Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Prifti: Për Komitetet e Pajtimit të Gjaqeve…

 

Para disa ditësh në njërën nga të përditshmet shqiptare lexova një shkrim të një anëtari të të vetquajturve Komitetet të Pajtimit të Gjaqeve. Nuk e njoh personin në fjalë, por më habiti qëndrimi i tij ndaj gjakmarrjes dhe sidomos roli i komiteteve ku bënte pjesë edhe ai, në të ashtuquajturin “pajtim”.  Së pari mendoj se këto komitete janë jashtëligjorë, bile mund të them se janë pjellë duke shtrëmbëruar kanunin e dikurshëm, pjellë e dështuar e asaj kryeevepre që ka krijuar Malësia në shekujt e Mesjetës. Është e vërtetë që komitetet të kësaj natyre janë krijuar në Kosovë me punën e palodhur të njërit prej patriotëve më të spikatur kosovarë, shkencëtarit etnograf, Anton Çetta. Komitetet eAnton Çettës ishin armë e fuqishme në luftën kundër pushtuesit sërb. Ata u krijuan në kohën kur në Kosovë ishte akoma pushtuesi sërb, u krijuan në kohën kur kosovarëve u duhej të ishin të bashkuar, kur ata duhet të linin mënajnë çdo armiqësi, sepse armiku kryesor i tyre në ato vite ishte pushtuesi. Duhej bashkuar populli nën një dëshirë të vetme: në luftën për liri dhe pavarësi.

Del pyetja: A është sot e njëjta gjendje në Shqipëri si në Kosovë në vitete ’90-të të shekullit të kaluar ? Jo ! Shqipëria nuk është nën diktaturë dhe aq më pak e pushtuar, bile as e kërcënuar për tu pushtuar nga dikush. Sot Shqipëria është e sigurt, sepse është anëtare e NATO-s.

Të nisur nga kjo pikpamje Shqipëria nuk kërcënohet nga jashtë. Atë, të paktën një pjesë të saj e kërcënon gjakmarrja. Sot dukuria e gjakmarrjes dhe jetgjatësia e saj nuk mund të justifikohen dhe aq më shumë nuk mund të justifikohen të ashtuquajturit komitete. Në kohën kur Kanuni ishte ” kushtetuta” në Malësi ishin plotsisht të pranuar njerëzit, që merreshin me pajtimin e gjaqeve, gjithçka justifikohej dhe mbështetej në Kanun. Ata që komentonin Kanunin ishin njohës shumë të mirë të tij, ishin njerëz me autoritet personal, të njohur kudo, të besuar nga gjaksit dhe nga të dëmtuarit. Përveç atyre një rol të veçantë, në mungesë të shtetit ligjor, luante edhe kleri qoftë me lutje, këshilla, ndihma materiale etj. Komitetet janë organizëm joligjor, nuk mbështeten në asnjë ligj të aprovuar nga parlamenti për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Është për tu habitur kur ata flasin për dokumente, për vërtetime në ndihmë të atyre që kërkojnë azil në Evropë e gjetkë. Është apo nuk është i rrezikuar ky apo ai individ në Shqipëri, e vendos ligji, gjykata dhe jo një komitet i tillë. Mirë qëmoti nuk kishte shtet, nuk kishte as polici, as prokurori, gjykatë, punonjës socialë, psikologë etj. organe, që sot i ka shteti ligjor dhe atëhere mund të mendosh se ishin të justifikuar “pajtuesit” e gjaqeve. Po sot ? Kjo të habit ! Sot  ka shumë organe dhe organizma, që merren me qetësinë publike, që zbatojnë ligjet, që sigurojnë jetën njerëzore. Shkurt, sot janë jashtë kohës komitete të tillë, që më shumë i fryjnë zjarrit të gjakmarrjes se sa e shuajnë. Komitetet shfrytëzojnë paditurinë, mosnjohjen e Kanunit të dikurshëm, të atij që regjistroi Lekë Dukagjini, shfrytëzojnë injorancën e një zone të caktuar, veprimtarinë e vekët të organeve policorë etj. Askush nuk e di me saktësi se sa familje janë sot në gjak me njëratjetrën, sa fëmijë kanël lindur të ngujuar dhe janë pa shkollë, sa të moshuar, gra e burra janë ngujuar etj. Komitetet nuk bëjnë gjë tjetëv veçse lidhin shekullin eXXI-të me Mesjetën. Si mund të vritet stërnipi, se stërgjyshi i tij paska vrarë stërgjyshin e shokut të klasës?!

Gjakmarrja është një plagë në trupin e Malësisë që na turpëron edhe si popull në tërësi, që tregon prapambetje shekullore, që pengon edhe hyrjen tonë në gjirin e Evropës. Parlamentarët tanë duhet të mendojnë për një ligj të veçantë, që të ndalojë rreptësisht një dukuri të tillë mesjetare.

 

Please follow and like us: