Bregu: 2018, shans i madh për çeljen e negociatave
Ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu në një intervistë për Report Tv duke komentuar vizitën e kryeministrit Rama dje në Bruksel, shprehet se sinjalet janë pozitive që të hapen negociatat në vitin e ardhshëm.
“Vijojnë thirrjet për të vijuar zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Besoj se dje kishte një sinjal që ishte pozitiv, të paktën në deklaratën e Presidentit të KE, pasi artikuloi mundësinë në 6 mujorin e ardhshëm.
Duke filluar nga qershori i vitit të ardhshëm do të ketë një vendimmarrje, por varet nga propozimi i komisionit në Prill. Unë uroj që të jetë sa më shpejt dhe të mos zgjatet dhe shtyhet në kohë, pasi do e bënte më të pamundur çeljen e negociatave.
Besoj se 2018 ka shanset më të mëdha, në 2019 situata vështirësohet pasi PE ka zgjedhjet, por edhe vende të tjera, lëvizjet populiste janë zgjedhuar vitet e fundit. Në 2018 është viti në të cilin shanset janë maksimale.
Nuk pret njeri që të zgjidhim problemet në 6 muaj, priten që të tregon. Monitorimi ka filluar nga momenti që një raport dorëzohet deri në vitin tjetër, pra mbi një vit. 5 prioritetet janë vendosur këtu e 4 vite më parë, prandaj nuk pret njeri ndryshime kolosale në 6 muaj, por sinjalet e para të veprimit”, u shpreh Bregu.