Ibrahim Hajdarmataj: Dallgë poetike
Duke lexuar vëllimin “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit Viron Kona.
Autor: Viron Kona
Titulli: Thashë, të bëhem edhe unë poet
Redaktor: Zeqir Lushaj
Recensensat: Sadulla Zendeli-Daja, Kadri Tarelli
Konsulent: Dr. Bajram Mejdiaj, Sejdo Harka
Në kopertinë: Liljana Kona (Zhaka)
Këto ditë lexuesit dhe kritika u njohën me vëllimin poetik “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit të mirënjohur të letërsisë shqipe Viron Kona. Libri ka redaktor Zeqir Lushaj, recensentë Sadulla Zendeli-Daja dhe Kadri Tarelli, konsulent Dr. Bajram Mejdiaj dhe Sejdo Harka. Libri fillon me shënimin e autorit: “Ja kushtoj këtë vëllim me poezi Liljanës sime të shtrenjtë, që më ka qëndruar pranë për 40 vjet të jetës sonë bashkëshortore, duke ndarë me mua vështirësi dhe gëzime, por edhe duke më mbështetur me përkushtim të plotë në rrugën e krijimtarisë letrare”. Pas leximit të këtij përkushtimi të sinqertë, që njëherazi na bënë të mendojmë për jetën e qëndrueshme bashkëshortore dhe shenjtërinë e saj, para syve të mi kush e di pse shfaqet edhe një pamje tjetër, një realitet negativ, që e gjejmë me bollëk në kohët e sotme dhe që na trondit: Si në ekranet e televizorit, më dalin përpara skena gjyqesh pa fund në Tiranë dhe në rrethe, gjyqe të ndarjes së çifteve burrë-grua, që për nga shumica dhe motivet e ndarjes, përbëjnë një shqetësim mbarëshoqëror si dhe prishje të atyre ekuilibrave të jetës bashkëshortore. Një çift, që kishte vetëm 4 muaj martesë, ndahet me vendim gjyqi, se nuk ju “puqën” karakteret?! Nuk ju “puqën” karakteret, apo martesat nuk janë të sinqerta që në zanafillë? Sepse, siç del, në mjaft raste martesat nuk kanë bazë dashurinë e sinqertë dhe mirëkuptimin, por teka dhe interesa meskine, marrëdhënie të kushtëzuara dhe që ndërvaren nga përfitimet e pasurisë apo për shkak të modaliteteve të shfrenuara. Sikurse, disa lidhje bashkëshortore, shkojnë në ndarje edhe për shkak të dhunës barbare të burrave patriarkalë ndaj grave të pambrojtura, që u mohohen të drejtat më elementare. Si pasojë vjen prishja, tronditja dhe shkatërrimi i familjes, lënia në mëshirën e fatit të jetës së fëmijëve, që përbëjnë në thelb edhe të ardhmen e kombit.
Pikërisht, me anë të këtij vëllimi të shkëlqyer poetik, Viron Kona, me fjalën e mençur dhe artistike të shkrimtarit bashkëkohor, jep dhe shpërndan në hapësirën mbarëshqiptare ndër të tjera edhe mesazhin e shenjtërisë së jetës bashkëshortore, të marrëdhënieve të pastra dhe të shëndosha mes burrit dhe gruas. Më kujtohen vitet kur kam punuar mësues e drejtor shkolle në Malësinë e Gjakovës, veçanërisht në Gjimnazin e Zogajve. Kur dilja nëpër fshatra dhe i këshilloja bashkëfshatarët e mi “Mos i poshtëroni vajzat e vogla duke u vënë emrat: Çbane (Ç`bëre që nuk linde djalë, por linde vajzë!);Pulë (qëndrim përçmues, që vajza të jetë e bindur, kokulur, e urtë dhe pa fjalë); Bubë (femra të jetë e vockël si insekt); Shkurtë (të jetë e fundit që lind femër, pas saj të lindin vetëm djem). Gjithashtu i këshilloja: Bashkëshorteve tuaja, u thërrisni me emër dhe jo: “A ndjeve?” (domethënë “A më dëgjove?”), “Ku je?” (pa i përmendur emrin); apo, i thërrisnin bashkëshortes me emrin e fshatit nga vinin nuse dhe asnjëherë në emrin e tyre: “Oj e Kolgecaj!”, “Oj e Zogajve?”, “Oj e Lekbibajve!” Kështu ishte zakoni, kanuni në Malësi, flasë për vitin 1964.
