Albspirit

Media/News/Publishing

Intervistë me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të maqedonisë Talat Xhaferri, ndodhet për një vizitë në Uashington. Ai mori pjesë në Forumin Parlamentar të Sigurisë, ku ishin të pranishëm disa kryetarë kuvendi, deputetë, ministra dhe ekspertë të fushës për parandalimin e financimit të terrorizmit dhe larjes së parave. Zoti Xhaferi ishte i ftuar për një intervistë në studion e Zërit të Amerikës. Ai foli për disa çështje me të cilat përballet vendi, si përpjekjet për integrimin në Europë dhe anëtarësimi në NATO, korrupsioni dhe praktikat korruptive të disa ligjvënësve, projektligji për gjuhën shqipe.

Kryetari i Kuvendit të maqedonisë Talat Xhaferri, ndodhet për një vizitë në Uashington. Ai mori pjesë në Forumin Parlamentar të Sigurisë, ku ishin të pranishëm disa kryetarë kuvendi, deputetë, ministra dhe ekspertë të fushës për parandalimin e financimit të terrorizmit dhe larjes së parave. Zoti Xhaferi ishte i ftuar për një intervistë në studion e Zërit të Amerikës. Ai foli për disa çështje me të cilat përballet vendi, si përpjekjet për integrimin në Europë dhe anëtarësimi në NATO, korrupsioni dhe praktikat korruptive të disa ligjvënësve, projektligji për gjuhën shqipe.

Zëri i Amerikës: Z. Xhaferi, ka sinjale pozitive nga Brukseli, ku para pak ditësh qëndroi kryeministri Zoran Zaev, lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE; Por sa është e mundshme që Maqedonia t’i plotësojë me kohë reformat për të cilat ka nevojë ky proces?

Talat Xhaferi: Mendoj se Republika e Maqedonisë ka mundësi që në afat të duhur të përmbushë pritshmëritë e faktorit ndërkombëtar për zbatimin e reformave, në veçanti ajo që është më urgjente tani në proces, në gjyqësor, në paketën e ligjeve fillestare që kanë të bëjnë me miratimin me shumicën e thjeshtë, gjë që tani më janë në procedurë parlamentare dhe buxheti i shtetit është në debat në komisionin përkatës dhe do të duhet të miratohet dhe më pas do të kthehemi në seancë për ato pika në rend të ditës dhe besoj se Maqedonia do të arrijë që deri në prill të realizojë reformat, në veçanti në gjyqësor dhe në sistemin e sigurisë, kur pritet raporti i progresit i Komisionit Evropian të jetë pozitiv dhe i padiskutueshëm në kuptimin e dhënies së datës për fillimin e bisedimeve për procesin integrues të Republikës së Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Po ka reforma për të cilat ka nevojë për një shumicë të cilësuar për çka ju keni nevojë edhe për votat e opozitës?

Talat Xhaferi: Gjithsesi, ka një grup ligjesh që duhet të miratohen me dy të tretat e votave që nënkupton edhe kyçjen e opozitës në proces të miratimit të ligjeve të tilla. Unë mendoj se komunikimi i vendosur me opozitën tani më do të reflektojë në drejtim të të qenurit konstruktive në sajë të interesit të qytetarëve të Maqedonisë dhe vetë shtetit dhe jo për interesa politike apo të garniturave politike. Unë besoj që opozita do të reflektojë kundrejt asaj që është nevojë e kyçjes së përbashkët në miratimin e ligjeve me 2/3 e votave.

Zëri i Amerikës: Çfarë ju bën optimist, nisur nga fakti që opozita, të paktën në komisionin ku po diskutohet çështja e buxhetit nuk po merr pjesë; ndonëse buxhetin e kaloni me shumicën e thjeshtë, megjithatë a e pengon kjo funksionimin normal të parlamentit?

Talat Xhaferi: Fakti që opozita nuk ka marrë pjesë në punën e Komisionit për financa dhe buxhet në të cilin është debatuar nevoja për miratimin e buxhetit të vitit 2018, është pasojë e reflektimit, veprimit dhe solidarizimit të deputetëve të opozitës me deputetët, të cilëve para disa ditësh iu hoq imuniteti dhe janë në procedurë hetimore dhe për një pjesë të tyre ka paraburgim efektiv, ndërsa një pjesë e tyre në paraburgim shtëpiak dhe është çështje e veprimit të tyre për aspektet që kanë të bëjnë me solidarizimin me kolegët e tyre, por besoj se do të reflektojë me kohën që deputetët t’i rikthehen punës në parlament dhe të përfshihen në punët që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe të vendit.

Zëri i Amerikës: Z. Xhaferi, krahas reformave që kanë të bëjnë me drejtësinë, administratën publike dhe shërbimin sekret, një nga sfidat kryesore të Maqedonisë mbetet dhe çështja e korrupsionit. Ambasadori amerikan në Maqedoni Jess Baily së fundmi ka vërjetur se korrupsioni në vendtin tuaj është tejet i shpërndarë. Çfarë qasje mund të ketë efikasitet ndaj kësaj dukurie?

Talat Xhaferi: Në korpusin e reformave që duhet bërë është edhe korpusi i reformimit të kompetencave të vetë parlamentit si pushtet mbikëqyrës i të gjithë pushteteve të tjera dhe mendoj se në ndryshimet që do të duhet të ndodhin në rregulloren e re apo me plotësimin e rregullores së punës së parlamentit, do të duhet të vendosen instrumente të reja dhe të qarta për funksonin mbikëqyrës të parlamentit mbi institucionet e tjera. Në fakt, legjislativi në Republikën e Maqedonisë në drejtim të pengimit dhe parandalimit të korrupsionit është i sanksionuar në mënyrën e duhur, por vetë zbatimi i normave ligjore nga organet kompetente, përkatëse nuk po i kryejnë deri në fund obligimet e tyre dhe zbrazëtira në mbikëqyrjen e punës së tyre është një prej instrumeneteve dhe elementeve që do të duhet të përfshihet në procesin e reformave.

Zëri i Amerikës A ka të bëjë kjo me mungesë ligjesh apo me vullnetin e institucioneve?

Talat Xhaferi: Nuk ka të bëjë me mungesë ligjesh, por me shkëputje të procedurave. Domethënë, procedurat nuk janë kompatibile njëra me tjetrën në kuptimin e kompetencave të instiotucioneve. Parlamenti është organi më i lartë ligjvënës dhe mbikqyrës i gjithë pushteteve të tjera; Për faktin e mungesës së procedurave të duhura të përshkruara në rregulloren e punës së palamentit dhe në ligjin e parlamentit, si dhe në ligjet përkatëse që sanksionojnë punën e institucioneve të tjera që kanë të bëjnë me lëmi të veçanta, nuk ka bashkërendim në mes veti, në mes institucioneve dhe nuk dihet se kur, cili institucion çfarë detyre të kryejë dhe për këtë arësye mendoj se do të duhet të implikohet edhe reformimi në pjesën e kompetencave dhe obligimeve të parlamentit të jenë më të qarta në kutimin e asaj se çka nënkupton kontrolli parlamentar.

Zëri i Amerikës: çfarë po bëhet me projekt-ligjin për gjuhën shqipe? Ky projekt-ligj nuk është një nga kushtet për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian, por ka qenë një nga kushtet e partive shqiptare për formimin e qeverisë së re me zotin Zaev!

Talat Xhaferi: Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve, të gjuhës shqipe, në procedurë të rregullt në lexim të parë ka përfunduar në parlament; aktualisht është në procedurë në lexim të dytë në komisionin për çështje evropiane dhe presim që ditëve në vijim të përmbyllet debati në komisionin përkatës dhe në njërën nga seancat e radhës do të duhet të kalojë në lexim të dytë dhe me këtë përfundon edhe procesi i miratimit të ligjit dhe të vihet në funksion përdorimi i tij.

Zëri i Amerikës: Për të sqaruar çdo ndryshim që do të ketë me gjuhën: a do të zyrtarizohet gjuha shqipe?

Talat Xhaferi: Përparohet dhe zyrtarizohet në shkallë të lartë në përdorim të brendshëm në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe mendoj se për këtë hapësirë plotëson ato rrethana që janë të përkufizuara me kushtetutën dhe me amandamentin 5 të Kushtetutës që buron nga Marrëveshja e Ohrit.

Zëri i Amerikës: Lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO: Një nga çështjet kryesore mbetet zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. Flitet për një përparim serioz në këtë drejtim. Kur do të dilet me një variantë, kur mund të zgjidhet kjo çështje, kur anëtarësohet Maqedonia (në NATO)?

Talat Xhaferi: Mendoj se nga formimi i qeverisë aktuale, me planin e quajtur 3, 6, 9 qeveria ka dalë para parlamentit dhe qytetarëve të vendit me ofertën për aktivitetet që do të arrinin zgjidhjen përfundimtare të çështjeve që kanë penguar Republikën e Maqedonisë në proceset integruese. Siç dihet, më 1 gusht qeveritë e Maqedonisë dhe të Bullgarisë nënshkruan marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që pritet të ratifikohet nga të dy parlamentet; Janë intensifikuar komunikimet e drejtpërdrejta të institucioneve përkatëse të Maqedonisë dhe Greqisë dhe javën që vjen, konkretisht më 12 dhjetor pritet që ndërmjetësi Mathju Nimetz të takojë në Bruksel përfaqësuesit e të dy vendeve dhe të mund të debatohet për çështjen deri ku ka arritur procesi i negociatave dhe i trajtimit të kësaj çështjeje…

Zëri i Amerikës: Jeni aq afër sa të mund të dilet më12 dhjetor me një variantë për emrin e Maqedonisë?

Talat Xhaferi: Nuk mund të konstatoj se jemi aq afër, mirëpo sinjalet që vijnë nga të dy anët janë pozitive, se të dy palët kanë gatishmëri të bisedojnë dhe të japin variantet e mundëshme për këtë çështje. Besoj se deri në prill të vitit të ardhëshëm duhet të jetë momenti kur të dyja palët duhet të deklarojnë arritjen ose jo të një marrëveshjeje të konsensusit për këtë çështje që të mund të kapërcejmë dhe pengesën e fundit sa i përket anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO, ndërsa lidhur me fillimin e bisedimeve me BE-në, pritshmëritë janë që në muajin prill me raportin e progresit të marrim një datë pa kusht dhe kjo të hapë rrugën e Maqedonisë për integrimin evropian.

Zëri i Amerikës: Z. Xhaferi, faktorë të ndryshëm kanë bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të atij që njihet si rasti i Kumanovës. Çfarë po ndodhë me këtë, a mund të konsiderohet i mbyllur se nuk po shohim ndonjë iniciativë qoftë nga qeveria ose nga ndonjë institucion tjetër që duhet ta bëjë atë?

Talat Xhaferi: Besoj se çështjen duhet shqyrtuar në dy aspekte: juridik dhe politik. Në aspektin juridik, në shkallën e parë procesi është mbyllur, janë dhënë dënimet dhe pason afati i ankimimit të palës mbrojtëse. Në aspektin politik, gati se të gjithë faktorët politik, shumica parlamentare në veçanti dhe vetë qeveria e Republikës së Maqedonisë janë deklaruar për nevojën e një rihetimi ndërkombëtar për t’u dhënë argumente të besueshme për qytetarët në mënyrë që të mundet ky proces të përmbyllet ashtu siç janë pritshmëritë, që të mos mbetet asnjë dilemë në asnjë hap të procesit. Për këtë arësye mendoj se ka gatishmëri, por në aspektn formal-juridik duhet të shikohen mundësitë ndërkombëtare se çfarë instrumentesh të përdoren për t’u përfshirë faktori ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Kush mund të jetë iniciatori?

Talat Xhaferi: Iniciator mund të jetë vetë qeveria për faktin që i ka kompetencat që t’i bëjë thirrje faktorit ndërkombëtar ashtu siç janë të rregulluara çështjet me kushtetutë dhe me ligjet për qeverinë dhe mendoj që në këtë drejtim në momentin e duhur kur të jetë afati apo mundësia për të mos ndërhyë në procesin formal-juridik që shkon në shkallë të dytë dhe besoj se, sipas meje, duhet të jetë varianti më i volitshëm për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në shqyrtimin e lëndës para gjykatës supreme, kur do të mund të gjitha argumentet edhe të shkallës së dytë që do të jepen të shqyrtohen në atë fazë dhe të mund të rikthehet sepse vetëm gjykata supreme e ka mundësinë ta rikthejë në shkallën e parë. Pra, momenti më i volitshëm do të ishte që gjykata supreme me faktorin ndërkombëtar ta shqyrtojnë dhe të japin fjalën e fundit për këtë çështje.

Please follow and like us: