Bardhyl Ukcamaj: Lëvizja e Dhjetorit si e kam njohur unë!
Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990-të është i vetmi aksion politik i shqiptarëve në historinë e tyre të njohur, që realizoi ndryshime sistemesh politike (shembjen e regjimit bunker në Europë) në mënyrë paqësore. Eshtë aksioni politik më pro – europian, që nga Rilindja Kombëtare. Kjo Lëvizje legjitimoi të drejtën e pluralizmit politik në Shqipëri, ndryshoi rregullat e lojës politike dhe delegjitimoi sistemin komunist.
Në të gjitha aspektet saj, Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990-të, ishte një revolucion për shoqërinë; ishte paqësore e liberale në një shtet të dhunës dhe urrejtjes; ishte elitare në një mbretëri të mediokritetit; ishte patriotike e pro – europiane brenda kufijve të një shteti antiperëndimor. Në gjurmët e Rilindjes Kombëtare, kjo lëvizje përcaktoi aksiomën e shqiptarëve të shekullit të ri: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Ne, ish-studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve të tjera, arritëm një sukses historik për popullin shqiptar, por edhe për qytetërimin europian. Rrëzuam një prej diktaturave më të egra dhe shembëm një nga regjimet më barbare të kontinentit. Jam i lumtur, si njëri nga mijëra luftëtarët e lirisë së Dhjetorit 90-të, për çfarë i afruam atdheut kur më së shumti i duhej. Dhe e bëmë me një pjekuri, përgjegjësie dinjitet të lartë qytetar! LSSH është një lëvizje që triumfoi në mënyrë shembullore e jo një revolucion i dështuar.
Në këtë shkrim të shkurtër, për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash, unë do të ndalem në disa ngjarje, sipas meje, të rëndësishme. Disa shënime, si dëshmitar okular dhe pjesëmarrës aktiv në këtë Lëvizje, që nga minutat e para. Sigurisht, që unë shkruaj për çfarë kam jetuar personalisht, çfarë kam parë dhe çfarë kam bërë, si i kam kuptuar unë LSSH. Ky shkrim i shkurtër është një pasqyrim modest e jo pasqyrë e plotë e atyre ngjarjeve, të cilat ishin aq intensive, masive e dinamike. Por, aq sa më lejon kujtesa, do të përpiqem të përshkruaj besnikërisht të vërtetën për kontributin tim të vogël në atë revolucion të madh, pa më të voglin merak shpërblimi a “ndëshkimi”, si një qytetar plotësisht i lirë. I nis këto shënime edhe në respekt të botuesit (Grupimi Dhjetor 90-të), të cilin e kam bashkë-themeluar e bashkë-drejtuar, në vitin e parë të veprimtarisë së Tij (1998), në një kohë të rrezikshme e të mbrapshtë.
Me një vendosmëri dhe kthjelltësi të paimagjinueshme, ne, ish-banorët e Qytetit “Studenti” e ndezëm zjarrin e lirisë në qytezën tonë të zhytur në terr me 8 dhjetor 1990-të. Nata e Bardhë e 8 dhjetorit dhe ditë-netët në vazhdim, zbardhën faqen e historisë së shqiptarëve dhe shënuan fundin e epokës së kuqe në kontinentin e Europës. Thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishin dhe mbetën platforma e thjeshtë e kuptim plotë e Lëvizjes sonë.
E kam jetuar plotësisht atë natë, pa mbyllur sytë. Atë revoltë që nisi me thirrrjet kundër komunizmit nëpër godinat e mbetura në errësirë (ku dallonte Inxhinieria e Minierave) dhe turrjes drejt Drejtorisë së QS. Kemi qenë disa dhjetëra, kur na është bashkuar Azem Hajdari para godinës së Juridikut. Kam pasur fatin të jem pjesë e demonstratës në dalje të qytezës, e përleshjes me policinë dhe heroizmit të studentëve, ku spikati Alma Bendo, dhe ritakimit në qendër të qytezës. Aty kanë nisur fjalimet e zjarrta kundër diktaturës, e kemi lexuar Kartën e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.
Në mesnatë, të rimbledhur në shesh, u propozua (prej meje, Arbenit, Albanit e ndonjë tjetri), që të shpërndaheshim nëpër godina dhe të lajmëronim të gjithë studentët, e sidomos vajzat, që në asnjë rrethanë nuk duhet të kishte mësim të nesërmen. Të gjithë kemi rënë dakord se shkuarja në mësim do të ishte fundi i lëvizjes sonë dhe dita e hakmarrjes së diktaturës ndaj nesh.
Herët në mëngjes (ora 7.00) vendosëm të rimblidheshim në shesh, të bindnim edhe ndonjë student, që mund t’u drejtohej auditorëve, t’i bashkohej demonstrimeve.Unë kam marrë përsipër Fililogjikun dhe Artet së bashku me Alban Tershanën, të tjerë studentë u shpërndanë nëpër godina të tjera. Mësimi duhej bojkotuar dhe demonstrimet të vazhdonin! Atë natë, në atë shesh, së bashku me Azemin e shumë të tjerë, krijuam bërthamën e parë të organizuar të Lëvizjes Studentore.
Mëngjesin e 9 Dhjetorit jam rikthyer në qendër të qytezës, shumë herët në mëngjes (sot Sheshi Demokracia), ku kam gjetur vetëm një student të ulur në bordurë betoni. Ky ishte Pal Serreqi. Pak muaj më vonë së bashku me Palin u zgjodhëm për të drejtuar degën e Univesiteteve të PD-së, në një votim ku morën pjesë rreth 400 studentë, aktivistë të LSSH. Pas pak kohe, një nga një kanë ardhur student të tjerë, duke u bashkuar në Sheshin e Lirisë e demonstruar kundër diktaturës, deri sa Ramiz Alia u detyrua të pranonte pluralizmin politik.
Lëvizja Studentore ishte një lëvizje paqësore, por që nuk bëri kompromis me sistemin e diktaturës. Roli i Ramiz Alisë në këto protesta është roli i një udhëheqësi komunist, që i frikësuar nga LSSH dhe mundësia e një revolucioni gjithëpopullor, duke përcjellë pamjet e Causheskut të vrarë, e ditur e njohur më mirë se kushdo tjetër shkallën e paimagjinueshme të varfërimit të plotë financiar, dhe aspak nga dëshira e tij për një Shqipëri pluraliste, vendosi të dekretojë fundin e sistemit njëpartiak, pa shkrepur armët.
R. Alia pati inteligjencën e mjaftueshme për të kuptuar se ishte e pamundur të shtypej kjo lëvizje dhe të ndalohej më pas kryengritja popullore. Kjo nuk mund të thuhet për shumicn e anëtarëve të kupolës së kuqe, pjesë e politbyrosë, apo strukturave kombëtare e lokale te partisë shtet. Shumë prej nesh, përfshi edhe mua, mund të ishim burgosur (në rastin më fatlum) ose vrarë nga diktatura. Në Shqipëri do të ishte derdhur shumë gjak, por komunizmi nuk mund të mbijetonte në asnjë rrethanë, këtë arriti ta kuptonte, e mirë që e kuptoi Ramiz Alia. Ne, studentët, i nisëm protestat e vendosëm dhe e respektuam vendimin e mesnatës së 8 Dhjetorit, për të mos i ndërprerë ato, pa arritur realizimin e kërkesave tona.
Më 9 Dhjetor mijëra studentë iu drejtuan Sheshit “Skënderbej”. Para Liceut Artistik u sulmuam egërsisht nga policia dhe forcat speciale. Thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ndezën shpirtin e revolucionit në zemrat e qindra mijë kryeqytetasve, e miliona shqiptarëve. Isha në të njëjtin kuadrat, së bashku me disa studentë të Filologjikut si, Arta Sakja, Erenestina Halili, Arben Çejku, Mark Marku e disa të tjerë, kur kaluam pranë selisë së ambasadës italiane (sot ambasada amerikane), u kam kërkuar shokëve të ngushtonim hapësirat mes nesh, kur pamë kordonat e policisë. Reagimi i forcave policore dhe atyre speciale ka qenë i ashpër ndaj nesh, i dekumentuar për opinion publik nga media televizive.
Ne një intervisë të gjatë në “TV Klan”, në Dhjetor të vitit 2011, Sali Berisha deklaron se pasi kontaktoi demonstruesit para Liceut së bashku me B. Mustafaj, u takua me Ramiz Alinë (me kërkese të këtij të fundit), dhe mori përsipër të kontaktonte drejtuesit e Lëvizjes Studentore. Në takimin e tij të parë me një grup studentësh aktivistë të Lëvizjes, pikërisht më datën 9 Dhjetor; Azem Hajdari, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Bardhyl Ukcamaj, Akli Fundo e disa të tjerë, (thotë Berisha), kërkohej krijimi i një organizate të pavarur “të studentëve dhe intelektualëve të rinj’, por kishin edhe shumë kërkesa të tjera…!
Ky deklarim i Berishës është i rëndësishëm dhe i saktë. Sali Berisha ishte intelektuali i parë që guxoi të kontaktonte me ne (studentët) më 9 dhjetor edhe Ramiz Alinë e më pas sërish studentët, po atë ditë, duke u bërë më pas drejtues i Lëvizjes Demokratike së bashku me një grup pedagogësh e intelektualësh të tjerë, si Gramoz Pashko, Arben Imami, Zef Brozi, Arben Demeti, Eduart Selami, Edi Rama (me refleksionet në AA), Preç Zogaj, Rexhep Uka (Istituti i Kamzës), Aleksandër Meksi, Neritan Ceka, Genc Ruli etj., etj.
Një moment i rëndësishëm i LSSH, për të cilin nuk është shkruar shumë, është zbritja e studentëve në Sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e datës 9 Dhjetor, drejtuar nga Shenasi Rama. Pasi u kam bërë thirrje studentëve, duke u shpërndarë në grupe të vogla, kemi arritur të sfidojmë diktaturën, duke u mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, aty ku u ndaluam të zbrisnim me demonstratën e mëngjesit.
Takimi më i rëndësishëm i aktivistëve të LS me Skënder Gjinushin, aso kohe ministër i Arsimit dhe Lisjen Bashkurtin është zhvilluar më datën 10 Dhjetor në darkë, që ka zgjatur deri pas mesnate, në zyrën e drejtorit të Qytetit “Studenti”. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Sali Berisha së bashku me Besnik Mustafajn dhe dy gazetarë të “Zërit të Rinisë”. Dr. Berisha kishte tashmë kontakte dhe ndikim, si asnjë intelektual tjetër, te disa prej aktivistëve të rëndësishëm të lëvizjes.
Si përfaqësues të LS në këtë takim kanë marrë pjesë: Azem Hajdari, Shenasi Rama, Tefalin Malshyti, Bardhyl Ukcamaj, Mimoza Zhamo, Arben Lika. Unë kam shkuar në takim së bashku me Mark Markun nga godina 15-të, që ishte Selia e Lëvizjes Studentore. Marku së bashku me disa aktivistë të tjerë të LSSH janë larguar (për arsye hapësire) dhe janë drejtuar drejt godinës 15-të, ne kemi vazhduar takimin në formatin e mësipërm, deri pas mesnate. Nuk më kujtohet nëse Akli Fundo ishte apo jo deri në fund të takimit.
Ky takim është për mua thelbi i historisë së organizuar të Lëvizjes Studentore shqiptare, i negociatave të përfaqësuesve të saj, që shënuan edhe fundin e sistemit diktatorial njëpartiak.
Ky ishte një takim vendimtar për fatet e LSSH dhe demokracisë në Shqipëri, ishte takimi që ndau epokat. Të nesërmen Ramiz Alia ka mbledhur menjëhere byronë politike dhe ka deklaruar të drejtën e pluralizmit politik (ose më saktë, të drejtën e krijimit të organizatave të pavarura politike) në takimin me përfaqësuesit e studentëve dhe pedagogëve, të zgjedhur sipas fakulteteve (të miksuar edhe me anëtarë të organizatës së rinisë së Universitetit).
Dua të theksoj se atë ditë, para nisjes së përfaqësise së studentëve dhe pedagogëve nga të gjitha fakultetet në takimin me R. Alinë, është vendosur që Ndue Lugja e Bardhyl Ukcamaj së bashku me rreth 10-15 aktivistë të tjerë, të kujdeseshin për organizimet në qytezë deri sa të përfundonte takimi. Në takimin me Ramizin është komunikuar dekretimi i pluralizmit politik, pjesa tjetër e bisedës ishte më pak e rëndësishme dhe është e njohur nga publiku.
Natën e 11 dhjetorit duke u gdhirë 12 dhjetori e kemi kaluar në selinë e Lëvizjes Studentore, që ishte godina 15-të, studentë, intelektualë e qytetarë të tjerë, duke diskutuar rreth organizimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri, që u mendua të emërtohej Partia Demokratike e Shqipërisë, në një entuziazëm të papërsëritshëm dhe që ndodh shumë rrallë në jetën njerëzore. Gjatë ditës së 12 dhjetorit u bë edhe formimi strukturor i Komisionit Nismëtar.
Mëngjesin e 12 dhjetorit 1990, kam pasur fatin të jem i deleguari i parë i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, në Univesitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, së bashku me një aktivist tjetër të Lëvizjes Studentore, z. Mujo Buçpapaj. E thekoj se Lëvizja Studentore shqiptare e dhjetorit 1990, ishte një lëvizje që kulmoi në Tiranë, por që u shtri menjëherë edhe në Universitet e tjera të vendit.
Së bashku me Mujon dhe disa aktivistë të këtij Universiteti, kemi zhvilluar një takim të hapur në Univesitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës, qytetit më të persekutuar dhe më antikomunist të Europës së Kuqe, pas dekadash terrori enverist mbi këtë qytet. Ky takim është mbajtur në një nga auditoret, pa lejen e Rektorit të Universitetit, i organizuar nga Flamur Buçpapaj e pedagogu Agustin Shqalsi, rrethuar nga forca policore, por edhe nga qindra qytetarë.
Qyteti i ishte i rrethuar me tanke, ishte një situatë tepër e rrezikshme. Vendosmëria e studentëve të Univesitetit të Shkodrës dhe entuziazmi i tyre, nën hijen e tankeve, dëshmonte se fryma jonë e Lëvizjes kishte ndezur gjithë Shqipërinë. Të nesërmen ka shpërthyer demonstrata e fuqishme e 13 dhjetorit dhe më 2 prill, në këtë qytet do të flijohej për liri-demokraci, njëri nga aktivistët e zjarrtë të LSSH, Arben Broci.
Arritja me historike e Lëvizjes Studentore shqiptare është vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri. Por lëvizja ka edhe kulme të tjera shumë të rëndësishme si: greva e urisë së 20 shkurtit për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti, që bëri delegjitimitetin e sistemit dhe rënien përfundimtare të simbolikës komuniste; demonstrimet e studentëve të Universitetit në Kamëz, Shkodër e rrethe të tjera; refleksionet në Akademinë e Arteve etj.
Lëvizja Studentore shqiptare i riktheu dinjitetin e nëpërkëmbur shoqërisë sonë të sfilitur në epokën e sistemit komunist, e të izolimit. Ne e dimë se si liria kolektive nuk mund të fitohet e garantohet me revolucion, por me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ‘90-të u fitua e drejta e individëve për të luftuar e punuar për liritë e tyre e të shoqërisë në të cilën jetojnë.
Nderimi i ngjarjve dhe figurave të rëndësishme të kujtesës sonë historike është i dobishëm në shumë aspekte. “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet”, shkruante rreth një shekull më parë Luigj Gurakuqi.
Një obelisk i Lëvizjes Studentore shqiptare në Parkun “Rinia”, ose para ish-piramidës së diktatorit, ku ne dhe fëmijët tanë, shqiptarët e sotshëm e të nesërm të ndiheshin të përfaqësuar, do duhej të ishte ngitur me kohë. Një obelisk, që t’i nderojë të gjithë ata që luftuan (e janë vrarë ose mund të ishin vrarë) për një Shqipëri si Europa. E theksoj, një obelisk, që t’i bashkojë të gjithë qytetarët që e duan lirinë.
