Astrit Patozi: Gëzuar 8 dhjetorin, si ditë pushimi
Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në këtë vend me aspiratën e studentëve të dhjetorit 90′, që e donin Shqipërinë si gjithë Europa, nuk ka nevojë të lodhesh shumë.
Mjafton vetëm një shembull, historia e freskët e zgjedhjeve të Fakultetit Histori-Filiologji, të cilat, si për ironi, janë mbajtur në ditën e përvjetorit të Lëvizjes Studentore.
Për të qenë më të saktë, votimi është kryer më 7 dhjetor, por shumë pedagogë e kanë pritur gdhirjen e 8 dhjetorit jashtë duke ruajtur votat, që të mos ua vidhte “armiku”.
I cili, sipas shumë burimeve të besueshme, qenka një aleancë e fuqishme dhe shumëvjeçare politikanësh të rëndësishëm të disa partive politike. Që qenkan bërë bashķë për të ruajtur ose marrë këtë ambjent modest universitar, a thua se nuk u mjaftojnë “pushtimet” e tjera.
A mund të kishte ilustrim më të mirë për katandisjen e parimeve dhe vlerave, që frymëzuan 27 vjet më parë studentët dhe pedagogët e Lëvizjes së Dhjetorit, se sa ky?
A ka më kuptim të diskutohet për vlerën e votës në këtë vend, kur ajo manipulohet, vidhet dhe deformohet kaq hapur e brutalisht edhe në universitete?
Gjithësesi, gëzuar 8 dhjetorin! Se të paktën një fitore është arritur. Është shpallur zyrtarisht dhe me ligj si ditë pushimi.