Jamarbër Malltezi: 5 arsye pse dështoi qeveria për përmbytjet
Më quani të vjetër po të doni, por unë nuk kam asnjë fjalë të mirë për këtë qeveri me këtë situatë. Dhe këtu nuk është veç fjala se po i kthej kusurin Edi Ramës për deklaratat gomarllëqe që lëshonte në 2010 se nga një zyrtar i korruptuar dhe pashkollë rrallë pritet ndonjë fjalë e mençur. Situata e përmbytjeve është e turpshme. U përmbyt gjithë vendi veç me një ditë shi. PA RREBESH fare. Miliona euro dëme për qytetarët e pafajshëm dhe qeveria bën vetëlavdërime dhe furçë për fasadë. Çfarë dimë?
- Në përmbytjet e 2015 Edi Rama u kap në gënjeshtër kur deklaroi se kish investuar në kullime sa 20 vjet të marra së bashku dhe i treguam se në fakt buxheti faktik i 2014 për kullimin ishte 10 % më i ulët sesa 2013! U detyrua t’a modifikojë gënjeshtrën më pas se kinse po thoshte se pas përmbytjeve do investonte sa për 20 vite bashkë, por sot të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë edhe të kësaj gënjeshtre.
- Nuk pranoi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në 2015 dhe nuk pranon t’a shpallë as tani. Nuk pranon të dëmshpërblejë asnjë familje as qindarka, ndërsa me ministrat e tij po vjedh qindra milionë euro me aferat e inceneratorëve.
- Nuk ka marrë masat e duhura për hapjen e kanaleve të kullimit përderisa u mbyt vendi me veç 2 ditë shi dhe pa rrebeshe të mëdha.
- Fondi për emergjencat civile është 1.3 milionë euro, fiks sa ç’është bonusi I vjedhjes që ndajnë çdo vit me Vilmën për analizat e pakryera, ndërsa fondi për të zëvendësuar gomarllëkun e Ramës me palmat është plot 2.5 milionë euro! Vetëm vjedhja e parave nga afera e inceneratorit “me çelësa në dorë” të Fierit është sa 10 vite të fondit të emergjencave!
- Qysh 3 ditë përpara njoftuan Italianët dhe Grekët për përmbytjet dhe masat parandaluese. Asnjë masë parandaluese nuk mori qeveria dhe madje asnjë paralajmërim për bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës kur lëshoi ujet e Rezervuarit të Kasharit dhe përmbyti me autostradë dhe biznese pa asnjë paralajmërim (dhe pastaj do i çojë edhe tatimet dhe hetimet tatimore bizneseve në vend që t’iu llogarisë dëmin e shkaktuar nga paaftësia ulëritëse dhe inekzistenca e bordeve të kullimit që marrin paratë pa kryer asnjë punë).
Gjynah banorët që janë të vetmuar në këtë fatkeqësi se përveç policëve dhe ushtarëve që i kanë çuar të ndihmojnë pas katastrofës (në vend që të merrnin masa parandaluese), qeveria ka dështuar totalisht.
Please follow and like us: