Kotzias, optimist për marrëveshje pozitive me Shqipërinë
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje për çështjet e hapura me Shqipërinë, që sipas tij do të jetë pozitive për të dy palët.
Në një intervistë për të përditshmen greke “Ethnos”, Kotzias për herë të parë ka folur publikisht pas takimit me homologun e vet Ditmir Bushati në Kretë.
I pyetur nga gazetari “nëse pas takimit mjaft të gjatë me homologun shqiptar në Kretë, a jeni optimist për një zgjidhje-paketë të problemeve midis të dy palëve”, Kotzias është përgjigjur:
“Përmes historisë së përbashkët të dy popujve tanë, u krijuan ndërvarje të shumëfishta, linja konflikti dhe shanse për miqësi. Duhet t’i zgjidhim problemet e të kaluarës, të punojmë për një të sotme më të mirën e mundshme dhe të garantojmë një axhendë pozitive bashkëpunimi për të ardhmen”, thotë në intervistë ministri i jashtëm grek dhe shton:
“Sa u përket problemeve dhe mundësive për aksione të përbashkëta, ka çështje që i interesojnë më shumë palës shqiptare dhe çështje të tjera që i interesojnë më shumë palës greke. Përballimi bashkarisht i këtyre problemeve përbën atë që në teorinë e negociimeve quhet “zgjidhje paketë”. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë, kështu që të shkojmë në një marrëveshje e cila do të jetë pozitive për të dy palët”, ka deklaruar Kotzias.
Më tej, ministri i jashtëm grek është pyetur nëse konstaton “shenja ndryshimi në qëndrimin e qeverisë Rama kundrejt Athinës”.
“Po shoh se është kuptuar që rruga europiane e vendit është më e rëndësishme se disa çështje të tjera të caktuara. Lexova dhe deklaratat e fundit të zotit Rama, ku flet për zhvillimin e një marrëdhënieje strategjike midis Greqisë dhe Shqipërisë. Këto janë fakte pozitive. Ndihmojnë në krijimin e besimit reciprok”, ka thënë ministri i jashtëm grek.
Kotzias pastaj është ndalur në qëndrimin e partisë më të madhe opozitare Demokracia e Re, e cila para disa ditësh kritikoi takimin e Kretës, duke reaguar në deklarata që kryeministri shqiptar i kishte bërë para një viti.
“Më lejoni të vë në dukje që opozita mori një lajm inekzistent dhe të rremë, një “fake news” që bazohej në një fjalim të zotit Rama para një viti, pra në rrethana krejt të ndryshme. Opozita e paraqiti sikur fjalimi të ishte mnbajtur dje dhe pastaj shtiu me batare kundër Shqipërisë dhe meje që po bëjmë negociata. Këto janë taktika idiote dhe nuk ndihmojnë aspak”, thekson ministri i jashtëm grek.
Në intervistë, ministri i jashtëm grek thekson edhe një herë mbështetjen e Athinës për anëtarësimin e ballkanit perëndimor dhe Turqisë në BE.
“Nëse dikush do të jetë i fituar nga anëtarësimi i këtyre vendeve në BE, nga demokratizimin dhe europianizimi i tyre, kjo është Greqia. Mirëpo do të duhet që ato vende të përmbushin kriteret dhe kushtet që u janë vënë me qëllim që të bëhet diçka e tillë. Kushte që kanë interes të drejtpërdrejtë për Greqinë dhe që shpesh ishin propozime tonat”, përfundon ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias./Tribunanews/