Kreu i Pentagonit viziton Egjiptin
Kreu i Pentagonit, Jim Mattis u takua me presidentin egjiptian, Abdul Fattah el-Sissi në Kajro, para një konference kundër ekstremizmit, përqendruar në Afrikën Perëndimore nesër.
Gjatë takimit, Sekretari Mattis shprehu ngushëllimet për sulmin e fundit terrorist ndaj një xhamie në Bir al-Abed të Egjiptit dhe e vlerësoi Egjiptin si një partner strategjik mbrojtjeje me Shtetet e Bashkuara.
Mattis theksoi rëndësinë e Egjiptit për stabilitetin në Lindjen e Mesme, si edhe luftën e vazhdueshme të Egjiptit kundër terrorizmit dhe përpjekjet për të mbrojtur kufijtë e Egjiptit.
Në fluturimin për të Kajro, zoti Mattis u tha gazetarëve se bashkëpunimi për kundër-terrorizmin me Egjiptim po rritet.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për lidhje të forta me Kajron, megjithëse kanë ngrirë një pjesë të ndihmës ushtarake për Egjiptin për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut, në fillim të këtij viti.
Egjipti ishte ndalesa e parë në një turne në katër vende të Sekretarit të Mbrojtjes, gjatë të cilit do të shkojë edhe në Jordani, Kuvajt dhe Pakistan.
Udhëtimi bëhet ndërsa ushtria amerikane po e zhvendos fokusin në Lindjen e Mesme, pasi e ka nxjerrë grupin militant Shteti Islamik jashtë kailifatit të vetëshpallur në Irak dhe Siri.
Një nga pikat më të rëndësishme të udhëtimit do të jetë trysnia ndaj Pakistanit për t’i dhënë fund lidhjeve që mendohet të ketë më grupe ekstremiste që kanë sulmuar trupa amerikane dhe të koalicionit në Afganistan.