Albspirit

Media/News/Publishing

Opinioni, media dhe “intelektualët mediatikë”…

Gëzim  TUSHI

Është e vërtetë që ka një ngurtësim të emrave të intelektualëve mediatikë dhe atyre të opinion bërjes në Shqipëri. Madje kjo dukuri sociale e përditshme dhe e përnatshme ka filluar të bëhet disi bezdisëse për shqiptarët. Të cilët para ditë janë nën bombardimin e sloganeve politike nga të njëjtët politikanë dhe në mbrëmje janë përsëri të dënuar ti “ridëgjojnë të ripërtypura” dhe të interpretuara nga pothuaj të njëjtën njerëz mediatikë apo punonjës të paguar të medias elektronike. Është e vërtetë që sot në epokën mediatike dhe shoqërinë postmoderne, ka një ndarje të qartë të elitave intelektuale.

Por kjo nuk mund të konsiderohet argument për të justifikuar fenomenin e uzurpimit apo më saktë të pushtimit shpesh artificial të medias nga të njëjtët njerëz. Kjo në shoqërinë e sotme shqiptare është bërë një nga bezditë sociale, që po shoqërohet me mbingopjen e detyruar të shqiptarëve nga që përditë e përnatë përballet dhe bombardohert mediatikisht nga modeli i elaborimit standart të ideve të jetës politike e shoqërore nga të njëjtit njerëz politikë dhe mediatikë. Pa asnjë dyshim që kjo dukuri është banalizuar në këto momente dhe mbi të gjitha kjo “patologji mediatike”, ka sjellë reagime sociale nga që  ka krijuar velje dhe për pasojë edhe “revoltim” dhe mospranim nga njerëzit e zakonshëm. Ata kanë filluar të reagojnë ndaj kësaj situate, duke kritikuar jo vetëm inkenimin monoton të debateve të zhvilluara nga të njëjtit njerëz, por dhe kanë shfaqur sensin e kundërshtimit ndaj këtij lloji “përdhunimi publik”. I cili po tenton të marrë statusin dhe të ndikojë në formatimin e frymës së “kohës mediatike” në Shqipëri.

Padyshim, jetojmë në epokën e dominimit të ekonomisë së tregut, dhe është fare e natyrshme që të ndodhemi edhe në kushtet e ndarjes së punës dhe plotësimit sine qua non të kërkesave të “tregut”. Prandaj jemi dakord dhe është fare e natyrshme, që në këtë treg masiv krahas politikanëve, biznesmenëve, specialistëve, administratës të krijohej dhe të plotësohej kërkesa e medias për të patur edhe ajo specialistët e vetë të komunikimit publik e mediatik. Sociologët që merren me këtë sektor të veantë kanë krijuar edhe termin e duhur duke e konsideruar sektorin e mediak dhe komunikimit mediatik si “Tregu i Dytë”.

Dhe në përgjigje të këtij tregu që tashmë është krijuar i plotë dhe me fizionomi të qartë në Shqipëri, janë evidentuar edhe intelektualët përkatës të vecantë, që janë specialistët mediatikë. Në fakt mbase për shkak të pozicionit që ata kanë midis zhvillimeve empirike të realitetit politik dhe pasqyrimit që i bëjnë këtyre realiteteve në kanalet mediatikë, në gjuhën e sotme kjo kategori e njerëzve të lidhur me median, interpretimin dhe komunikimin konsiderohen si iontelektualë mediatikë, që në të vërtetë në strukturën e përgjithshme të njerëzve të mendimit kanë filluar të konsiderohen si “Intelektualë të Ndërmjetëm” që janë të destinuar të punojnë dhe të përshtaten me kërkesat e “tregut të dytë” mediatik. Në këtë botë në të cilën edhe në media është siguruar një lidhje e ngushtë funksionuese midis propaganduesit dhe të propaganduarve.

Roli i tyre është esencialisht i pamohueshëm, fare i nevojshëm për zbulimin e të vërtetave që fshihen në jetën politike e sociale, për zbërthimin e “rebuseve” dhe prapaskenave të politikës, për të evidentuar atë që nuk duket apo që i fshihet vëzhgimit dhe gjykimit të opinionit publik. Edhe pse në jo pak raste niveli i trajtimeve mediatike nga “intelektualët e ndërmjetëm” është fare sipërfaqësor dhe me sa duket e përshtatur me modën mediatike postmoderne të trajtimeve të sipërfaqshme që shërbejnë si mjet i thjeshtë për “pickimin nën lëkurë” të njeriut.

Doemos kjo shtresë e “intelektualëve të ndërmjetëm” apo e interlokutorëve mediatikë dhe interpretëve televizivë të situatave që zhvillohen në vendin tonë, është e re, me pak përvojë profesionale (27 vjet nuk janë shumë për të formuar një shtresë solide), dhe në një farë mënyre është pretenciozitet i madh të kërkosh cilësitë e tyre sipas standarteve të intelektualëve mediatikë perëndimorë. Megjithatë tani duket se qytetarët janë të shqetësuar të paktën për dy arsye. E para, rrethi i intelektualëve të ndërmjetëm mediatikë është shumë konservator, i mbyllur, i bazuar në një skakierë enumerative emrash që janë bërë (mbase të detyruar) dhe kanë vetvlerësim të lartë si intelektualë universalë të botës së medias shqiptare. Ata janë të njëjtët, të kudo gjendur e të kudo ndodhur, që flasin për gjithka dhe arsyetojnë për do gjë.

E dyta dhe më e rëndësishmja vërejtje që qarkullon në jetën publike dhe gjykimin e qytetarëve televizivë është fakti, që në shumë raste kur zhvillojnë analiza, japin opinione dhe zhvillojnë debate televizive, nuk merren sa duhet me thelbin e gjerave. Ndoshta nga që janë të detyruar apo për shkak të narcisizmit mediatik individual dhe nevojës së daljeve të shpeshta sa në një studio në tjetrën, në vend të analizave të thelbeve të zhvillimeve social-ekonomike e ngjarjeve politike apo substrateve të jetës humane, ata përqëndrohen në “shkumën”, dukjen shpesh herë qesharake të ngjarjeve të ditës. Të cilat shpesh herë i analizojnë me sportivitet spontan, në mënyrë të sipërfaqshme, të shoqëruar me konkluzione të nxituara.

Padyshim, këto dukuri nuk janë unike për ne, dhe të panjohura për të tjerët. Kështu afërsisht funksionon “tregu i dytë” mediatik kudo, dhe kjo është një tiparet tipikisht universale të “erës” globale mediatike, të sistetizuar në statusin ambiguid të “intelektualëve mediatikë”. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që disa nga këta intelektualë të ndërmjetëm kanë humbur sensin e masës, midis dëshirës personale për të qënë publik nga njëra anë, dhe raporteve të dëmve të angazhimit publik mediatik.

Nuk ka dyshim që një nga nxitjet për të qënë në këto pozita në raportin midis ngarjeve politike e sociale dhe analizës dhe debatit mediatik, është dëshirë herë e shfaqur e herë e fshehtë si synim i personalizuar i tyre për të siguruar me cdo kusht “famë sociale”. Dhe kjo nuk është shumë e vështirë sot kur jetojmë në “kurrtin” e rrezikshëm të shoqërisë mediatike. Dhe për hir të së vërtetës sot në Shqipëri prania e vazhdueshme në media të ndryshme, i ka bërë shumë “intelektualë të ndërmjetëm” mediatikë tejet të njohur në jetën publike, personazhe me famë sociale, të pranishëm përmes medias në ndikimin e fortë që ushtrojnë mbi opinionin publik, në debatet dhe diskutimet më intime në familjet tona.

Në konceptin e sotëm intelektualët mediatikë për shkak se qëndrojnë midis ontologjisë së “lëndës profesionaliste” dhe nevojës së interpretimit sa më elokuent në kanalet e interlokucionit publik mediatik, ata janë dhe me të drejtë konsiderohen si figura të ndërmjetme intelektuale të jetës publike, ose si “ intelektualë hibridë”. Kjo nga që është një arradhë e tërë njerëzish që tashmë janë bërë të kudo ndodhur, flasin për gjithcka e arsyetojnë për cdo gjë, bëjnë analiza, prognoza dhe ofrojnë zgjidhje për të gjitha gjërat. Shpesh herë pa llogaritur fare që ndonjëherë hynë pa qënë sa duhet të përgatitur në “trojet” e të tjerëve. Madje pa patur frikë që në ato “troje” ka dhe mund të ketë “luanë profesionistë”, që i dominojnë më mirë faktet dhe ngjarjet se sa aftësitë dhe kapacitetet e kufizuara të intelektualëve të ndërmjetëm mediatikë.

Kjo tendencë e pranisë së vazhduar dhe të pandërprerë të disa “intelektualëve gjithpërfshirës” në televizion, shpessh është shoqëruar me bezdi publike qytetare dhe njëkohësisht edhe me neveri profesionale nga njerëzit kompetentë të fushave përkatëse. Unë besoj se disa televizione duhet të shqetësohen për këtë “patologji mediatike”, e cila në jo pak raste nga prania pa kriter profesional apo me njerëz që nuk e kanë në nivelin e duhur “pushtetin e dijes” përkatëse, e ulin informacionin dhe cilësinë e debatit në nivelin e thashethemeve banale të ditës.

Mendoj se është e nevojshme një analizë e thelluar e kësaj “llafazanërie mediatike”, që zhvillohet shpesh herë edhe me dembelizëm mendor nga që janë të njëjtët njerëz që e mbajnë mbi shpatulla këtë peshë të “tepërt” mediatike. Mbase është kjo arsyeja që tek një pjesë e “intelektualëve të ndërmjetëm” mediatikë, ka filluar të shfaqet sëmundja e “arrogancës së sigurisë” për të arsyetuar në të gjithë fushat. Duke menduar në mënyrë naive se akoma opinion publik i qytetarëve, nuk është aq i thelluar sa të bëjë dallimet e duhura, nga që njerëzit akoma kanë të thelluar “kërshërinë mediatike” për të ndjekur emisionet debat të mbrëmjeve televizive. Nuk është e drejtë kjo “dhunë” mediatikë, apo kjo situatë sociale në të cilën njeriu të detyrohet të ambientohet duke dëgjuar të njejtët njerëz mediatikë, që shpesh sjellin të njëjtat klishe dhe arsyetojnë me të njëjtat steriotipe gjuhësore e mediatike.

Personalisht mendoj se kjo situatë vazhdon dhe intelektualët mediatikë vazhdojnë ta “mbajnë pushtetin” nëpër televizione, nga që jetojmë në kohën e “zhvlerësimit të përgjithshëm” të ngjarjeve dhe situatave. Në të vërtetë është koha për të rritur pretendimet e opinionit publik ndaj medias, duke e detyruar atë të sjellë të televizion njerëz që janë në gjëndje të zhvillojnë debate reale dhe jo të zhvillojnë një lloj “llafazanërie skematike” pa bukë. Kjo kërkon që të ndryshojë “kurthi i rrezikshëm” i shoqërisë së mbyllur të njerëzve mediatikë, në favor të njerëzve të dijes së vërtetë.

Sociologët kanë shqetësim për raportin e përhapjes së dijes së saktë dhe interlokucionit të njerëzve mediatikë. Kjo kërkon një raport të ri midis atyre që janë dijetarë në botën e gazetave dhe televizioneve dhe thjesht gazetarë kur është fjala për të hyrë në botën e dijeve specifike. Kjo do të thotë që duhet të rregullohen raportet, të vendoset masa e duhur midis atyre që mendojnë dhe atyre që komunikojnë…

Please follow and like us: