Ermonela Felaj: Sajesat ligjore inkurajojnë dhunuesit
“Të jesh grua nuk është e lehtë, është një sfidë e përhershme, e cila fitohet duke mos lejuar sajesa ligjore që inkurajojnë dhunuesit”. Kështu u shpreh pasditen e sotme në Kuvend deputetja Ermonela Felaj. Në fjalën e saj, ligjvënësja e Partisë Socialiste theksoi se sfidat e femrave sot kapërcehen duke i dhënë rëndësi dhe seriozitet masave pozitive me karakter gjinor. “Në debatin tonë parlamentar duhet të shtojmë diçka të re, përcaktimin e instrumentave që matin dhe tregojnë sa është buxhetimi çdo vit për gratë. Duke punësuar më shumë gra nëse duam të sigurojmë rritje ekonomike, duke shkolluar vajzat” – tha Felaj, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Pasditen e së hënës, Kuvend i Shqipërisë ka marrë në shqyrtim projekt-rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike për Dhunën në Familje.