Në vazhdim të këtij artikulli dëshiroj të nënvizoj bukurinë erotike të poezisë “Mos më thuaj s`të thashë!” Vajza sheh nga Hëna,/e sheh, s`ia heq sytë,/pret me padurim,/t`i japë porositë. T`u bëfsha moj hënë,/ndalu dhe më prit,/dashurinë time,/bëje tufë me dritë! Pastaj, vajza e dashuruar bashkëbisedon me hënën për marrëdhënien e saj me djalin që dashuron. Me një gjuhë të bukur ndjenjash autori shprehë përfytyrimet e vajzës se si do t`i shkojë takimi me të dashurin e saj: Siç e sheh moj hënë,/po më digjet xhani,/do t`i shkojë vetë,/le të bëhet nami!/Në gji do ta marrë,/do ta puth me mall,/nuk dua t`ia di,/çdo të thonë n`mëhallë./Më tej e kupton,/ si do shkoj kjo punë,/atë që do nisim,/do ta çojmë në fund./Si drerë e sorkadhe,/do rrokemi, do qeshim,/s`do lëmë gjë pa bërë,/sa të vijë mëngjesi.
Nuk e di pse më bëri krejt për vete poezia “Mos u dorëzo!”, e cila tingëllon si një thirrje optimiste: Mos u dorëzo!/Më përsëriste babai,/këshillën e vyer,/të jetës./ Kështu,/ gjyshi atij,/unë birit, bijës,/nipit dhe mbesës… Interesante janë poezitë që marrin në mbrojtje fëmijët dhe rrëfejnë aspekte nga jeta e tyre e pafajshme fëmijërore, ndërkohë që kujdesi dhe edukata e tyre duhet të rritet dhe të zhvillohet në forma sa më të zhdërvjellëta, duke shmangur gjithnjë rastet e keqtrajtimit dhe të dhunës. Në këtë kuadër, ka bukuri dhe vlera poezia: “Në parkun lodrave”, një poezi e thjeshtë por e natyrshme: Në parkun e lodrave, luajnë fëmijët,/hidhen, kërcejnë, zhurmojnë me gaz,/njëri i hipën kalit, tjetri makinës,/i treti imiton gjeneralin në paradë….Dhe pasi përshkruan llojshmërinë e lodrave, ku theksohen zgjedhjet dhe dëshirat që kanë fëmijët e që janë të shumta, autori përfundon me vargjet me kuptim mjaft domethënës: Sytë u ndritin, u zgjohen pasionet,/në startin e jetës hareshëm zhurmojnë, /botën e tyre, botën e së ardhmes/me imagjinatë e fantazi e projektojnë. Po aq interesante është poezia “Gjyshi kokëfortë”, ku rrëfehen me humor dhe satirë dobësitë e gjyshërve në rritjen e fëmijëve. Ata, ngaqë i duan shumë nipërit dhe mbesat e vogla, i falin për gjithçka dhe i përkëdhelin me tepri`, duke nënvleftësuar veprimet dhe sjelljet negative të tyre, që duhen kritikuar me takt dhe kujdes, që fëmija të mos i përsërit gabimet herë tjetër: Fqinji i një kati më poshtë,/Banushi që mbante bastun kur ecte,/gjyshin e Valbonës ndali në shkallë,/me kujdes e takt i bëri një vërejtje:/“Nuk e di, o fqinj ç` ndodh lart te ju,/por bam-bum, dëgjojmë kur vjen mbrëmja,/mos vallë ajo mbesa, çamarrokja e vogël,/zhurmon duke luajtur me lodra?”/Gjyshi, që s`pranon asnjë vërejtje për mbesën,/e kapi inati dhe i a ktheu me qesëndi:/“Përpara se për mbesën time të bësh vërejtje,/shko te doktori i veshëve, vizitohu, or zotëri!” Ai mendon se për përgjigjen e rreptë që i dha fqinjit, në familje do t`i jepnin të drejtë, por, ata, nuk ishin në një mendje me të, sepse vërtetë vogëlushja i kishte bërë ca zhurma dhe i kishte shqetësuar fqinjët e një kati poshtë. Kur kritika ndaj gjyshit arriti kulmin, madje ai vihet në loja nga gjyshja: Mbase, o plak, t`i vërtet s`ke faj, /zhurmat mund të mos i kesh dëgjuar,/se, pambukun që vë në vesh herë pas herë,/ duket që brenda veshëve e ke harruar./Gjyshi vuri gishtat tek të dy veshët,/vërtet me pambuk i kishte të zënë,/e, ndërsa ata në shtëpi vunë buzët në gaz,/ai gjithë zemërim u mbyll në dhomë. Poezia është mbajtur në tone humori dhe dashamirësie, si të thuash “qesh e ngjesh”. Pas kritikave, gjyshi me sedër të lënduar mbyllet i zemëruar në dhomën e tij dhe mbron ende me kokëfortësi të dukshme mendimin e tij: Nga dhoma dëgjohej zëri i gjyshit kokëfortë,/që vente e vinte dhe thoshte i zemëruar:/“Sa herë që dikush, vërejtje për mbesën do t`më bëjë,/ unë veshët me pambuk do t`i kem të bllokuar!”
Kanë origjinalitet, art dhe vlera të natyrshme edukative poezitë: “Pulëbardha”, “Zogjtë e pyllit me mua uji pinin”, “Përfitim nga mirësia”, “Për një fjalë e për një thumb”, “Ajri është plot nerv e gaz”, “Nuk e gjen në çdo udhëkryq”, “Ruaju nga qeni i tërbuar”, “Pendimi i vonë”, kjo e fundit tregon se njeriu duhet të sillet mirë dhe t`i dëgjoj e respektojë prindërit, pasi, kur vjen koha që ata nuk janë më, pendesa e vonuar nuk ka më asnjë vlerë: Sa do të doja që dy prindërve,/t`mos ua thyeja zemrën kurrë,/por ç`e do se koha s`kthehet,/pendimi s`më bënë më punë!
Është mjaft e ngrohtë poezia “Baulja e nënës sime”. Nëna mbante atje sendet e saj më të çmuara, ato nuk ishin xhevahire, flori apo sende të arta, siç mund të mendohej, por, sende të vyera, që familjet shqiptare i kanë ruajtur e trashëguar si kujtime të shenjta nëpër vite, dekada dhe shekuj. Të tilla si flamuri, veshjet e lashta me qëndis-ma dhe filigran, vizatime kalash, vizatime me motive popullore floreale, unaza, piktura kalorësish dhe trimash fisnikë: Nëna u përkul në baule,/nxori prej andej një flamur me shqiponjë,/Ky, tha, është flamuri i dasmës sime,/kur nga Berati erdha nuse me kalë në Vlorë. Dhe në vazhdim: E shikon, o bir, këtë unazë të florinjtë?/ Është nga kohë të vjetra që s`mbahen mend,/nusen kur ta marrësh do t`ia vësh në gisht,/kurse ajo, nuses së birit tuaj të shtrenjtë. Poezia mbyllet me vargjet kuptimplote:Siç e sheh, o bir, baulja nuk ka flori,/as argjend dhe kartëmonedha me vlera,/veç këto vogëlima që më ngjallin dashuri,/trashëgim nga koha jonë, për kohët e reja…
Ngjall interes të veçantë poezia “Vallja e ujqërve”, ku autori godet rreptë luftën e klaneve mafioze që likuidojnë dhunshëm njëri – tjetrin, për pasuri dhe pushtet, por edhe për t`u lartësuar padrejtësisht, duke shtypur më të dobëtit. Me një gjuhë të lakonike, poeti krijon vargjet: N`pikë të dimrit të uritur,/kur bora gjithçka mbulon,/ia nisin valles së njohur:/“Më i forti mbijeton!”./Rreth rrotullohen në vallen e egër,/skërmitin dhëmbët, ulërijnë,/ai që në valle përdhe rrëzohet,/qoftë i bekuar, ushqimi ynë! Njëri ra,/ “oh, ç`fatkeqësi”!/S`kemi ç`bëjmë, /c`est la vie!/ Vaktet vijnë njëri pas tjetrit,/me potere vallja vazhdon,/në këtë botë kafshësh të egra,/“Më i forti mbijeton”!
Poezia që mbyll vëllimin titullohet “Një çift mështeknash të bardha”, të cilën autori ia kushton bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Liljanës me 55 pranvera të lumtura, një poezi kjo plot dashuri dhe ndjenjë: Sot në 55 – vjetorin e lindjes, /unë dhe e tërë familja t`urojmë, /qofsh e lumtur përgjithmonë,/u bëfsh dhe 100 vjeçe Liljana jonë!/S`këmbyem xhevahire për dashurinë,/veç zemrat si harta gjeografie i hapëm,/u betuam sinqerisht për besnikërinë,/ rrëfyem ndjenjat dhe shpirtin e pastër. Dhe në vazhdim: Shtëpinë e kemi një tempull të shenjtë,/zjarrin në vatër kurrë s`e kemi shuar,/në zemrat e njëri-tjetrit ngrohtë jetojmë,/me mirëkuptim dhe duar shtrënguar./Kur ka ndodhur që n`dimrat e jetës,/befas është shfaqur ndonjë ngricë,/përpara se dielli ta shkrijë me rreze,/e ka shkrirë zjarri i fortë i dashurisë…. Dhe, në përfundim autori shkruan: Bashkë me mua t`urojnë,/Amantja, Anisa, Tolini, /vogëlushja Diorë bën një urim të veçantë:/Jetë të gjatë sa qielli nona Lili!”
Si çdo libër i shkruar me ndjenjë, zemër të pastër e talent, edhe këtë libër nuk e lëshon nga dora, madje, gjatë leximit, të lind dëshira të bësh edhe nënvizime për gjëra që nuk dëshiron t`i harrosh, herë -herë edhe i kthehesh faqeve që ke lexuar. Nuk është një libër që rrëshqet qetë dhe pa u ndjerë, si të kënaqesh me shijen e një limonade dhe aq, por, leximi i librit më krijoi idenë e lëvizjes së gjërave, ndjeva në poezitë e tij nevojën për ndryshim e zhvillim, ndaj duke u shprehur në mënyrë figurative, them se libri vrullon në faqet e tij dallgë poetike, që vënë në lëvizje mendimin, ashtu si dallga ndihmon lëvizjen e anijes në det. Si mësues dhe drejtues në shkolla, shpreh mendimin se libra poetikë, si ky i Viron Konës, janë nga ato lloj librash, që duhen rekomanduar për lexim edhe nëpër shkolla, në orë letrare, pasi edukojnë të rinjtë me norma dhe koncepte të natyrshme të jetës, veçanërisht të dashurisë dhe jetës bashkëshortore. Libri bën “thirrje” për të ruajtur traditat më të mira të popullit tonë, lidhur me qëndrueshmërinë dhe bazën e fortë sociale të familjeve shqiptare. Sot, kur shohim disa aspekte ligjore apo sociale të rritjes së vigjilencës për mbrojtjen e grave dhe të vajzave nga dhuna, nga paragjykimet apo nga qëndrimet kryeneçe dhe abuzuese dhe absurde të disa burrave, ky libër merr një rëndësi edhe më të madhe, ai ndihmon me gjuhën e artit poetik, zgjimin e mëtejshëm të shoqërisë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e femrave shqiptare.