Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Burrel, pranvera e trishtuar e 1968

Kam qenë ushtar në Burrel. Viti 1968. Një njeri e varën te KËNDI I LOJËRAVE. Te lisharëset lëkundëse ku koloviten fëmijtë, te shelgjet vajtues ku kukamshiheshin kalamajtë, një lisharëse e kishin kthyer në trikëmbësh.

Të varurin e lëkundte era. Gjuha jashtë. Ishte mbuluar me një pëlhurë të bardhë. Fëmijtë e shtynin nga kembët. E merrnin për lodër. Ishte maj. Lulet bardhë e rozë të mollëve, blerimi i vonë i kumbullave, kishin zbukuruar qytetin. Të varurin, “mysafir” i padëshiruar, nuk di pse e kishin bujtur në këndin e vetëm të lojërave të fëmijëve. Të fëmijve në qytetin e Burrelit.

Ishte e diel. Fshatarët kishin zbritur në qytet se ishte ditë pazari. Këndi i Lojërave të fëmijëve dhe sheshi ku fshataarët nxirrnin mallrat për treg, ishin pranë e pranë. Ndaj ishte zgjedhur dita për të varurin, armikun e shtetit.
Që ta shihnin sa më shumë.

Kam qenë dëshmitar i kësaj skene. Nga reparti ynë ushtarak në periferi, herët në mëngjes më nisën në qendër të qytetit, te Shtëpia e Oficerëve që të marr gazetat e ditës. Në fillim, parë nga larg, e mora për lodër. Një çarçaf i bardhë, një dordolec qafështrembër në lisharëse, fëmijë… më tej treg fshatar. Por, ja, dy policë ngrirë me armë në duar, pak në largësi. Ç’të jetë?

Më afër pashë fytyrën prej kufome të të varurit. Gati të vjell.

S’më ndahej vështrimi i të varurit në litar. Fëmijtë e shtynin nga këmbët. Nuk di pse armiku kishte bujtur në këndin e vetëm të lojërave të fëmijëve. Të fëmijve në qytetin e Burrelit.

Më ngriu qafa shtrëmbër si e të varurit. Nuk guxoja ta shihja, ndërsa shkoja rrugës.

Në rrugët e qytetit të Burrelit, qendër e Korpusit ushtarak të Veriut, në çdo tre veta, njërin e shihje me uniformë ushtarake. Pak më përtej qendrës ishte dhe burgu më i famshëm i vendit, burgu me të burgosurit politikë më të rrezikshëm, te dera e të cilit shkruhej: “Këtu i thonë Burrel, kush hyn, nuk del”.

Viti 1968, sipas kalendarit komunist, sillte 25-vjetorin e krijimit të Ushtrisë Popullore në datën 10 korrik 1943. Për përgatitjet e këtij përvjetori nga ora 13.00 në qytet erdhi ministri i Mbrojtjes, anëtari i Byrosë Politike, Beqir Balluku. Erdhi për festën a për të varurin?

Të varurin e hoqën nga Këndi i Lojërave para ardhjes së Ministrit, aty nga ora 12.

I varuri duhet të ishte burrë në moshë. Kafka tullace i zverdhonte që larg.

Pse e kishin varur dhe ekspozuar në publik këtë fatkeq? Sipas thashethemeve, (për të varurit atëherë nuk shkruhej në shtyp), ky kishte vrarë me pushkë sekretarin e partisë së fshatit të vet. Atë e kishte paralajmëruar se do ta vriste nëse sekretari do t’ia niste të dashurën me një grup grash të tjera në aksionet e rinisë në hekurudhë. E mbajti fjalën, nxori nga hatullat një pushkë pa leje, vrau dhe u dorëzua.

E dinte se do të varej.

Hetuesve u kishte thënë që do ta mbyllte fort nofullën që mos t’i dilte gjuha jashtë kur t’ia hiqnin stolin e ta shtrëngonte litari në fyt.

Për këtë nuk e mbajti fjalën.

Emri i tij nuk u mor vesh.

Aty nga ora 15, te Shtëpia e Oficerëve ushtarët dhanë një shfaqje me këngë e me humor para B. Ballukut, përfaqësuesit të lartë të shtetit e të partisë.

Në qytetin Burrel dita e filluar me të varur, sipas skenarit, vazhdoi me gaz e festë.

Please follow and like us: