Albspirit

Media/News/Publishing

Babai i Nënë Terezës u helmua nga serbët në 1919

Babi i Nënës Terezë (Agnes Goxhe Bojaxhiut), Nikollë Bojaxhiu, dyshohet se ishte helmuar nga Qeveria e Serbisë, gjatë vizitës në Beograd, më 1919.

Mjekët që e trajtuan atë në Shkup, menjëherë pas kthimit nga Beogradi,  nuk kishin asnjë  shpjegim shkencor për sëmundjen e tij krejt të papritur.

Dyshohet se Nikollë Bojaxhiu u helmua për shkak të veprimtarisë së tij politike. Ai angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e cila sapo ishte shpallur e pavarur.

Kështu thuhet në biografinë e autorizuar të Shën Terezës.

Gazeta “Zëri” ka publikuar një fragment të biografisë që flet pikërisht për helmimin e Nikollë Bijaxhiut, përkthyer nga gjuha gjermane.

“Me 28 nëntor 1912 në shtëpinë Bojaxhiu u festua Deklarata e Pavarësisë me një gosti të madhe dhe kremtim të bujshëm. Nikolla nga natyra ishte një mikpritës: Dera e shtëpisë së tij ishte e hapur për të gjithë, që nga të varfëritë e Shkupit, deri te argjipeshkvi që banonte aty.

Në këtë natë të veçantë shtëpia tij ishte e mbushur me patriot shqiptarë, të cilët deri në të gdhirë diskutonin dhe këndonin të përcjellë me mandolinë. Mikpritësi nuk fshihte qëndrimin e tij për çështjen kombëtare të Shqipërisë.

Po ky angazhim e futi atë në një Lëvizje që ishte themeluar pas Luftës së Parë Botërore dhe kishte për qëllim t’i bashkëngjisë Shqipërisë së Madhe provincën e Kosovës, e cila ishte e banuar kryesisht me shqiptarë.

Për këtë arsye Nikollë Bojaxhiu në vitin 1919 shkoi një herë për një takim politik në Beograd.

Ai kishte braktisur shtëpinë me shëndet shumë të mirë dhe i shoqëruar nga një këshilltar bashkiak.

Kur u kthye prapa, me pajton, i shoqëruar nga konsulli italian, qe sëmurë për vdekje. Ai kishte gjakderdhje të madhe dhe menjëherë u dërgua në spital, ku edhe operacioni i domosdoshëm nuk arriti të përmirësojë gjendjen.

Nikollë Bojaxhiu kishte 45 vjet kur vdiq. Akoma është sekrete prapavija e vdekjes së tij, mirëpo pat anëtarë të familjes si dhe mjekë, që qenë të sigurt se atë (Nikollë Bojaxhiun ) e kishin helmuar.

Please follow and like us: