Albspirit

Media/News/Publishing

CIA tentoi të përdorte ballistët në emigracion për rrëzimin e Enver Hoxhës

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Një prej këtyre ishte dhe bashkëpunimi me përfaqësues të Ballit Kombëtar në emigracion. CIA i mbështeti ata për rrëzimin e regjimit. Nga ana tjetër, në një dokument të deklasifikuar për vendin tonë, tregohen dhe qëllimet Greqisë për aneksimin e jugut të vendit.

Situata brenda Ballit Kombëtar

Për të kuptuar ndarjen aktuale brenda grupit Partia e Ballit Kombëtar, është e nevojshme të kemi një ide të qartë të prejardhjes së grupit dhe luftës për pushtet brenda Komitetit drejtues të tij, e cila nuk ka pushuar që prej krijimit të tij në 1939, në kohën e pushtimit fashist të vendit.

Balli Kombëtar u krijua si një lëvizje rezistence nga element konservatorë në jug të Shqipërisë, në kundërpërgjigje të rritjes së influencës së lëvizjes së drejtuar nga komunistët “Fronti Nacional Çlirimtar”. Anëtarët e Ballit ishin kryesisht ish-pronarë tokash dhe ndjekësit e tyre fshatarë, si dhe qytetarët që nuk ishin bashkuar me frontin komunist. Ata përfshinin gjithashtu një grup intelektualësh që megjithëse ishin republikanë dhe reformistë, ishin tepër nacionalistë për të kapërdirë linjën komuniste.

Përplasjet brenda Ballit Kombëtar

Prej krijimit të tij dhe disa vite më tej, kryesia e Ballit ishte në duart e themeluesve konservatorë Mit’hat Frashëri, Ali Klissura, Nuredin Vlora, e Koço Muka, të cilët e konsideronin partinë e tyre si një aleancë të të gjithë elementeve anti-komuniste dhe jo si një parti politike me program e ideologji. Por minoranca intelektuale reformiste e drejtuar nga Abaz Ermeni, Zef Pali, Halil Maçi, Vasil Andoni e të tjerë, kishte ide të tjera në kokë. Që prej fillimit ata dëshironin që ta shihnin Ballin si një organizatë modern politike me tendencë perëndimore dhe socialiste. Ata argumentonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të avanconte përtej lidhjeve fisnore dhe politikave të fraksionuara. Kështu që prej fillimit ekzistonin përplasje idesh dhe interesash mes konservatorëve pronarë tokash dhe intelektualëve socialist. Fitorja komuniste në vitin 1944 bëri që shumë liderë të Ballit të largoheshin nga Shqipëria. Kur partia u rimblodh nga refugjatët në Itali dhe në Greqi, kishte ndryshime në lidershipin e saj. Konservatorët nuk e dominonin më atë dhe mezi arritën të mbanin drejtim të përbashkët me intelektualët socialistë. Dhe në këtë pikë partia do të ishte ndarë, po të mos kishte qenë për Mit’hat Frasherin, i cili ruante prestigjin e pushtetarit të vetëm të vjetër, të cilin edhe socialistët nuk mund ta refuzonin, edhe pse këta të fundit përfaqësonin “Gardën e Vjetër”. Gjithashtu, socialistët kuptuan se nëse aleatët kishin vendosur të mbështesnin çdo lëvizje shqiptare të refugjatëve ata do të shikonin nga Frashëri si i vetmi njeri me staturë politike mes tyre.

Roli i Hasan Dostit dhe përjashtimi i Këlcyrës

Nga viti 1945 deri më 1949, ishte Frashëri që mbajti bashkë Ballin Kombëtar. Por gjatë gjithë kësaj periudhë, influenca e grupit socialist u rrit brenda kryesisë së partisë. Kjo u vërtetua dhe me krijimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA). Grupi socialist arriti të nxirrte të vetmin lider ushtarak brenda Ballit, Abaz Ermenin dhe sollën gjithashtu administratorët e propagandistët më të mirë. Me ardhjen e fondeve socialistët krijuan dhe botojnë gazetën e Ballit Kombëtar. Pas vdekjes së Mit’hat Frashrit në Nju Jork më 1949, socialistët patën mundësinë të marrin kontrollin e Ballit. Ata e bënë këtë me një aftësi politike që tregonte se kishin mësuar disa hile nga e majta ekstreme. Posti i Frashërit në komitetin ekzekutiv i kaloi socialistëve, të cilët zotëronin një shumicë prej gjashtë me katër. Për zëvendësimin e Frashërit ata caktuan Hasan Dostin, një njeri pa emër politik dhe mjaft i dobët për të drejtuar, i cili pranonte me kënaqësi të merrte urdhra nëse zgjidhej si president i Ballit edhe në Komitetin e Shqipërisë së Lirë. Hapi i ardhshëm ishte hartimi i programit politik të Ballit, për ta kthyer në një lëvizje të majtë agrare. Kjo lëvizje u shoqërua me futjen në Ballin Kombëtar të Unionit Ndërkombëtar Fshatar. Por kur nisi të kuptohej, konservatorët e drejtuar nga Ali Këlcyra, Vlora, Muka e të tjerë, shikuan se socialistët jo vetëm kishin mbytur zërin e tyre në komitetin ekzekutiv të Ballit por edhe te Komiteti i Shqipërisë së Lirë. Si rezultat nisën një seri debatesh të ashpra mes liderëve konservatorë dhe socialistë, të cilat përfunduan me një takim të thirrur nga Ali Këlcyra në Napoli ku ai denoncoi taktikët e ulëta të përdorura nga socialistët dhe i bëri thirrje kryesisë së Ballit Kombëtar të ndjekë linjën konservatore. Të propozuar nga ai dhe të liderëve themelues si Vlora, Muka, Peshkopia e Begeja. Socialistët iu përgjigjën kësaj duke përjashtuar Këlcyrën dhe konservatorët e tjerë nga lëvizja. Kështu socialistët e sollën mazhorancën e tyre në komitetin ekzekutiv në tetë me dy, por ndarja u reflektua edhe te anëtarësia e Ballit në emigracion, që numëronte rreth 400 ballistë, të cilët besohet se ishin 60 me 40 për qind në favor të socialistve. Gjatë gushtit dhe shtatorit vazhduan sharjet e ofendimet, akuzat e kundërakuzat. Ballistët socialistë, të cilët ishin mjaft të specializuar në artin e përhapur shqiptar për vrasjen e personazhit, punuan shumë për diskreditimin e kundërshtarëve. Ata pretendonin se vetëm disa ballistë kishin shkuar te konservatorët, deklaratë që më vonë e tërhoqën prej numrit të madh të emrave që mbështesnin Këlcyrën. Ata shpërndanë lajmin se Këlcyra po vepronte si një vegël në duart e shërbimeve italiane të cilët i paguanin shuma të mëdha (edhe pse kjo mund të ishte e vërtetë duke marrë në konsideratë armiqësinë e italianëve me Frontin Komunist, dhe që ata të kenë përfituar nga mundësia për të shkaktuar pak trazirë me sponsorizim ndaj grupit të Këlcyrës. Por gjithsesi nuk kemi prova për pagesa të përmuajshme prej 5000 dollarësh ndaj tyre).

Takimi i Begesë dhe Dostin

Në shtator Uashingtoni më kërkoi të takoja Dostin dhe të diskutoja situatën me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme, pasi mendohej se kontradiktat mes grupit të emigracionit nuk ishin në interes të Komitetit për Shqipërinë e Lirë. Dosti mori pozicionin neutral duke thënë se ishte shumë e vështirë rikëshillimi i fraksioneve, për arsye të ndryshimeve të thella mes ish-pronarëve të tokave dhe reformistëve të majtë. Ai kërkonte të më siguronte se ishte një “njeri i qendrës”. Unë i shpjegova se të paktën kësaj radhe ai duhet të merrte mbi vete përgjegjësinë e të qenit president i Komitetit, duke qëndruar sipër partive, duke treguar lidership dhe duke gjetur zgjidhjen. Ai premtoi ta bënte këtë, por as atëherë dhe as më vonë nuk e bëri. Pas pak këtij takimi, Halim Begeja, kreu i grupit të disidentëve erdhi në Shtetet e Bashkuara. Bëra një takim të gjatë me të dhe më impresionoi me tregimin e ndershëm të një historie të shkurtër individuale. Thelbi i saj ishte se konservatorët kërkonin të kishin një rol në Komitetin e Shqipërisë së Lirë. Me vdekjen e Frashërit atyre u ishte hequr e drejta e fjalës në Ballin Kombëtar, e si rrjedhin i kësaj edhe në komitet. Ata ishin të gatshëm të riafroheshin me Socialistët nëse u lejohej roli në çështjet e Ballit me kuota të barabarta. Nëse jo, ata kërkonin të kishin një përfaqësues të grupit në kryesinë e Komitetit, pasi Këlcyra mund të linte postin në favor të ndonjë prej ndjekësve të tij.

Unë i shpjegova Begejas se ishim në favor të rikëshillimit dhe se do të organizoja një takim me Dostin për këtë qëllim. Dhe Dosti u takua me Begejën por pa asnjë rezultat. Dosti kundërshtonte dhe hezitonte, pro më në fund bëri të qartë se çdo vendim do të merrej nga Ermeni dhe të tjerët. Në fillim të tetorit u vendos që Dosti të shkonte në Romë për të diskutuar me komitetin ekzekutiv të Ballit mbi çështjen. Ai do të shoqërohej nga Noci Kotta kështu që një mbledhje e plotë e komitetit ekzekutiv të NCFA të mbahej për herë të parë në disa muaj. Kjo më pas mund të diskutonte për situatën në Ballin Kombëtar.

Rezistenca ndaj regjimit aktual

Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë” dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvaneve civile të furnizimeve. Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare duke zbatuar masa të shumta represive. Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Thirrja” por nuk ka informacion specifik mbi to. Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve megjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës.

Mes grupeve shqiptare në emigracion më i rëndësishmi duket se është Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, me selinë evropiane në Romë, i cili përbëhet nga tre grupe: 1) Partia Demokratike Agrare/Balli Kombëtar të cilët kanë më shumë ndjekës në jug të Shqipërisë, 2) Partia e Legalitetit (pro-Mbretit Zog) e cila është më e fortë në qendër të Shqipërisë, dhe 3) Lidhja e fshatarëve e katundarëve që mbështetet në veri të vendit dhe në provincat jugosllave ku jetojnë shqiptarë. Të gjitha grupet kanë si qëllim krijimin e Shqipërisë së lirë e të pavarur por kanë dallime mes njëri-tjetrit për llojin e qeverisë së re. Aktivitetet e Komitetit brenda Shqipërisë kanë qenë vetëm shpërndarje propagande dhe disa përpjekje subversive nga agjentët e tij. Operacioni i tyre më efektiv ka qenë lëshimi i fletëve të propagandës, që ka shkaktuar mjaft eksitim brenda vendit, dhe ka nxitur nota proteste ndaj zyrtarëve italianë apo dhe largim të njerëzve nga Shqipëria.

Interesat e fqinjëve

Shqipëria ka qenë prej kohësh një kockë zënke për fqinjët e saj. Interesat e tyre konfliktohen aq shumë sa nën rrethanat aktuale problemi i Shqipërisë komplikon zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Të tjera probleme si Trieste e Maqedonia kanë më shumë rëndësi në planin afatshkurtër për fuqitë e mëdha, ndërsa Shqipëria do të bëhej e tillë në rast të përmbysjes së pushtetit.

Interesat italiane

Objektivi i Italisë për Shqipërinë ka qenë vendosja e sferës italiane të influencës dhe parandalimi i marrjes së kontrollit nga fuqitë e tjera. Në ndjekje të këtij objektivi, Italia mbështeti krijimin e Shqipërisë së pavarur në vitin 1912 dhe më vonë në 1914 pushtoi ishullin e Sazanit dhe portin e Vlorës. Trupat italiane qëndruan deri në vitin 1920, dhe më pas Italia u detyrua të largohej nga toka shqiptare por mbajti ishullin e Sazanit të cilin e konvertoi në një bazë të vogël detare. Me paktin e miqësisë dhe sigurisë me Shqipërinë në vitin 1926, Italia vendosi dhe bazat ligjore për sferën e influencës, që u manifestua me anë të huave dhe menaxhimit të shumë ndërmarrjeve kryesore ekonomike të vendit. Ajo gjithashtu pajisi dhe trajnoi forcat e armatosura. Në vitin 1939 Musolini pushtoi Shqipërinë dhe e bashkoi me Italinë, dhe në 1940 nisi prej andej sulmin ndaj Greqisë. Sipas traktatit italian të Paqes në 1947, Italia njihte Shqipërinë e pavarur, lëshoi ishullin e Sazanit dhe hoqi dorë nga të gjitha të drejtat e pronave publike e private në Shqipëri. Por ajo nuk ka hequr dorë nga objektivat kryesorë të mohimit të fuqive të tjera influencën në Shqipëri. Në qëndrimet e saj zyrtare Italia thotë se pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti territorial korrespondojnë me interesat e Italisë. Por përpjekjet e saj për përmirësim të marrëdhënieve me qeverinë komuniste nuk kanë bërë progres. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u rivendosën në vitin 1949 dhe megjithë kufizimet e qeverisë shqiptare për ambasadën italiane në Tiranë, edhe Italia nuk kërkon një afrim mes tyre. Italia duket se kërkon të rifitojë influencën e saj në vend me anë të grupit pro-italian të emigracionit Blloku Kombëtar Indipendent, liderët e të cilit kanë bashkëpunuar me Italinë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe gazeta e tyre mbështetej nga fonde të marinës italiane. Aktivitetet e tyre kanë qenë të kufizuara por disa anëtarë të tyre janë hedhur me parashutë në Shqipëri për të organizuar rezistencën, kabotazhe dhe aktivitete të tjera anti-qeveritare. Italia i trembet më shumë influencës pro-jugosllave në rast të përmbysjes së regjimit, dhe për evitimin e kësaj preferojnë gjendjen aktuale, dhe jo vakumin e pushtetit.

Interesat greke

Interesat greke në Shqipëri përqendrohen ne pretendimet për jugun e Shqipërisë të cilin Greqia e pushtoi në vitet 1912-1916 dhe për të cilën kanë pretenduar lidhje historike, etnike, strategjike e ekonomike. Grekët gjithashtu kujtojnë se Shqipëria u përdor si bazë për sulmin italian mbi ta në 1940, si dhe në vitet e pasluftës për aksione komuniste guerile. Edhe aktualisht Shqipëria përdoret si bazë e infiltrimit të agjentëve komunistë në Greqi. Edhe Greqia ashtu si Italia dhe Jugosllavia po kërkon të avancojë politikat e saj me anë të grupeve të refugjatëve shqiptarë në vend. Refugjatët shqiptarë në Greqi janë kryesisht nga jugu u vendit dhe me sa duket janë përqendruar në kampe refugjatësh në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Deri në momentet që flasim përpjekjet e tyre kanë konsistuar në fushën e spiunazhit, propagandës dhe inkurajimit të operacioneve kundër regjimit. Disa prej tyre në kampin e Janinës raportohet të kenë krijuar njësi ushtarake, që rrjedhimisht mund të përdoren për ndërhyrje në jug të Shqipërisë. për Greqinë zgjidhja ideale e problemit është ndarja e Shqipërisë mes Italisë e Jugosllavisë. Ata janë gjithashtu vigjilentë ndaj dominimit të mundshëm të Italisë e Jugosllavisë, dhe në rast të një ndërhyrjeje ushtarake nga Jugosllavia, ata menjëherë do të futen për të pushtuar zonën jugore të vendit (Epirin e Veriut). Për momentin, në mungesë të garancive së Aleatëve kundër një dominimi jugosllav apo italian, ata preferojnë gjendjen aktuale të paqartësisë, për sa kohë që regjimi i Hoxhës nuk kryen një luftë guerile ndaj Greqisë.

Please follow and like us: