Ambasada e SHBA informohet për zhdukjen e tre dosjeve të bujshme
Zhdukja e tri dosjeve të rëndësishme në Prokurorinë e Elbasanit, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, ka çuar në dyert e policisë një prokurore të Elbasanit, ndërsa për kallëzimin është njoftuar edhe Ambasada e SHBA-ve, raporton “BalkanWeb”.
Burime nga policia thanë se katër ditë më parë, prokurorja Armanda Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e saj mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ka kqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë.
Sot, kallëzimi i prokurores së Elbasanit Armanda Xhaferri i është vënë në dispozicion edhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Pak ditë më parë Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gyqësor Tiranë për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.
Armanda Xhaferri, me detyrë prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në 02.12.2017. ka bërë kallëzim në policinë e Elbasanit pasi kur ka shkuar në zyrë ka konstatuar se i kishin humbur 3 fashikuj të proçedimeve penale, materiale të Task Forcës për hetimin e korrupsionit.
Grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit (zyrës), nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë dhe ka dyshime se janë marrë nga punonjës të kësaj prokurorie, pa dijeninë e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Një burim zyrtar konfirmoi se materiali i kallëzimit në fjalë i është vënë në dispozicion Ambasadës USA që në fundjavë.
Prokurorja Armanda Xhaferri njihet në Elbasan si një nga prokuroret që po heton çështje nga më të rëndësishme.