Një obelisk i Lëvizjes Studentore shqiptare, që të nderonte, Azem Hajdarin, Arben Brocin, Abdyl Matoshin, Fred Gëmin, Dritan Çelën, Gjin Kolbucajn, etj., që nuk jetojnë më fizikisht midis nesh. Të nderoheshin edhe Mimoza Ferraj (Alma Bendo), Shenasi Rama, Mimoza Zhamo, Arben Lika, Pal Serreqi, Akli Fundo, Tefalin Malshyti, Arben Sula, Myftar Gjana, Adrian Petrollari, Edmond Bushati, Ndue Lugja, Arian Manahasa, Mesila Doda, Alfred Cako, Spiro Curra, Blendi Gonxhe, Mujo Buçpapaj, Nesti Kiri, Arta Sakja, Arben Çejku, Aida Sakja, Ajet Ramcaj, Ilir Dizadari, Alban Bala, Arjanit Nika, Abdyl Demirazi, Niko Kaçiroti, Shpëtim Shkurti, Tan Asllani, Dritan Shtylla, Agim Hasa, Renato Ndrecka, Arber Ahmetaj, Ridvan Peshkëpia, Ilirjan Cane, Arben Ahmetaj, Ilenja Mëhilli, Kastriot Gjoka, Eda Hyka, Ardi Stefa, Erenestina Gjergji Halili, Myslim Murrizi, Shpëtim Balia, Bislim Ahmetaj, Gjok Vuksani, Gjergj Ukcamaj, Arsen Caushi, Mark Marku, Xheni Tanini Hali, Mirel Sharxhiu, Albert Kushti, Theollori Dhimitri, Gjin Progni, Ilirian Peco, Afrim Krasniqi, Zef Luca, Lulzim Gjekmarkaj, Kole Kunora, Pandeli Majko, Sokol Allarai, Astrit Patosi, Edi Paloka, Argita Berisha, Ilir Meta, Besa Ukcamaj, Flamur Buçpapaj, Ilir Seci, Emin Barçi, Alban Tershana, Arben Gabraj, Shkëlqim Jahaj, Shpend Jeshnica, Vullnet Spahiu, Agim Imeri, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Skënder Minxhozi, Gazmend Oketa, Ermal Mulosmani, Gjelosh Kasa, Arben Çokaj, Lush Martini, Dritan Koçiu, Agron Tufa, Alban Pepa, Artan Dibra, Arben Muça, Arben Qirjako, Altin Qoshja, Valbona Duro Pelushi, Lek Tusha, Aleksandër Biberaj, Edvin Shvarc, Admir Lakra, Kreshnik Spahiu, Kastriot Haxhiaj, Astrit Memia, Agron Gjekmarkaj, Enkelejda Shkreli, Nazmi Peka, Ylber Hasani, Kreshnik Çollaku, Dritan Osmani, Lulëzim Shenaj, Kujtim Allaraj, Helidon Samarxhi, Lin Kurti, Agron Sula, Osman Stafa, Adem Krasniqi, Gjovalin Shytani, Mhill Geci, Shkëlzen Margjeka, Ndre Legisi, Flamur Noka, Agim Perllaku, Ramiz Gjini, Mimoza Preci, Nora Prozhmi, Ismet Pali, Tonin Prenga, Tonin Logu, etj., etj., etj, (u kërkoj ndjesë të gjithë të tjerëve që nuk u kam shkruar emrat, për arësye hapësire).
Shoqëria shqiptare e ka arkivuar në histori të shkuarën komuniste (së paku si sistem). Sot jetojmë në një shoqëri të hapur dhe LSSH mbetet pjesë e historisë.
Në Muzeun Historik Kombëtar, krahas pavionit të të persekutuarve politikë duhet të ngrihet edhe një pavion i Lëvizjes Studentore. Në tekstet e historisë më shumë duhet të shkruhet e t’u mësohet fëmijëve në shkolla. Dritësimi dhe nderimi i kësaj ngjarje historike është i dobishëm, jo për të djeshmen, por për të sotmen e të nesërmen e shoqërisë sonë.
Në ditët e sotme elita shqiptare ka detyrimin t’i afrojë një shërbesë të re shoqërisë: Ushqimin e përditshëm të demokracisë në hapësirat ballkanike, ku jetojnë shqiptarët; fuqizimin ekonomik dhe shëndoshjen e identitetit kombëtar.
Shtesë: Eshtë e nevojshme (jo vetëm për mua) të saktësoj një aspekt të rëndësishëm, që nuk e kam shënuar dhe mendoj se do të duhet të shkruhet e të theksohet: Një shtysë të rëndësishme i kanë dhënë Lëvizjes Studentore shqiptare, studentët jo konviktorë që erdhën menjëherë në mesin tonë nga Tirana dhe u bënë aktivistë të rëndësishëm, mes tyre pa asnjë mëdyshje Mesila Doda, Ilenja Mëhilli, Arian Manahasa, Ridvan Peshkëpia, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Blendi Gonxhe, Edvin Shvarc e shumë e shumë aktivistë të tjerë, për të cilët do të shkruaj më gjatë në plotësim të këtij shënimi….(Nga libri “Dhjetor ‘90-të, mbaj mend…”)