Brikena Prifti: Meditim për “artistin e rrugës”…
Dhe sikur të mos mjaftonte ai ftohti i acartë që sapo zaptoi kryeqytetin, duke më bërë të kërcas dhëmbët teksa eci rrugëve të Tiranës, ndjeva një tjetër lëmsh të më mblidhej në grykë…
Kisha kohë që nuk kaloja andej nga shkolla e Inxhinierisë së Ndërtimit, që për disa vite u bë lagjia e shtëpisë sime.
ëmbëlsisht më erdhën në vesh tingujt e violinës së atij “artistit të rrugës”, që plot entuziazëm vazhdonte t’i binte telave të saj, dhe mbi të cilën kishte mbështetur fytyrën e imët e disi të rrudhosur. Ndoshta nga mosha, ndoshta nga hallet, kushedi?!
Vazhdonte të ishte po aty, me një palë syze me xhama të hollë të vendosura mbi ata sytë e përhumbur që ma tregonin qartë pamjen e një njeriu të lodhur nga jeta i cili vazhdonte të qëndronte në pritje të disa të hollave, duke më dhuruar pak nga arti i tij në këto ditë që unë i konsideroj si më të bukurat e vitit.
E duke ecur ngadalë me 100 gjëra që më silleshin në mendje, ato tingujt e violinës mu ngatërruan me kërcitjen e një pale takave mbi trotuar.
Aq mu desh për të filluar të mendoj se sa e padrejtë është kjo botë! Dhe jo, nuk e konsideroj të padrejtë se ajo kishte veshur taka firmato dhe ecte plot siguri mbi to.
Por zot, sa ti kenë kushtuar vallë?!
Ndoshta sa gjysma e rrogës së një bashkëmoshatares sime që ka përfunduar universitetin, e punon në ‘Call center’ sepse e ka kaq të vështirë të gjej një vend pune të qelbur në shtet sepse nuk ka miq e lekë për të punuar në një pozicion që do ta bënte të mburrej para të gjithëve se ja ka dalë.
Ose ndoshta sa e gjithë rroga e pastrueses së ish punës sime që rropatej me vrap gjithë ditën në shërbim të gjithkujt për të mbyllur me ndershmëri ditët e saj të një muaji plot me halle.
Sa botë e padrejtë mendoj, teksa e mbuluar ngrohtë në dhomën time të gjumit, kam akoma në vesh tingujt e violinës së “artistit të rrugës” që ishin po aq të ëmbla sa hidhërimi i atyre takave zhurmuese firmato të saj.