Erdogan: “Përditësimi i Traktatit të Lozanës ndihmon paqen”
Para vizitës në Athinë presidenti turk, Rexhep taip Erdogan ka dhënë një intervistë për gazetarin Aleksis Papahelas, ku sqaron deklaratat e tij për rishikimin e traktatit të Lozanës mbi sovranitetin e ishujve të Egjeut. Ai u jep përgjigje edhe akuzave se po qeveris si diktator, ndërsa komenton edhe marrëdhëniet me administratën Trump
Z. President, faleminderit shumë para së gjithash për këtë intervistë. Do të doja t’ju pyes përse po vini tani në Athinë dhe pse është kaq e rëndësishme që ju të shkoni në Trakë?
Po bëhen 65 vjet qëkurse një president turk nuk viziton Athinën. Është diçka që duhet ta kapërcejmë. Këto vizita duhej të ishin planifikuar kohë më parë. Për mua si President i Turqisë, fakti që do të vizitojë Athinën është veçanërisht emocionuese. Sa i përket Trakës Perëndimore, unë kam shkuar atje në vitin 2005. Meqë jam në Athinë, mendoj se nuk do të ishte e drejtë të mos i vizitoja bashkëatdhetarët e mi. Ardhja jonë në Athinë do të jetë shumë e rëndësishme për ta dhe për ndërtuar një “urë” të re bashkëpunimi mes Turqisë dhe Greqisë. Mendoj se vizita jonë do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.
Grekët në Turqi nuk janë aq të shumtë sa turqit në Trakinë Perëndimore, të cilët llogariten në 150,000. Tani për tani, ne kemi një numër të vogël grekësh. Unë përpiqem të flas me familjet e atyre që kanë ikur nga Turqia për të shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe i këshilloj t’u kërkojnë të afërmve të tyre që të kthehen në Turqi. Ata mund të krijojnë një jetë të re këtu dhe shpresoj dhe lutem që të kthehen në Turqi.
– Para se të shkoj në zemër të debatit greko-turk, dua t’ju pyes diçka. Në verën dramatike të vitit 2016 gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit, a keni menduar ndonjëherë që, në ato kohë kritike, të vini në Athinë? A keni kaluar ndonjëherë në mendje?
Kur ngjarjet morën rrjedhë, synimi im fillestar ishte të rrija në Konstandinopojë ose në Ankara. Nuk kisha ndërmend të udhëtoja askund tjetër përtej atdheut tim. Pronari i hotelit që më ka pritur më sugjeroi diçka. Dhe atij i thashë se po të vdisja, do vdisja në vendin tim. Deri në minutën e fundit, piloti ynë nuk e dinte se ku do të shkonte, në Stamboll apo Ankara. Pas një kursi të caktuar i kërkova të ulej në Stamboll, ku u bashkova me mijëra qytetarë të mi. Pas operacionit 16-orësh, grushti i dështuar i 15 korrikut u dërmua definitivisht.
Ju keni folur disa herë për nevojën e rishikimit të Traktatit të Lozanës. Lozana, megjithatë është traktati mbi të cilin kanë qenë të bazuara miqësia dhe paqja greko-turke gjatë gjithë këtyre viteve. Çfarë keni në mendje? Ndryshim të kufijve? Çfarë ndryshon traktati për ju? A ka të bëjë me Greqinë apo rajonet e tjera të përfshira në këtë traktat?
Para së gjithash, Traktati i Lozanës ka të bëjë jo vetëm me Greqinë, por me tërë rajonin. Dhe pikërisht për këtë, besoj se me kalimin e kohës të gjitha kushtet e këtij traktati duhet të përditësohen. Dhe Lozana, bazuar në ngjarjet e fundit ka nevojë për një përditësim. Ky azhurnim nuk është vetëm për Turqinë, por edhe për Greqinë. Ai mund të jetë reciprokisht i dobishëm, por natyrisht ka shumë nga ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh saktësisht. Ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për atë që imponon Traktati menjëherë më fajësojnë dhe përpiqen të gjejnë interpretime të reja pas deklaratave të mia, por nuk ka asgjë prapa këtyre deklaratave.
