktin e trashëgimisë otomane, edhe për shkak të paaftësisë osmane për të zhvilluar ekonominë shqiptare. Ekonomia mendoj se është pjesa qëndrore në kontekstin e zhvillimeve të tjera, si zhvillimi politik apo zhvillimet zgjedhore. Për shqiptarët kjo nuk ndodhi dhe kjo situatë ishte e vërtetë për atë periudhë.

Në kohën që punonit për librin “Mbreti Zog dhe përpjekja e tij për stabilizimin e Shqipërisë”, ju arritët të takonit mbretëreshën Geraldinë dhe ajo kishte 22 vjet që nuk fliste për median. çfarë mësuat dhe çfarë gjetët të vlefshme që nuk kishit arritur dot ta gjenit nga puna voluzimoze e juaj nëpër arkiva?

Pikë së pari më lejoni të them që ajo ishte shumë mikpritëse. Ajo më ftoi të kaloja disa javë në vilën e saj në Spanjë dhe pata biseda të përgjithshme që ishin mjaft interesante. Ndoshta aspekti më i rëndësishëm që arrita të marrë nga Mbretëresha ishte diçka më shumë personale se sa le të themi gjëra politike, ekonomike. Sigurisht ajo ka qenë mjaft e re si Mbretëreshë dhe nuk është se ka qenë shumë e përfshirë në vendimmarrjet e rëndësishme politike. Por ajo kishte shumë për të thënë për personalitetin e Zogut, për personalitetin e atyre që e rrethonin atë, se si personaliteti i tij ndikonte te vendimmarrjet politike dhe ky mendoj se është një informacion i rëndësishëm kur shkruan një biografi sepse një biografi nuk i mjaftojnë thjesht faktet dhe shifrat që gjen nëpër arkiva…

Më lejo të ndërhyj, ju keni arritur që të bisedoni me mbretëreshën Geraldinë, vejushën e mbretit Zog dhe vejushën e Enver Hoxhës, Nexhmie Hoxhën. Nëse flasim për dy zonja të forta dhe ndikimet që kanë patur te burrat e tyre, cili mendoni se ka qenë roli i Nexhmie Hoxhës te Enver Hoxha?

Për shkak të faktit se vejusha e Enver Hoxhës luajti një rol shumë të rëndësishëm politik për shumë vite, mendoj se ajo ka pasur një rol më të rëndësishëm në krijimin e politikave gjatë periudhës së Enver Hoxhës. Ndërsa mbretëresha Geraldinë e njohu më shumë Zogun kryesisht në periudhën e ekzilit. Në kuptimin e ndikimit të tyre ato ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Por gjithashtu do të thoja se të dyja, për shkak se ishin shumë pranë bashkëshortëve, ishin të interesuara për trashëgiminë e burrave të tyre….

Kjo është e përbashkëta e tyre?

Po, kjo e përbashkëta. Mbretëresha Geraldinë ishte shumë e interesuar që unë të largohesha prej saj me një përshtypje shumë pozitive rreth Zogut dhe e njëjta gjë është e vërtet edhe për Nexhmie Hoxhën. Qëllimi kryesor i saj është të krijoj një lloj trashëgimie pozitive për Enver Hoxhën, që mendoj se është detyrë shumë shumë e vështirë, në krahasim me atë të mbretëreshës Geraldinë.

Në ç’masë ndikohet historiani nga këto ndërveprime njerëzore në punën e tij?

Unë do të thoja aspak…

Aspak?

Aspak, sepse rregulli i parë i të qenit historian është distanca e vetvetes nga marrëdhëniet personale. Unë i çmoj këta njerëz, veçanërisht mbretëreshën Geraldinë, pa qenë nevojshmërisht i ndikuar nga pikëpamja e saj, që është krejtësisht e kuptueshme për mbretin Zog që ishte burri i saj. Ajo e dashuronte atë dhe ishte qartësisht e interesuar për të projektuar një imazh pozitiv. Por si historian duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe shpresoj të kem arritur të mbaj një pozicion objektiv.

Le të qëndrojmë pak tek periudha e Mbretërisë. Mbreti Zog dhe SHBA. A keni gjetur ndonjë material interesant për këtë periudhë, jo thjesht për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe ShBA-së, por veçanërisht pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore?

Po, kam gjetur shumë materiale. Ka plot materiale që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA në arkivat amerikane. Sidoqoftë SHBA nuk ishte lojtari kryesor në ngjarjet në Ballkan në atë kohë. Gjatë periudhës së mbretërimit të Zogut, SHBA sa i përket politikës së jashtme, kishin politikën e izolimit. Ajo çfarë kam gjetur interesant është fakti se amerikanët i merrni informacionet për Shqipërinë kryesisht nga Britania e Madhe. Britanikët ishin më shumë të përfshirë dhe më shumë të interesuar në rajon sesa amerikanët. Britanikët, gjermanët dhe qartësisht italianët kishin materiale më të dobishme.

Libri juaj “Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore” nis me periudhën e perëndimit të mbretit Zog dhe përfundon me ngritjen e Enver Hoxhës në pushtet. Nëse flasim për veçantitë e Shqipërisë në periudhën e pushtimit, si nga italianët, ashtu edhe nga gjermanët, cilat janë gjetjet që në një farë mënyre ju kanë befasuar?

Mendoj se isha paksa i befasuar nga fakti që shqiptarët në përgjithësi kishin një qasje negative ndaj italianëve dhe një sjellje më pak negative ndaj gjermanëve, duke pasur parasysh faktin se Gjermania ka shkaktuar më shumë shkretime, shkatërrime dhe vrasje në të gjithë Europën. Po kur gjermanët erdhën këtu pozicioni i tyre ishte që të fitonin sa më shumë bashkëpunim të ishte e mundur me shqiptarët sepse ndërkohë Gjermania kishte probleme të tjera serioze me rusët dhe nuk ishte në një pozicion që të vendoste shumë trupa për të pushtuar Shqipërinë. Pushtimi gjerman në shumë aspekte ishte pak më i lehtë…

Krahasuar me Lindjen…

Po, krahasuar me Lindjen. Madje edhe krahasuar me italianët në një farë mënyre. Kryesisht për faktin se ata kërkonin bashkëpunim, ndërsa italianët e kishin integruar Shqipërinë tek Perandoria e tyre e re Romake.

A është kjo për faktin se Italia e shihte Shqipërinë si koloni, ndërsa gjermanët për konsiderata strategjike, si rrugë tranzit për tërheqjen e trupave?

Po, ky ishte faktori kryesor. Gjermanët donin të mbronin bregdetin dhe rrugën kryesore dhe këtë donin ta bënin me sa më pak trupa që të ishte e mundur.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore patëm situatën e Shqipërisë së Madhe, kur për një periudhë të shkurtër Kosova dhe një pjesë e Maqedonisë ishin pjesë të Shqipërisë. A funksionoi vërtet kjo në këtë kohë?

Unë do të thoja jo, sepse Shqipëria ishte nën pushtim dhe mendoj se shumë shqiptarë e kuptuan që kjo ishte një krijesë artificiale që erdhi jo vetëm si rezultat i përpjekjeve të italianëve, por edhe për faktin e shkatërrimit të Jugosllavisë nga Gjermania. Unë do të thoja se nuk funksionoi si një shtet normal sepse Shqipëria ishte e pushtuar.

Debati për datën e çlirimit është unik në Shqipëri dhe vijon, dhe ka shoqëruar gjithë tranzicionin tonë. 28 apo 29 nëntori. Ju keni përmendur apo sugjeruar se keni gjetur një dokument që tregon se ushtaraku i fundit gjerman iku nga Shqipëria në datën 4 dhjetor. Sa mendoni se do të zgjas ky debat në Shqipëri? Dhe në opinionin tuaj ia vlen ky debat, 28, 29 apo çfarëdo date tjetër?

Personalisht mendoj se nuk ia vlen. Shqipëria duhet të vendos një nga këto dy datat apo një datë tjetër. Në një farë mase është një argument artificial për mua. Nuk mendoj se është e mundur të saktësosh qartësisht se kur ushtari i fundit gjerman la Shqipërinë. Dokumenti që unë gjeta sugjeron siç e përmendët ju, që gjermani i fundit ka ikur nga Shqipëria në datën 4. Unë jam i sigurtë që ka pa pasur edhe gjermanë të tjerë diku në Shqipëri që kanë ikur më vonë. Në këtë çështje janë të përfshira simbolet dhe simbolet janë mjaft të rëndësishme. Por mendoj se debati duhet zhvendosur diku tjetër dhe nuk mendoj se ky debat për datën është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit dhe ironia është se dekadat që vijuan qytetarët u shtypën nga regjimi. Dhe kur flasim për trashëgiminë e Hoxhës, po them një fjali që nuk është e imja “Ajo që ka vdekur, është ende gjallë”…

Nocioni i regjimit të Hoxhës ende vërtitet si fantazëm në poltikën bashkëkohore shqiptare. E shohim këtë gjë edhe në debatin që bëhet për datën e çlirimit, që në fund të fundit do të thotë në cilën anë ke qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë gjë e gjejmë më të fuqishme në Shqipëri se në vende të tjera. Dhe në një farë mënyre duket sikur Lufta e Dytë Botërore ende nuk ka mbaruar në kontekstin e politikës moderne. Kjo qartësisht është pjesë e trashëgimisë së tij dhe pjesë tjetër e trashëgimisë së tij është nocioni i autoritarizmit, për të cilin druaj se politikanët shqiptarë ende nuk janë larguar prej tyre, si për shembull, strukturat e brendshme partiake. Kemi një diktaturë brenda partisë që e bën mjaft të vështirë zhvillimin e demokacisë brenda partive.

Do të flasim edhe pak për këtë periudhë menjëherë pas një spoti të shkurtër publiciteti.

Rikthemi në Përballë me historianin Bernd Fisher, po flisnim për periudhën e komunizimit në Shqipëri dhe për dilemat e Tranzicionit.

Bernd Fisher, ballafaqimi me të shkuarën, rezultoi një ushtrim shumë i vështirë këtu në Shqipëri. Ne jemi në vitin 2017, vallë duhen edhe 30 vjet të tjera që ne të merremi me të shkuarën, e kam fjalën për të shkuarën komuniste?

E shkuara komuniste në Shqipëri ka qenë unike në kuptimin e shtypjes dhe shkatërrimit. Në vitet 70 dhe 80 kam shpenzuar shumë kohë në Ballkan, por ishte e pamundur të vije në Shqipëri, deri në momentin e vizitës që ju përmendët më sipër. Kam parë regjimet komuniste në Rumani, dhe Bullgari, regjime shtypëse por të pakrahasueshme me Shqipërinë.

Ata ndoshta dukeshin si kapitaliste po t’i krahasoje me Shqipërinë.

Po, pa diskutim. Gjermania Lindore dhe Hungaria kishin elementë të kapitalizmit në shumë aspekte. Mendoj se fakti që regjimi këtu, regjimi Hoxhës ishte shumë më shtypës se të tjerët, tregon se këtu është më vështirë të ballafaqohesh me të shkuarën se në vendet e tjera.

Ka patur një përkufizim për Shqipërinë si Koreja e Veriut e Europës. A ju kujtoi diçka lidhur me Korenë e Veriut Shqipëria që vizituat në fund të viteve 80 të shekullit kaluar?

Nuk mendoj se ky krahasim është shumë i dobishëm. Shqipëria sigurisht nuk ishte në pozicionin për të kërcënuar fqinjët e vet, në mënyrën që shohim sot Korenë e Veriut..

…në kuptimi e asaj që regjimi bënte ndaj shtetasve të vet?

Këtu kemi një krahasim më të mirë, regjimi në Kore sigurisht është po aq shtypës dhe i mbyllur po aq sa ishte regjimi Hoxhës këtu. Sigurisht ne nuk dimë shkallën e shtypjes së atij regjimi, por sigurisht dimë që është regjim mbytës.

Tranzicioni shqiptar është shoqëruar me dhunë, dhe procese politike të dhunshëm. Cila mendoni se është receta më e mirë për të adresuar këtë sëmundje kronike të këtij tranzicioni?

Një pjesë e mirë e dhunës lidhet me situatën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Një nga arsyet që ndodh kjo është se njerëzit i shohin zgjedhjet më shumë se zgjedhje të një drejtimi politik karshi tjetrit, i shohin si mjet me të cilën do të jetojnë. Njerëzit votojnë një parti a tjetër sepse shpresojnë të fitojnë diçka nga kjo. Mendoj se një nga mënyrat për ta minuar këtë dinamikë është zhvillimi i një shërbimi civil të qëndrueshëm, në mënyrë që kur një parti të vij në pushtet të mos jetë nevoja të ndërrohen të gjithë që nga i pari deri te polici fundit në fshat. Sa kohë që do të vijojmë të shohim të njëjtën gjë, do të kemi probleme sepse zgjedhjet kthehen në një çështje për jetë a vdekje për njerëzit, në vend që të ishin çështje zgjedhjesh alternativash politike. Kam përshtypjen se kryeministri Rama e ka këtë gjë prioritet dhe shpresoj të arrij të plotësoj këtë objektiv.

Folëm për liderët, ju përmendët kryeministrin Rama, jo në kuptimin e vendosjes së notave, por të opinionit për performancën dhe mos arritjet gjatë mandatit të tij?

Mendoj se ka aspekte pozitive të qeverisjes së tij si theksi që po vendos te nevoja e një shërbimi civil profesional, më pëlqen theksi që vendos te nevoja e shtetit të fortë ligjor, vettingu i gjyqtarëve është një çështje kritike me të cilën Shqipëria ende nuk është marrë. Më pëlqen marrëdhënia që po ndërton me vendet e rajonit dhe fuqi të Europës, për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në strukturat euro-atllantike dhe mendoj se ish kryeminstri Berisha ka gjithashtu kredite për këto arritje, për anëtarësimin në NATO, për liberalizimin e vizave etj, etj.

Por gjithashtu ka sfida të shumta dhe të rëndësishme: shteti ligjor nuk është vendosur, institucionet shqiptare janë të dobta, dhe shohim një rritje shqetësuese të aktiviteteve kriminale që po marrin vëmendjen e ndërkombëtarëve… ka çështje të rëndësishme që duhen trajtuar, por siç e thashë ka progres në shumë fusha.

Pra, është bërë shumë, por shumë mbetet për të bërë?

Kështu është gjithmonë

Po flisnim për figurat dominuese. Ish kryeministri Berisha ka dominuar skenën politike gjatë dy dekadave të fundit dhe është aktiv në politikën e ditës. Ju i keni ndjekur zhvillimet në Shqipëri edhe gjatë tranzitokracisë që po zgjat 30 vjet, cili është opinioni juaj për rolin dhe vendin që ka luajtur ish kryeministri Berisha?

Mendoj se i duhen dhënë kredite për shumë zhvillime pozitive që kanë ndodhur, por sërish ai u përball me sfida që nuk i tejkaloi. Në fund të qeverisjes së tij, institucionet shqiptare ishin ende të dobëta, sistemi gjyqësor i korruptuar, sistemi policor jo dhe aq i zhvilluar. Atij i duhen dhënë kredite për çfarë ka mundur të arrijë, por duhet të jetë përgjegjës për gjërat që nuk u arritën të bëheshin. Mendoj se pjesë e kësaj ka të bëjë me nivelin e përgjithshëm të Shqipërisë, por mendoj se këta liderë kanë një ndikim të rëndësishëm dhe të jem i sinqertë, kryeministri Berisha mund të bënte shumë shumë më tepër.

Shqipëria është vendi dytë në botë, sa i përket emigrimit. Më shumë se ⅓ e shqiptarëve kanë lënë vendin në atë që vëzhgues objektiv si ju e keni quajtur ‘koha më e mirë e shqiptarëve” në historinë moderne”. Kur flitet për periudhën më të mirë në histori, presupozohet të ndodhë e kundërta, vendi të presë dhe jo të eksportojë emigrantë?

Një gjë që duhet patur në mendje. Gjatë regjimit të Hoxhës, njerëzit nuk mund të largoheshin, ata qëlloheshin për vdekje nëse tentonin të bënin një gjë të tillë. Mendoj se shumë njerëz do të donin të largoheshin nëse do të kishin mundësinë, por mendoj se kjo është një çështje shumë serioze për Shqipërinë dhe nuk po flas për numrat, por kush po largohet. Po largohen njerëzit e talentuar dhe të zotë që kanë shanse t’ia dalin mbanë kudo. Këta janë saktësisht njerëzit që ka nevojë Shqipëria. Ka shumë arsye për këtë largim. Një prej tyre është se strukturat në Shqipëri, strukturat ekzistuese ndihen të kërcënuar nga shqiptarët që kanë studiuar në universitetet britanike apo europiane…

Shqiptarët arrijnë sukses jashtë Shqipërisë në Perandori, kur janë në vende të tjera, por dështojnë në vendin e tyre?!

Mendoj se një nga arsyet për këtë është, se kur arrijnë sukses jashtë ata janë të inkurajuar për të ardhur në Shqipëri, por shumë prej tyre nuk janë në gjendje të gjejnë punë sepse njerëzit që janë këtu ndihen të kërcënuar nga këta individë dhe nuk do t’i marrin në punë sepse do të ndryshonin rregullat e lojës, të ardhurit do të kërkonin standarte të tjera. Duhet të ndryshojë diçka, përndryshe rrjedha e largimit të njerëzve të talenduar do të vijojë më tej.

Duke folur për të ardhmen, historianët nga natyra janë njerëz që flasin për të shkuarën dhe jo për të ardhmen e një vendi, por ju e njihni mirë Shqipërinë dhe rajonin ndaj dua t’u pyes për sfidat më të mëdha që ka përballë vendi në 10-15 vitet e ardhshme?

Siç e thatë, ne historianëve nuk na jepet shansi t’u përgjigjemi pyetjeve të tilla, por do ta provoj… Mendoj se gjëja më e rëndësishme ka të bëj me këtë që i themi: shteti ligjor. E di që është term i abuzuar në përdorim. Por mendoj se ka të bëj shumë. Në qendër të gjithë kësaj është: sistemi gjyqësor.

Shtet ligjor këtu është kuptuar si shtet i “avokatëve” (rule of law vs rule of lawers)

Kështu është edhe në vendet e tjera. Shteti ligjor do të thotë institucione të forta, gjyqësor i fortë, polici profesionale. Në Shqipëri këto mungojnë dhe derisa këto të jenë funksionale, shqiptarët do t’i mbajnë sytë përtej Shqipërisë, tek fuqitë e huaja që ata të merren me problemet e tyre, sepse nuk ka institucione që mund të adresojnë shqetësimet e tyre. Mendoj se një gjyqësor i fortë do të sjellë edhe investime të huaja. Nuk mendoj se Shqipëria mund t’ia dalë pa investime të huaja. Gjykatat duhet të jenë të tilla, që një njeri që sjell paratë e tij nga jashtë për t’i investuar këtu, duhet të jetë i qetë se ato janë të sigurta dhe nëse kanë ndonjë problem investitori të jetë i bindur se trajtohet ndershmërisht në gjykatë dhe aty do të gjej drejtësi. Kjo gjë nuk po ndodh tani. Ka mjaft çështje, por për mua shteti ligjor, institucionet dhe gjykata të mira, janë nga më kryesoret.

Edith Durham, një studiuese britanike, që udhëtoi në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar, më 1905, te Brenga e Ballkanit, shkruan: ahh shqiptarët, njerëz të mirë, mikpritës dhe punëtorë, sikur të kishin një shans të qeveriseshin njëherë nga një qeveri e mirë.” A është prap e njëjta gjë 105 vite më pas?

Në njëfarë mase po, por nuk do ta krahasoja qeverinë tani me qeverinë e para 105 viteve.

Atëherë ishin otomanët. Periudha Tanzimatit.

Tanzimat nuk është se arriti shumë gjëra.

Edhe në atë kohë, kryefjala ishte REFORMA

Ah po, por mendoj se reforma në periudhën e Tanzimatit ishte shumë pak e rëndësishme po ta shohësh nga perspektiva. Në një farë mase kjo është ende e vërtetë. Liderët në shumë raste, si të thuash bëjnë një vend dhe siç e thashë Edi Rama ka bërë shumë, por mbetet shumë për të bërë dhe eventualisht dua të shoh liderë që i shërbejnë vendit.

Ne duam lider që ta bëjnë vendin dhe jo ta zhbëjnë…

Absolutisht..kjo është kritike për progresin e vendit.

500 vjet më parë Shqipëria u çlirua nga Perandoria Otomane, nuk po flasim sa luftuam, cilat ishin rrethanat gjeopolitike të kohës, por debati ende vijon, pushtues, shtypës, apo administratorë? Ishim pjesë e Perandorisë, apo drejtues të saj duke marrë në konsideratë numrat e Vezirëve? Po flisnim për trashëgiminë dhe dua t’u pues a shihni ju trashëgimi osmane 105 vjet pasi Shqipëria deklaroi pavarësinë nga Porta e Lartë?

Së pari më lejoni të them se para së gjithash është një vështrim shumë i thjeshtëzuar të thuash se otomanët ishin thjesht pushtues dhe shtypës. Otomanët kanë qenë këtu për gjysëm mijëvjeçari dhe ishin përgjegjës për rendin dhe prosperitetin. Një nga gjërat që shohim për fat të keq si historianë modernë është se shohim shekullin e 19 si test për periudhën e zhvillimit otomanëve. Në fakt nuk ka qenë ky rasti…

…periudha e rënies së Perandorisë.

Po në periudhën e kolapsit. Por këtë gjë ne e shohim edhe në pjesën tjetër të Ballkanit. Të gjithë nacionalistët e Ballkanit i shohin otomanët si shtypës dhe mendoj se kjo është shumë e thjeshtëzuar. Qartësisht ata janë përgjegjës për shumë gjëra negative, por dhe kontributi i tyre nuk duhet harruar. Sa i përket trashëgimisë, shoh gjëra, sigurisht është një pyetje e vështirë, sepse ku ta vendosim fillin dhe të ndajmë ku janë shqiptarët dhe ku është ndikimi osman? Por ndoshta qasjet autoritariste të lidershipit politik, këto gjurmë duhen kërkuar, të paktën në një masë tek otomanët. Sigurisht, trashëgimia nuk zhduket, modifikohet në një farë mase, por ajo është aty.

Shqipëria ishte kombi fundit në rajon që arriti Pavarësinë, e fundit që zhvilloi një ndërgjegje kombëtare moderne, e fundit që iku nga regjimi komunist dhe ndoshta e fundit në arritjen e objektivit strategjik në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pse kjo vonesë historike e shqiptarëve dhe e Shqipërisë?

Është pyetje komplekse dhe e ndarë në tri nënçështje. Sa i përket Perandorisë Otomane përgjigja lidhet me marrëdhënie e shqiptarëve me Perandorinë.

Drejtues të Perandorisë?

Jo vetëm drejtues të Perandorisë, por edhe kishin varur shpresat tek ajo për mbrojtje nga fqinjët që e rrethonin që kërkonin territore shqiptare. Shumë shqiptarë e panë Perandorinë si mbrojtëse të tyre deri në fund. Dhe ndoshta shumë vetë në Shqipëri më 1912 nuk do të kundërshtonin që perandoria osmane të vijonte në një formë a tjetër të luante një rol në Shqipëri. Secila prej këtyre periudhave duhet marrë e ndarë veçmas. Për historianët krijimi i një modeli/mostre është i rëndësishëm, por secila duhet parë individualisht në periudhën përkatëse.

Kufijtë e Shqipërisë u vendosën nga fuqitë e mëdha të kohës më 1913. Në fund të shekullit të kaluar falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, Kosova u çlirua. Tashmë kemi një komb dhe dy shtete shqiptare. A është zgjidhur tashmë çështja shqiptare?

Do të thoja jo. Çështja shqiptare ndofta kurrë nuk do të quhet e zgjidhur, ndoshta është më pak dramatike apo dinamike tani se në të shkuarën, por sigurisht ka çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shqiptarët, veçanërisht…

Në rajon?

Po, në rajon. Veçanërisht në vende si Maqedonia. Tani kemi një qeveri të re dhe shpresojmë që do të ketë një farë stabiliteti dhe shqiptarët do të jenë pjesë e procesit për të ecur përpara, por e dini që nacionalistët nuk është se kanë ikur, aty janë dhe mbetet të shihet nëse janë mundur politikisht jo vetëm për një palë zgjedhje.

U mundën edhe në zgjedhjet lokale!

Po, u mundën edhe në zgjedhjet lokale. Sa i përket shqiptarëve në Kosovë, nuk është e pazakontë që njerëzit që janë të lidhur me njëri tjetrin, si shqiptarët në Shqipëri me shqiptarët në Kosovë, sa i përket gjuhës, traditës, etnisë etj, të jetojnë pranë njëri tjetrit, si Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se ka ndonjë lëvizje që të jenë bashkë, pavarësisht trashëgimisë së njëjtë, gjuhës së njëjtë etj…

A po thoni se Shqipëria dhe Kosova në një të ardhme të afërt do të jenë si Kanadaja dhe SHBA?

Është e mundur. Është një nga drejtimet që mund të ecin, por është edhe mundësia e bashkimit nëse dy shtetet, ose njerëzit në të dy shtetet janë darkod, por besoj se para se të flasim për këtë gjë, duhet të shohim një stabilitet në të dy shtetet, sepse në këtë moment çdo lëvizje drejt bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, do të ishte fatkeqësisht një faktor destabiliteti, jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin.

Dua të kthehem te kjo që sapo përmendet, por doja të flisja për çështjen çame

Çështja çame është ende e rëndësishme. Është politizuar në një farë mase. Grekët, qeveria greke, është përpjekur ta mbajë atë poshtë qilimit dhe mendoj se këtu kemi të bëjmë me një padrejtësi dhe mendoj se mund të zgjidhet sapo të ketë zhvillime të tjera në Shqipëri dhe mbase sapo Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.

Përmendët Shqipërinë dhe Kosovën, shkencëtarët politikë flasin për shtete të dështuara dhe shtete të dobëta. Pse kemi për momentin që po flasim shtete të dobta?

Koncepti i shtetit të dobët ka të bëj me shumë faktorë. Një shtet mund të jetë i dobët nga pikpamja ekonomike, ushtarake, dhe kjo është e vërtetë deri në një farë mase për Shqipërinë, gjykuar nga popullsia, por edhe nga gjendja ekonomike. Por mendoj se kemi shtet të dobët sepse institucionet thjesht nuk funksionojnë ashtu si duhet.

Sa kohë i duhet institucioneve të funksionojnë si… institucione? Si institucione të forta?

Nuk ka periudhë 10 apo 20 vjeçare që mund të flasim. Për shembull demokracia amerikane ka mbi 200 vjet që funksionon dhe ende ka probleme…

…do të vijmë edhe tek këto probleme…, te situata politike aktuale në SHBA, por përpara kësaj dua të shuaj një kuriozitet: nëse dikush ju pyet për Shqipërinë apo shqiptarët çfarë u thoni?

Kam lidhje të fortë me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe u them atyre që më pyesin se vendi është i mrekullueshëm, ka potenciale të mëdha, njerëzit janë fantastikë. Sigurisht inkurajoj këdo që njoh të vij këtu dhe e bëj këtë me një ndërgjegje të qetë. Shqipëria është një vend unik në Europë sot dhe unë gjithmonë e kam dashur.

Shqipëria është e bukur, me potenciale të mëdha, me njerëz fantastik, dhe ajo që mungon është qeverisja e mirë.

Absolutisht. Ky është problemi dhe jemi plot shpresë që do të ketë progres. I gjithë koncepti tranzicionit për mua është koncept i vështirë, sepse në një farë mase është term i keqpërdorur sepse të gjithë presim që tranzicioni dikur të mbarojë, por atëherë çfarë ndodh? çfarë presim? Zhvillim të mëtejshëm. Prandaj unë preferoj të flas për nivele të zhvillimit dhe jo thjesht për tranzicion apo për mbylljen e tij.

Nuk jemi në fund të tranzicionit ende…

Jo nuk ka mbaruar ende dhe sigurisht zhvillimi do të vijoj.

Në cikle.

Absolutisht në cikle. Për shembull marrim rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë. A mbaroi tranzicioni i tyre sepse u bënë anëtarë të BE-së? Jo. u futën në një fazë të re, por qartësisht ka ende nevojë për zhvillim.

Në pjesën e fundit të programit dëshiroj të flasim për SHBA-në sot. Më e shumta e opinionit në botë u befasua nga zgjedhja e Presidentit Donald Trump. Në opinionin tuaj si ndodhi kjo?

Është proces kompleks. Në fillim dua të qartësoj se ai nuk fitoi. Humbi me 3 milionë vota.

Po edhe George Bush nuk fitoi me këtë kalkulim, siç thoni ju amerikanët është pjesë e sistemit.

Është sistemi kolegjit elektoral që u vendos i tillë në fillimet e veta për arsye të mira, dhe është shumë e vështirë tani të ndryshojë sepse është pjesë e Kushtetutës.

Ju po thoni se ai fitoi zgjedhjet, por nuk tingëllon si fitore?

Ai fitoi votën elektorale të kolegjit elektoral, por humbi votën popullore. Shumica e njerëzve votuan kundër tij. Dhe kjo në një farë mase ka komplikuar rolin e tij si President. Ai është një njeri me një ego delikate dhe ai ka paraqitur justifikime se pse ndodhi kështu dhe një nga justifikimet e tij është se shumë emigrantë të paligjshëm kanë votuar dhe kjo është arsyeja se pse ka humbur, por kjo gjë nuk mbështetet nga faktet. Por shkurtimisht dua të them se ai është tip tërheqës dhe është tërheqës për një minoritet, për njerëzit që kanë mbetur pas nga ndryshimet teknologjike, nga ndryshimet për shkak të globalizimit, njerëzit humbën vendet e tyre të punës dhe e kanë shumë të vështirë të përshtaten në botën e re. Donald Trump u ofroi atyre kthim në të shkuarën.

Duke folur për botën e re, nuk është më Kina, nuk është më globalizmi, por automatizimi, rreziku më i madh për vendet e punës?

Absolutisht. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Argumenti sot është se globalizimi ka shumë pak të bëj me humbjen e vendet të punës, automatizimi, teknologjia janë më shumë përgjegjës për humbjen e vende të punës.

Presidenti Trump është në detyrë prej 11 muajsh, cili është vlerësimi juaj për këtë periudhë?

Nuk mendoj se ka bërë më të mirën. Mendoj se në një farë mënyrë ai nuk e kupton rolin e Presidentit dhe nuk e kupton as rolin e Kongresit dhe si rezultat ai irritohet. Ai ka arritur shumë pak. Pak ligje kanë kaluar për miratim, pavarësisht faktit se republikanët kontrollojnë edhe Kongresin edhe Senatin.

Ekonomia nuk po ecën keq…

Ekonomia po ecën mirë. Por kjo është për shkak edhe të presidentit të mëparshëm. Asnjë president nuk mund të ndryshoj në 11 muaj drejtimin e ekonomisë së një vendi të madh si Amerika. Ka një trend rritës të ekonomisë, por i duhen dhënë disa kredite. Besimi në bursë për shembull është i fortë sepse Presidenti Trump ka premtuar të ndryshojë strukturën e taksave që të përfitojë biznesi dhe… po ekonomia po ecën shumë mirë.

Një vit në detyrë, por ende ka çështje të rëndësishme që nuk kanë marrë përgjigje, si ndërhyrja ruse në zgjedhje. Ka disa hetime për këtë, cili mund të jetë përfundimi tyre?

Mendoj se kjo është një çështje shumë serioze. Ka një seri hetimesh, të dy dhomat e Kongresit po hetojnë, gjithashtu edhe prokurori special, ish drejtuesi FBI, z. Muller. Besoj se do të ketë disa pasoja. Nuk jam i sigurtë që kjo do të kërcënojë presidencën Trump, por jam i sigurtë që do të kërcënojë disa njerëz që kanë qenë shumë afër tij. Kjo është një çështje tradhëtie, është çështja nëse njerëz në SHBA bashkëpunuan me një fuqi jo miqësore me SHBA për të ndikuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Dhe është shumë e qartë se Rusia ndërhyri…

…deri në ç’masë?

Ndërhynë në mënyrë të konsiderueshme duke përdorur median sociale, kryesisht median sociale, gjithashtu…

Dëmtuan procesin, por pyetja është: a ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve?

Kjo mbetet për t’u përcaktuar. Ajo që agjensitë inteligjente amerikane kanë bërë të qartë deri më tani është se rusët ndërhynë në zgjedhje, nëse kanë ndryshuar rezultatin kjo mbetet për t’u parë.

Pra nuk është pyetja: A? Por Sa?

Saktë.

Gjatë fushatës zgjedhore, në javët dhe ditët e fundit u tha nga komentatorë amerikanë se kushdo që të jetë në zyrën ovale është zyra që do të ndryshojë personin dhe jo personi zyrën. A është ende ky opinion?

Jo edhe aq. Mendoj se Presidenti Trump është unik në shumë mënyra. Kishte shumë shpresë se ai do ishte presidencial, sapo të mbaronin zgjedhjet, por në të vërtetë nuk është ky rasti. E shohim këtë çdo ditë.

Nuk janë vetëm twittet në orë të ndryshme të ditës dhe natës…

Sigurisht kjo është pjesë e kësaj, por për fat të keq është dhe mënyra se si trajton institucionet, mënyra si trajton Kongresin…

…dhe median?

Po, sigurisht edhe median. Dhe gjithë këto gjëra minojnë efektivitetin e tij si lider.

Por është thënë shpesh që Presidenti Trump mund të kontrollohet nga një staf efektiv. Kush janë njerëzit që punojnë për të?

Mendoj se ka njerëz efektiv që punojnë në stafin e tij duke u nisur nga shefi i këtij stafi, gjenerali Kelli, sigurisht sekretari Mbrojtjes Mathju që është gjithashtu një gjeneral dhe shefi sigurisë së këshillit kombëtar, gjenerali McMaster. Këta njerëz të paktën dëgjohen nga Presidenti dhe mendoj se të tjerët në Shtëpinë e Bardhë janë mediokër që nuk bëjnë shumë as për Presidentin as për vendin. Ka patur një shpresë se do të emëronte njerëz të tjerë të rëndësishëm përveç këtyre tri që përmenda, shumë nuk janë në lartësinë e detyrës.

Si ka ndikuar politika e tij “Amerika e para”, axhendën e politikës së jashtme?

Për fat të keq ka ndikuar në një farë mase të konsiderueshme, shpresoj në një periudhë afatshkurtër. Mendoj se ndikimi amerikan në gjithë botën është zvogëluar që kur erdhi Presidenti Trump. Presidenti mendon se organizatat ndërkombëtare nuk është se vlejnë shumë. Ai nuk pëlqen shumë konceptin e traktateve politike apo tregtare, por bota nuk punon më kështu.

Është mentaliteti i CEO-s (drejtorit ekzekutiv) që kërkon t’i bëj gjërat shpejt dhe në mënyrë efektive?

Po, absolutisht dhe mendoj se kjo është pjesë e asaj që ai nuk kupton se çfarë bën një President. Ai është vazhdimisht i shqetësuar nga fakti se njerëzit nuk bëjnë atë që ai thotë se duhet bërë, siç bënin kur ai drejtonte kompanitë e tij. Presidenti nuk është drejtor ekzekutiv. Qeveria nuk qeveriset si biznes.

Por qeveritë i kanë zili kompanitë për mënyrën e shpejtë të operimit, efiçensës, kostos së ulët të produktit, gjetjes së njerëzve që janë të orientuar nga rezultatet?

Po, pa diskutim, por në ndonjë rast ky është edhe problemi. Sigurisht unë bie dakord me Presidentin Trump, për faktin se në shumë aspekte ka shumë rregullatorë që pengojnë biznesin, por jo në atë masë që ai sugjeron se është problemi.

Sa i përket ndikimit në Ballkan dhe në Shqipëri? Ballkani sigurisht nuk është parësor, dytësor, tretësor dhe ndoshta as i 15 apo i 16 në listë….

Nuk besoj se do të ketë ndikim të menjëhershëm. Mendoj se Shqipëria dhe Ballkani janë totalisht jashtë radarit të tij. Ai po merret me Lindjen e Mesme, me Korenë e Veriut dhe nuk jam i sigurtë se ai e di se ku bie Shqipëria, për fat të keq.

Ai u takua me kryeministrin.

Po është takuar.

Në takimet e NATOs, për shkak të renditjes alfabetit dhe tavolinës së rrumbullakët Shqipëria e para dhe SHBA e fundit i bie të kenë ndenjur afër.

Po vras mendjen se cila mund të ketë qenë biseda. Por në përgjithësi mund të them se nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm. Një nga problemet është se Departamenti Shtetit është mënjanuar nga Presidenti Trump. Ai nuk e konsideron Departamentin e Shtetit të rëndësishëm si pjesë e qeverisë. Ai ka sugjeruar shkurtime të rëndësishme të fondeve ka pushuar nga puna një seri zyrtarësh të lartë dhe nuk i ka zëvendësuar. Nga ajo që unë kuptoj është se morali në Departamentin e Shtetit është shumë i ulët. Sekretari i Shtetit Tillerson është përshkruar si “njeri i mbaruar”, marrëdhëniet e tij me z. Trump janë shumë të ftohta dhe pyetja nuk është a do të largohet, por kur do të largohet dhe askush nuk e di kush do ta zëvendësojë atë. Ka një rrëmujë në Departamentin e Shtetit që ndikon në politikën ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë dhe kudo tjetër. Kam mendimin se ambasadorët e kanë shumë të vështirë të marrin përgjigje për kërkesat e tyre ndaj Departamentit të Shtetit.

Perspektiva për të ardhmen nuk duket shumë e ndritur?

Perspektiva për të ardhmen e afërt nuk është shumë e mirë, por për shkak se SHBA ka institucione të forta dhe shtet ligjor edhe nëse është shkaktuar dëm mund të zhbëhet.

Kur je në Tiranë, ju e dini ku është pushteti, por kur je në Uashington ju nuk e dini se ku është pushtetit: Presidenti? Senati? Kongresi? Gjyqësori? Media? Think Tanket? , Si po mbahen këto institucione?

Në përgjithësi institucionet mbahen shumë mirë. Media mendoj është shumë në shënjestër dhe është për të ardhur keq, por mendoj se media si institucion është i fortë. Në një perspektivë afatgjatë nuk shoh ndonjë dëm serioz, por në një periudhë afat shkurtër u bënë ca dëme.

Siç thotë dhe proverbi: nëse nuk luan tenis me një lojtar të fortë, nuk do të përmirësohesh kurrë. Në kët kuptim media po përmirësohet.

Po mendoj se media po përmirësohet, ka probleme me disa aspekte. Kanalin Fox, për shembull e gjej shumë problematik duket si armë e shtetit në shumë drejtime dhe kjo është krejt e pazakontë për skenën mediatike në SHBA. Dëshiroj që kjo gjë të zvogëlohet, por do ta shohim.

Pyetja e fundit: projekti juaj i ardhshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët? Libër apo ndonjë punë tjetër që keni në dorë?

Po. Kam disa projekte. Pres të dal në pension, por koha pensionit qenka mesa duket më sfiduese se koha kur punoj. Por po shkruaj… më kanë kërkuar….

…kjo është arsyeja se disa njerëz në Shqipëri nuk dalin kurrë në pension në institucionet publike sepse po dolën u duhet të punojnë më shumë.

Po, duhet të kisha marrë parasysh këshillën e tyre. Po punoj për një seri projektesh, më të shumtën për Botimet e Universitetit të Kembrixhit në Angli. Shpresoj të vijoj me kontributet e mia dhe mezi pres të shoh që të tjerë do të marrin atë që kam bërë unë dhe të vijojnë më tej. Është një proces që nuk ndalon.

Please follow and like us: