Albspirit

Media/News/Publishing

Izraeli bombardon Gazan, e gjithë Europa kundër Trump

Izraeli nisi bombardimin e disa objekteve në Gaza që i përkasin grupit militant Hamas, si shenjë shpagimi, siç thonë zyrtarët e shtetit hebre, ndaj sulmeve palestineze me raketa.

Shënjestra e goditjeve ajrore mëngjesin e së shtunës kanë qenë disa depo armësh. Dy persona humbën jetën gjatë sulmeve ajrore, çka e çon në katër numrin e vdekjeve në radhët e palestinezëve që prej ditës së premte, kur dy vetë u vranë në protesta.

Tre raketa u lëshuan drejt Izraelit mbrëmjen e një dite më parë.

Tensionet e vjetra nxorën krye sërish kur Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të rrëzojë një politikë dhjetëravjeçare neutraliteti me njohjen e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit, e tani situata sa vjen e po përshkallëzohet duke ushqyer gjithmonë e më shumë frikën e një intifade të tretë.

Izraeli e ka parë gjithmonë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij, ndërsa palestinezët pretendojnë se Jeruzalemi Lindor, i pushtuar nga shteti hebre gjatë luftës së 1967-tës, duhet të jetë kryeqendra e shtetit të ardhshëm të Palestinës.

Në trazirat që pasuan faljet e së premtes dhe thirrjet për një dite zemërimi ndaj lëvizjes së Trumpit u plagosën 217 palestinezë. Protesta pati edhe në Jordani, Egjipt, Irak, Turqi, Tunizi e Iran.

Amerikanët kanë hasur kritika edhe në Këshillin e Sigurimit, ku ambasadorja Nikki Hayley u përpoq ta mbronte vendimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë, por kreu i misionit diplomatik të Egjiptit në OKB, Amr Abdellatif Aboulatta e cilësoi atë një “precedent të rrezikshëm”, ndërsa ambasadorët e Britanisë së Madhe Suedisë, Italisë dhe Gjermanisë, përmes një deklarate të përbashkët thanë se ky vendim nuk është në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është i dobishëm për situatën.

 

Please follow and like us: