Akuzat për ngacmime seksuale, dorëhiqet senatori
Listës së personave publikë që akuzohen për ngacmime seksuale i është shtuar këto ditë edhe Senatori demokrat Al Franken. Në një konferencë për mediat ditën e sotme Al Franken tha se do të tërhiqet nga posti në javët e ardhshme.
“Jam krenar që gjatë kohës sime në Senat kam përdorur fuqinë time për të qenë kampion i grave”, tha Senatori i Minesotës nga Senatit amerikan.
Njoftimi erdhi pasi dhjetëra demokratë i kërkuan atij të jepte dorëheqjen.
“Shpresoj që ai ka për të bërë gjënë e duhur, të japë dorëheqjen”, – tha më herët senatorja Hirono.
“Ka pasur një sërë akuzash serioze; kur të flasë para elektoratit në shtetin e tij të Minesotës, më e mira për të do të ishte që të jepte dorëheqjen”, – tha senatori Merkley.
Akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale ndaj senatorit demokrat, ish-komedian që u zgjodh ligjvënës, u ngritën muajin e kaluar, kur një folëse e radios së Los Anxhelosit dhe ish-modele, tha se Franken, e kishte ngacmuar dhe ishte përpjekur ta puthte me forcë, kur të dy ata kishin shkuar në një turne shfaqjesh për trupat amerikane në Lindjen e Mesme.
Kërkesat për dorëheqjen e Al Frankenit erdhën pasi ligjvënësi demokrat 88-vjeçar John Conyers, që ka shërbyer më gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve dha dorëheqjen pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale.
Ka disa javë që në Shtetet e Bashkuara po ngrihen vazhdimisht akuza për ngacmime seksuale: dhjetra burra të fuqishëm nga bota e politikës, biznesit, artit dhe medias, kanë humbur vendet e punës, pasi një numër grash kanë zbuluar në publik me detaje rastet kur ato janë ngacmuar dhe abuzuar seksualisht.