Albspirit

Media/News/Publishing

Sara Mila: Inçesti motër-vëlla nuk ka vend për zbukurime, as për poezi!

Në raste të tilla, kur nga 1 milion problemet që ne shqiptarët kemi çdo ditë duhet të rrimë të merremi edhe me simbolizmin e inçestit që bën Rita Petro, se di pse i jap të drejtë disa komentuesve të rrjetit (me të cilët kam bërë gjithnjë ironi), kur për çdo gjë ndodh thonë: “Njerzit po vdesin për bukë, ju merreni me këtë”, e se di pse teksa dëgjoja debatin e inçestit mes motrës dhe vëllait të shkruar në poezi nga autorja Rita Petro, dje tek ‘Zonë e Lirë’ më lindi një dëshirë e brendshme për të bërë të njëjtin koment. Epo, bota me rrota qenka.

Ndoshta jemi larg këtyre bisedave të analizës poetike ku flitet për inçest, në një orar ‘prime-time’ në televizione ose ndoshta nuk kemi kulturën e duhur për të kuptuar çfarë ka dashur të thotë autori në poezi duke qenë se me shpejtësinë e erës, vargjet që autori shkruan, ia faturojmë menjëherë jetës së tij, duke përjashtuar faktin se e gjitha mund të jetë fantazi apo produkt i një frymëzimi. Ciladoqoftë arsyeja për këtë, si dikush që e kam dashur gjithmonë letërsinë dhe të bukurën e shprehur në penën e shkrimtarëve, asnjë shpjegim i simbolizmit në poezinë e Petros, nuk ma mbushi aspak mendjen që ato vargje të mos më provokonin të vjella.

E kuptoj fare mirë, se Petro në poezi flet për një inçest motër-vëlla që lind me njerëzimin duke qenë se ajo mendon se Adami dhe Eva kanë lindur nga një mitër e përbashkët, rrjedhimisht janë motër e vëlla e për rezultat marrëdhënia seksuale mes tyre konsiderohet inçest. Por për dreq, sërish nuk arrij të kuptoj, se përse në realitetin shqiptar ku dhe pak gjëra kanë mbetur pa u shkëputur nga morali jonë që shkon paralel me identitetin që mbajmë si shqiptarë, na duhet të kapërcejmë edhe normalitetin e një inçesti motër-vëlla.

Nuk dua të kuptoj simbolikën e inçestit në poezi. Nuk dua sepse nuk mundem ta imagjinoj në asnjë moment që unë mund ta shoh organin gjenital të vëllait tim si mjet kënaqësie për trupin tim. Nuk dua sepse ndonëse shpesh rritur me një mentalitet të ngurtë, pika më e fortë në moralin shqiptar, ajo që nuk preket e ka mbetur gjithmonë qelibar është pikërisht marrëdhënia motër dhe vëlla.

Mbaj mend si sot, kur të vegjël, djemtë e klasës eksperimentonin me të shara njëri tjetrin. Ishte pikërisht ajo mosha kur nis të mësosh ato që quajmë fjalë të pista dhe me një dëshirë të pashpjegueshme se më në fund mund t’i thonin lirshëm ato sharje, djemtë nuk linin nënë a grua të fisit pa sharë tek njëri tjetri. Ata qeshnin teksa shanin njëri tjetrin por kishte vetëm një rast kur këto të shara përfundonin në sherr në plot kuptimin e fjalës: kur shahej motra. Djemtë e klasës sime, ndonëse të vegjël, nuk e quanin aq tragjike kur nënat e tyre shaheshin, por nëse ndodhte që dikush padashur të fuste dhe motrën në këtë lojë-sharjesh, atëherë po që ndodhte fundi i botës e menjëherë vinte paralajmërimi: “Ej, mos guxo me motrën!”

Gjithë ky episod fëmijënor, mu kujtua dje teksa dëgjoja Petron të fliste për një simbolizëm të inçestit motër-vëlla dhe në këto dy ekstreme mendimi, s’di përse nuk e gjeja veten as në mes. Jo vetëm që nuk e kuptoja se çfarë donte të thoshte me shpjegimin e saj “inçestuoz” por më shumë akoma, NUK DOJA ta kuptoja. Preferoja të mbetesha e vogël, me imazhin e djemve të klasës që s’lejonin kënd t’i shante nga motra dhe ndjeva një krenari gati absurde që me shumë mundësi edhe im vëlla këtë reagim ka në klasë kur ndoshta dikush në situata fëmijënore mund t’i targetojë motrën në sharje, domethënë, mua.

Mendësia shqiptare, me prapambetjet apo mbylljet e saj, ka vlera të cilat na diferencojnë nga të tjerët, na bëjnë të kemi botëkuptimin tonë dhe qasjen tonë përsa i përket fenomeneve që na rrethojnë. Sado normal të ngjajë një inçest në vendet skandinave, unë, si një shqiptare e lindur dhe e rritur këtu, sërish nuk do të mundem dot ta konceptoj diçka të tillë dhe ajo që vlen të theksohet është se as nuk dua që të jetë ndryshe.

Familja, është një ndër të vetmet “institucione” që po përpiqemi ta ruajmë të shëndetshme dhe pikë të fortë të moralit e vlerave tona ndaj këto shkrepjet simbolike për të hapur mendjet e shqiptarëve, ngjajnë më tepër si një tentativë e dëshpëruar për vëmendje dhe pak zhurmë se sa një lëvizje donkishoteske në një menatlitet që gjithsesi nuk ka për ta përtypur kurrë inçestin motër-vëlla, edhe sikur të jetë thjeshtë simbolizëm.

Rita Petro, autorja e guximshme e “Vrima”, ka gjithë lirinë e saj për të shkruar çtë dojë e për të qenë e lexuar nga ajo pjesë e publikut që ka dëshirë të përcjellë penën e saj të delikate. Deri këtu, unë nuk kam asgjë me autoren dhe as me penën e saj. Pranimi i ftesës për shpjegim në studion e “Zonë e Lirë” e për t’i folur edhe një herë me zë mendimet (ndoshta dhe poetike, s’ka rëndësi) për inçestin motër-vëlla, ishte ajo çka më ngjalli neveri. Se di pse edhe unë, njësoj si pastori Akil Pano që ishte në studio, ndonëse unë duke e ndjekur nga ekrani i madh, u ndodha në vështirësi edhe për të kthyer një përgjigje përpara këtij absurdi me të cilin zhurma e rrjeteve sociale (sepse aty u përhap poezia) na përballi.

Nuk dua ta kuptoj simbolzimin e poezisë ku vëllai kryen marrëdhënie seksuale me motrën. Na lini të mos kemi demonë mendimi në raportin e kristaltë motër-vëlla, të vetmin që kemi të tillë në këtë botë të mbushur nga koka tek këmbët me imoralitet. S’ka simbolikë të më mbush mendjen që një vëlla e një motër, të kenë të njëjtin gjak e të dalin nga e njëjta mitër, bashkë të kryejnë marrëdhënie seksuale. As simbolizmi i Rita Petros dhe as hipoteza se Adami dhe Eva bënë të njëjtën gjë. Nëse vërtetë e kanë bërë, e injoroj dhe ekzistencën e tyre, e injoroj njësoj edhe ekzistencën Zotit pa ndrojë. Marrëdhënien me vëllain ma lini të paqtë, kaq dëshiroj në këtë botë.

Please follow and like us: