Fshati indian merr emrin e Trump
Ekziston kulla ”Trump” në mes të Nju Jorkut apo hotelet ”Trump”, plot luks, nëpër qytetet e botës, tani do të ketë edhe fshati Trump, një fshat i humbur në Indi që ka vendosur të ndërrojë emrin. Marora, një komunë e varfër dhe rurale e shtetit të Hariana (veri) pranë Nju Delhit, ndryshoi emrin në “Fshati Trump” për nder të presidentit amerikan, disa ditë para vizitës së kryeministrit indian Narendra Modi në SHBA. Një poster gjigant që njofton “Mirëseerdhët në fshatin Trump”, i zbukuruar me një foto të miliarderit amerikan duke buzëqeshur, ndodhet në hyrje të fshatit. Rrethuar me lule, posterat e banorit të Shtëpisë së Bardhë ndodheshin të vendosura kudo në këtë fshat me rreth 20 shtëpi prej balte. Ndonëse ceremonia e ndryshimit të emrit u drejtua nga krerët e komunitetit dhe një OJQ indiane, emri “Trump” nuk ka asgjë zyrtare. Qeveria lokale nuk është shprehur për këtë çështje.