“Kukulla” e Kadaresë, një roman që lexohet me një frymë
Sulejman Mato
Ka ndodhë që të blej një roman në librari dhe ta nisë leximin qysh te stenda, pa u dhënë rëndësi personave që më shohin me çudi. Kjo gjë ka ndodhur fillimisht dhe me librin poetik “Shekulli im” (1959) i cili i theu të gjitha klishetë e poezisë së kohës. Kjo gjë ndodh sot, pas 60 vjetëve, me romanin e tij të fundit “Kukulla”. Tani që po hedh në letër këto shënime për këtë roman të mrekullueshëm, mendoj ftohtësisht, se çfarë sekreti duhet të ketë një shkrimtar i vërtetë, që të rrëmben qysh në faqen e parë dhe të detyron ta lexosh me një frymë. Kjo ndodh pasi, përveç stilit të tij brilant të rrëfimit, shkrimtari di të prekë subjekte intriguese dhe tema të rëndësishme për njeriun dhe kombin. Tema e romanit është tejet e thjeshtë dhe tejet personale.
Sipas E. Muir “Mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë asnjëherë të thjeshta”. Mënyra se si fillon romani, me një lajm të keq, që të mban qysh në fillim në suspans. Në kapitullin vijues, autori i thyen të gjitha rregullat e rrëfimit, duke kaluar në një kohë para-Kadare, te fejesa e një vajze të familjes së njohur të Dobatëve. Më pas ngjarjet zhvillohen në familjen Kadare, për të cilën kushdo që ka lexuar veprat e shumta të Kadaresë, do të ishte kureshtar të dinte dicka më shumë, mirëpo, autori dhe këtu jep aq sa duhet dhe, aq sa duhet thënë, duke sjellë dhe ca imtësi tejet origjinale, të cilat vetëm një shkrimtar i vërtetë mund t’i konstatojë.
Them me bindje se një roman të tillë të tipit “biografi familjare”, mund ta shkruante vetëm një shkrimtar me përvojë të gjatë si I. Kadare,duke nxjerrë “nga thesi i kujtimeve”, ca imtësi që përbëjnë sekretin e letërsisë së vërtetë. Unë e kam kaluar fëmijërinë në sokaqet e Gjirokastrës, shtëpinë e kemi pasur pranë Dobatëve, në oborrin e Dobatëve loznim me Rexhepin. Më kujtohet se si, aneja e Rexhepit na ndiqte pas me fetat e bukës, lyer me marmalade.
Pra, unë, lexues dhe dëshmitar njëkohësisht i atyre mjediseve dhe personazheve të një kohe të largët, sigurisht, do ta shijoja dhe më shumë “Kukullën” e dhe çastin kur ajo niset në shtëpinë e madhe të Kadarejve. Magjia e penës së Kadaresë më gjallëroi pamjet e viteve pesëdhjetë, Qafën e Pazarit, portën e madhe të shtëpisë së doktor Vasilit, shkollën “Drita”, gjimnazin “Asim Zeneli”, shtëpinë e rrënuar të Hoxhatëve, shtëpinë aristokrate të Kokalarëve, gjer te legjendari “Sokak i të marrëve” i njohur në gjithë botën prej romanit të Kadaresë “Kronikë në gur”.
“Çdo autor nxjerr ujë nga pusi i vet” thotë shkrimtari Milan Kundera. Pusi i Ismailit është Gjirokastra. I. Kadare ka kohë që hedh kovat në atë pus të thellë me ujë qelibar. Hidh kovën e nxirr nga një roman. Kujtimet e mia përzihen me kujtimet e autorit, pasi, autori jo vetëm në këtë roman,por dhe në romanet e tjera, si “Qyteti pa reklama” “Kronikë në Gur”, “Çështje të marrëzisë”,”Darka e gabuar” etj., përshkruan episode, personazhe, rrugë, zakone dhe mjedise nga qyteti i gurtë, por nuk shkruan kujtime, ai na shfaq artistikisht shkumën e kujtimeve.
Dhe në këtë roman të ri, autori, edhe pse më së fundi i afrohet me dinjitet përshkrimit surealist të nënës së tij, nuk ka ndëmend të sajojë një nënë kukull, as të trillojë ngjarje befasuese, as të fantazojë një qytet të pa qenë. Ajo është Gjirokastra, me personazhet e saj realë, me rrugët e saj reale, me zakonet, bisedat, legjendat, tipat realë.
Ky realitet jo i shpikur, ose me pak shpikje, futet me guxim në letërsi dhe me një siguri të papërballueshme, duke i thënë jo vetëm lexuesit që i njeh mirë ato ambiente, por dhe lexuesit tjetër, të madh, se kjo është nëna e tij reale, ky është qyteti ku u rrit ajo dhe ai, dhe kjo është letërsia. Lexon romanin dhe vëren me kënaqësi se është po ai stil psikologjik i të treguarit, është po ajo letërsi që I.Kadare ka dhe te romanet e tjerë…Një realizëm i thellë, përzier me pak magji trillimi. Kështu nisi Kronika…, Gjenerali. Kështu nisi dhe “Dasma”’’ e cila fillimisht u quajt nga Ll.Siliqi, në diskutimin e tij të gjatë ,”himn për klasën punëtore” . “Problemi që një shkrimtar kërkon të zgjidhë në punën e tij është një problem që u takon të gjithëve”- thotë J.P.Sartre.
Atëhere unë jetoja në Berat, arsimtar. Fati im që ishte dhe Ismaili në Berat dhe mundja ta ndjek me kujdes jetën e tij dhe krijimtarinë e tij…Të prekje një temë të tillë aq aktuale, të futje ne letërsi, për herë të parë klasën punëtore, aksionet, rindërtimin e hekurudhave, të kapje temën e ditës, ishte një risi që nuk mund ta bënte kushdo. Duhet të shqetsoheshe vërtet për fatet e vendit tënd që të shkruaje “Dimrin e vetmisë së madhe…”duke futur personazhe dhe njerëz realë, ngjarje reale, madje si personazh dhe E.Hoxhën, një gjë tepër e frikshme dhe e guximshme në ato vite…
“Eksperimentimi që nuk thellohet në problemet themelore të shoqërisë sjell rënie të publikut” thotë nobelisti Pessoa. Kjo gjë nuk ka ndodhur me poezitë e Kadaresë si “Fillrojtësi”. Njeriu me shat” ,‘”Mësueset e fshatit” ku thyheshin klishete e një poezie të vjetëruar duke futur me guxim heronj te gjallë dhe temat të kohës.
Kjo gjë ka ndodhë me 20 romanet e tij, gjersa erdhi tek ky roman intim, njerëzor, human tepër i veçantë, tepër i thjeshtë në stil, tepër muzikal në frazë, tepër poetik në ngjarjen që trajton.
Gjatë gjithë këtyre viteve romanet e I.Kadarese i kam me emocion dhe i kam lexuar me një frymë. Nuk kam shkruar për to. Kam heshtur? Po. Kam heshtur modestisht, sic hesht një mik për mikun, kur të tjerët e lavdërojnë në sy. Më janë dukur gjithmonë natyrale sukseset e tij. Është detyrë e kritikës, thoshja.
Ndërkohë që vëreja rreth e rrotull që kritikë nuk kishte. Kritikët dhe studiuesit e letërsisë kishin nisur të vdisnin, njeri pas tjetrit. U desh ky libër, i lehtë si lehtësia e Kukullës, që hyri si një hije në familjen e madhe të Kadarejve, e që lindi tre fëmijë, më i madhi do të bëhej dhe më i madhi i letrave shqipe…që unë të ulesha e të shkruaja.
Po dhe autorit, iu desh tetëdhjetë vjet jetë, kur të sigurohej nga zoti se do të jetonte shumë gjatë, të ulej e të shkruante një libër si ky, për nënën dhe për jetën e vet. Nëna të tilla, të heshtura dhe të pa pesha në famijen e prindërve, por dhe pas lindjes së tre fëmijëve janë shumë të dhëmbshura. Ishte “kukulla” ajo që kishte lindur atë, që më vonë do të quhej ”gjeniu i letrave shqipe.” Shkrimtari Kadare,pas krijimit të qindra personazheve realë e gjysmë realë, një ditë do të kujtohej se kishte harruar pa përmendur një grua që e priste pas dere. Ishte ajo, Shën Mëria e autorit, e cila, i ngjante “maskave të teatrit japones”,apo heshtjes sublime të Mona Lizës. E lehtë si ajri, e rëndë si kujtimet..,Priste që të futej në një libër.
Ky roman s’ mund të shkruhej më parë. Më pas jo e jo. Mjeshtër në dhënien e atmosferës së kohës dhe nxjerrjen në dritë të disa imtësive të cilat përbëjnë bërthamën e letërsisë…”shkrimtari ruan artin e të gjeturit të fjalëve plot shkëlqim”Sartre.
Për një lexues serioz Kadareja është një shkrimtar që duhet lexuar me laps në dorë. Për të kapur fjalë të humbura dhe të reja, shprehje filozofike psikologjike dhe humoristike. Edhe pse në qendër të romanit autori vendos nënën, është një fëmijë inteligjent që vëzhgon imtësitë e asaj familjeje.
”Gjithçka në atë shtëpi ishte ndërtuar enkas për të ruajtur sa më gjatë ftohtësinë dhe moskuptimin”- shkruan autori, për familjen e vet. Personazhet, si Xhexheja, Izmini Kokobobo, gjyshja, Shahini, Helena, janë personazhe realë. Në atë shtepi të madhe, me mëri të fshehura duhet të ishe vërtet një qenie e heshtur “kukull” “me naivitetin e saj të papëlqyer” në kuptimin e një “përzierje bardhësore dhe gipsi, enigmë, si në ato maskat e teatrit japones, për të përballuar denjësisht konfliktet e zgjatura përtej kufirit të tejzagjatjes”.
Në këtë roman në pjesën e parë gjen atmosferën e një kohe kur edhe pse hynte një nuse e re në shtëpi, kyçet e dollapeve duhet t’i mbante nënëmadhja. Në pjesën e dytë, autori bën një truk tjetër. Historinë e nuses së vjetër të Kadareve e zëvendëson me historinë e nuses së re të Kadarejve, shoqja jonë e kursit, shkrimtarja e njohur, Helena Gusho. Edhe pse në pjesën e dytë të romanit ka më shumë jetë dhe atmosferë tiranase, unë do të doja të dija diçka më shumë për “Kukullën”. Biseda e fundit me të ishte një çast para nisjes së familjes Kadare në Paris. Ajo i kishte bërë një pyetje të çuditshme të cilën duhet ta kishte menduar gjatë: “Francez je tani?” Një pyetje e cila, sado për të qeshur të ishte, më pëlqeu shumë. Mund ta kisha bërë dhe unë.
Do të doja të shkruaja dhe më gjatë për këtë roman të ri kaq mbresëlënës dhe për ta ilustruar më konkretisht me thënie të spikatura, me figura dhe shprehje inteligjence dhe humori, njëkohësisht, duke treguar dhe një farë pendese për atë që unë për vite me radhë, edhe pse i kam lexuar me padurim të gjitha veprat e Kadaresë, nuk kam shkruar asnjë fjalë në shtyp, mirëpo, çfarë t’u themi botuesve tanë që kanë filluar t’u vënë limite shkrimeve tona.
Një arsye tjetër, është dhe përshtypja e keqe e disa “titullarëve të letrave shqipe”, të cilët, ashtu si unë, gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar një heshtje fyese ndaj krijimtarisë së Kadaresë. Mund të kenë pasur arsye. Si për shëmbull; “Ismaili i arriti të gjitha ato që donte dhe në sajë të ndihmës së shtetit”, ose; “Ismaili nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve, se po të donte ai dhe Driteroi…” Ose; “Ismaili dhe Driteroi pas krijimit të kultit të vet, nuk bënë asgjë për të tjerët”. Mund të jenë të pranueshme të gjitha, mirëpo, unë që s’kam pasur kurrë ndonjëherë xhelozi për të tjerët arsyetoj me mendje të qetë.
Të krijojmë veprën tonë. Të bëjmë atë që bëri Ismaili, që bëri dikur Jeronimi, Migjeni, Noli, Mjeda. etj. Një shkrimtar, thotë diku Ismaili, “lë lëkurën si gjarpëri”. Kadareja e krijoi veprën e vet. Sikur ta bënte çdo shkrimtar këtë gjë Shqipëria do të kishte dhe shumë shkrimtarë të njohur në botë.