Unë nuk dua të shkoj në detaje. Debati mbi ishujt dhe çështje të tjera vazhdojnë, por komplikohen pas ndonjë zhvillimi. Dhe kjo është diçka që ne duhet ta tejkalojmë në një hapësirë të madhe si deti Egje. Udhëtimet e anijeve tregtare dhe turistike duhet të kryhen të pashqetësuara dhe ne duhet të kapërcejmë çdo komplikacion. Kjo është arsyeja pse unë e sjell këtë çështje në vëmendje.
– Dua të kuptoj diçka, zoti President. Greqia nuk ka pretendime kundër Turqisë. Turqia ka pretendime lidhje me ishujt. Ju madje thanë në shtator 2016 në një fjalim se ishte për të ardhur keq që qeveria e atëhershme turke kishte falur disa ishuj. Më lejoni t’ju pyes tani, nëse do të kishit një zgjidhje ideale për Egjeun, çfarë do të dukej kjo zgjidhje?
Në Egje ekzistojnë distanca mes ishujve që janë mjaft problematike. Dhe unë mendoj se këto probleme mund të tejkalohen lehtësisht. Kemi probleme në përcaktimin e hapësirës ajrore dhe kufirit detar dhe në përcaktimin e shelfit kontinental. Dhe mendoj se ka çështje specifike të cilat mund të kapërcehen dhe nëse i tejkalojmë këto probleme atëherë të dy vendet do të lehtësohen. Ky është i tërë problemi.
Çështja e delimitimit të ujërave territoriale është shumë e rëndësishme në këtë fazë dhe nëse mund t’i kapërcejmë sfidat në lidhje me ujërat territoriale, mendoj se do të jemi përballur njëherë e përgjithmonë me procesin. Ka edhe disa vështirësi në hapësirën ajrore që mund t’i kapërcejmë po ashtu. Avionët tanë luftarakë nuk duhet të jenë një kërcënim për njëri-tjetrin. Ne duhet të krijojmë një frymë solidariteti mes dy shteteve në ajër, tokë dhe det. Nëse mund ta krijojmë këtë solidaritet, mendoj se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona mund të zhvillohen më tej. Ne jemi të gatshëm që Turqia të bëjë shumë, nuk kemi absolutisht asnjë shqetësim. Por, siç thashë, duhet të përqendrohemi te paqja edhe me kontributin e mediave dhe të ndalim provokimet ndaj popujve tanë, përkundrazi, duhet të krijojmë lidhje më të forta.
– Problemi, zoti President – dhe imagjinoj që e kuptoni gjithashtu – është se është shumë e vështirë të bësh një marrëveshje me kërcënimin e casus belli që qëndron si kërcënim?
– Për çfarë po flisni?
– Çfarë dua të them, zoti President, është se ka një vendim nga parlamenti turk për të deklaruar luftë, nëse Greqia merr disa vendime.
– Po, siç e thashë, nëse bëjmë hapa reciprokisht pozitivë, mund t’i kapërcejmë të gjitha sfidat. Megjithatë, nëse mund t’i mbajmë disa çështje brenda axhendës sonë, që mund të jenë për shembull shkaqet e luftës, kjo do të komplikonte situatën dhe casus belli është një nga këto çështje. Pra, nuk duhet të provokojmë. Le t’i lëmë ekspertët nga të dyja anët për t’u përballur me këto sfida dhe ne do t’i kapërcejmë ato.
– Z. President, ju keni takuar më shumë kryeministra grekë se sa kam njohur unë turq. A keni qenë ndonjëherë afër një marrëveshje me ta?
Kam takuar katër kryeministra, me të cilët kemi patur biseda shumë pozitive, por nuk ka pasur rezultate. Dhe kur nuk ka rezultat, nuk ka përfitim. Siç kam thënë më parë, ishte e vështirë për të arritur rezultate. Në këtë kohë, ne duhet të kërkojmë rezultate. Kjo është arsyeja pse unë them atë që them.- Mund të duket e çuditshme, por më duhet të them se nga z Simitis dhe z. Karamanlis, duke përfshirë të gjithë ministrat e Jashtëm, dhe tani kryeministrin Csipras, nuk qenë askush që me të cilin nuk kam rënë dakord për të arritur një marrëveshje. Me disa prej tyre që vijnë nga radhët e social-demokratëve si për shembull me George Papandreun, i cili ishte ndryshe, kemi pasur biseda shumë pozitive. Por kur erdhi koha për të nxjerrë përfundime, nuk e bëmë. Përpjekjet tona substanciale vazhdojnë. Unë nuk e di se çfarë po bën Simitis sot. A është ende në politikë? Por ai ishte kryeministri i parë që takova.
17 nëntori?
– Ju keni vuajtur mjaft në duart e tyre dhe ne kemi vuajtur mjaft nga PKK. Tani kemi “Gylenistët”. Nëse ne do të kishim anëtarë të “17 Nëntorit”, ne do t’i kishim dorëzuar menjëherë. Dhe kur terroristët arrestohen në Greqi, ata duhet t’i dorëzohen Turqisë. Nëse do ta lini në dorë të Drejtësisë, nuk do të ketë asnjë rezultat.
Ne duhet ta përfundojmë procesin si anëtarë të ekzekutivit. Ka vende me të cilat kemi përfunduar procesin e ekstradimit, fatkeqësisht me Greqinë jemi të mbërthyer. Në këtë moment ne jemi padyshim të pakënaqur dhe në të njëjtën kohë respekti ynë ndaj drejtësisë greke është i lëkundur. Përveç kësaj, marrëdhëniet ushtarake, marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet politike mes dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen në një mënyrë shumë vendimtare dhe pozitive.
Gjatë vitit të kaluar, shumë persona ju kanë fajësuar për një diktaturë në Turqi dhe ka shumë njerëz në burg. Ata ju thërrasin një diktator. Si i përgjigjeni kësaj?
Ata që shprehin ankesat e tyre duhet të jenë shumë të ndershëm në vërejtjet e tyre. Para së gjithash, mund të them se gjyqësori në Turqi është më i drejtë sesa në çdo vend tjetër evropian. Gjyqësori i vendit tim, Drejtësia turke, kurrë nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër. 251 vetë vdiqën pas grushtit të shtetit 15 korrikut dhe 2.193 persona u plagosën. Vendimet u morën nga gjyqësori me hulumtime shumë të gjera. Çfarë duhet të bënin me autorët e këtyre incidenteve? A duhet t’i linin të lirë? Me sa duket jo. Menjëherë ata u burgosën. Lidhjet e tyre janë identifikuar dhe Drejtësia është duke hetuar lidhjet e tyre të mëtejshme.
Tani, në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me Tayip Erdogan: Unë kam marrë pjesë në nëntë zgjedhje dhe kam triumfuar në secilën prej këtyre betejave. Kjo është Demokracia, apo jo? Dhe niveli i pjesëmarrjes i ka tejkaluar 80%. Ne kemi zgjedhur për herë të parë Presidentin direkt nga populli dhe kemi marrë 52% të votave të qytetarëve turq. Por kjo është Demokracia. Dhe në fund të ditës, autorët e 15 korrikut referohen si “demokratë”.
Por këto pretendime nuk na kanë dëmtuar, ne kurrë nuk kemi qenë të korruptuar. Unë kurrë nuk kam humbur në kryeqytetin tim politik dhe do të vazhdoj të jem i fortë, pasi partia jonë është më e forta në Turqi. Unë vazhdoj të vizitoj të gjitha krahinat dhe lidhjet e partisë sime me popullin turk janë edhe më të forta sa më shumë kalon koha.
Presidenti Trump i kujton kujtdo që takon se jeni miq të mirë. Nga ana tjetër ka disa akuza që ju përmes ish Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, gjeneralit Flyn jeni munduar të ndikoni në karrigen e Trump.
Presidenti Trump është miku im, por nuk kam parë apo biseduar me z. Flynn. Kam marrë njohuri për z. Flynn në letër dhe kam dëgjuar për të në Tv. Unë zakonisht kam kontakt me z Tillerson ose Presidentin Trump. Zhvillimet e fundit janë mjaft të trishtuara dhe ngjarjet në Siri dhe Irak duhet të kontrollohen bashkërisht. Këto janë çështjet që po diskutojmë në komunikimet tona telefonike me Presidentin Trump. Në fakt, nuk është arritur asnjë progres. Ne po flasim me Rusinë dhe ne po marrim disa hapa pozitivë në këtë drejtim dhe ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa pozitivë në këtë drejtim.
Perkthyer nga Respublica me shkurtime
http://www.kathimerini.gr/938038/gallery/proswpa/synentey3eis/synentey3h…