Dëshmorë dhe tradhtarë që nuk ekzistojnë më
I ashtuquajturi dezertim i katër komandove shqiptare pas një stërvitjeje në Uells, ka kapur në befasi Ministrinë e Mbrojtjes, që thjesht sa ka depozituar një kallëzim penal. Pjesën publike, atë të raportit sqarues me opinionin, po e bën deri diku, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Jeronim Bazo. Për të lënë mënjanë akuzat politike ndaj tij dhe ish-ministres Kodheli për radarët e mbulimit detar, dosje që është në prokurori, po sjellim një pasazh nga një intervistë e Bazos, dhënë dje për News24.
FA-të dezertorin e shikojnë si një akt tradhtie dhe si një akt burracakërie
Ushtria shqiptare ka për detyrim kushtetues mbrojtjen e sovranitetit territorial dhe ajo të paktën për aq sa dimë, stërvitet dhe edukohet me kodin e patriotizmit. Nga kjo pikëpmaje formale, akti i katër komandove(http://www.respublica.al/2017/11/17/dezertuan-apo-emigruan) është i dënueshëm, por stigmatizimi i këtij akti nga ish-drejtues të ushtrisë, është i patretshëm. Kjo pasi, përveç pjesëmarrjes – kryesisht me financim nga jashtë – në misione paqeruajtjeje, forcat e ushtrisë shqiptare, i kemi parë të angazhohen në punë praktike pastrami mjedisi, apo ndërtimi urash. Ai që është thelbi i ushtrisë i ka lënë vendin një veprimtarie që i përshtatet më mirë një agjencie punësh publike pa pagesë, ose me pagesë minimale, që e zhvlerësojnë përmbajtjen e kodit moral që presupozohet se duhet të ushqejë motivimin në detyrë.
Nga ana tjetër, ushtria shqiptare nuk është ajo që z. Bazo do të na tregojë. Dhe nuk është as sjellja e ekipit drejtues të saj ndonjë veçanësi në kontekstin e përgjithshëm. Ka të paktën dy raste ku ushtria dhe Ministria kanë dëshmuar mungesë transparence. Rasti i parë është rrëzimi i një helikopteri në Spanjë, me pilot Sokol Fekën që u konstatua se ishte i mbushur me drogë që transportohej në Marok.
U fol dhe stërfol asokohe për certifikatën e sigurisë, pa pranuar në asnjë rast se problemi ekonomik është kryesor në FA dhe se çdo lloj kuadri apo marketingu që bëhet, nuk mund të mbulojë dot atë realitet që prodhon “incidente” të tilla.
Rasti i dytë, edhe më flagrant, është rrëzimi i helikopterit në Malësi të Madhe në vitin 2015. Pa pritur zbardhjen e ngjarjes, hetimet dhe përfundimin e tyre, MInistria e Mbrojtjes dhe me të edhe z. Bazo, që sot shfaqet me kostum civil, i shpallën pilotët “Dëshmorë të Atdheut”. Më vonë prokuroria hetoi për gabime në manovrim, për shmangie nga itinerari, duke mos pranuar deklarimet e Ministrisë dhe të z. Bazo.
Por përtej këtyre raste, ushtria është e përfolur edhe për përfshirje në të tjera aktivitete që janë kthyer në dukuri masive në Shqipëri. Siç është akuza se pistat nën administrimin e saj janë përdorur për uljen e avionëve të drogës, apo se ajo nuk ka mbuluar monitorimin detar, duke kryer veprime të qëllimshme në favor të trafikut të drogës. Një tjetër akuzë është edhe klientelizmi me gradat e larta në ushtri, apo sistemi i karrierës, pa lënë mënjanë atë që ka ndodhur me pronat e saj në zona turistike. Janë akuza, por të cilat nuk kanë prekur vetëm veshët e opinionit publik, pasi Shqipëria është vend i vogël. Ato gjenerojnë njolla në imazhin e FA-së.
Gjithë këto probleme kaq të mëdha, e zhvlerësojnë atë predikimin moral të z. Bazo. Pjesëmarrja në ushtri është angazhim, por edhe kontratë. E cila ka kuptim në një kontekst social, në të cilin edhe provohet dhe sprovohet. Largimi i katër komandove ka emër tjetër nga ai Dezertim që sot po artikulohet me forcë. Sepse Dezertimi në këto rrethana është e shumta një etiketë nga ato që të vë ky shtet që fut ujë nga të katër anët. Komandot zgjodhën të ikin falas, të qëndrojnë në Britani, më mirë sesa të hyjnë me kamionë, apo të ngjeshur në ndonjë skaf trafikantësh. Kjo është e vërteta, përpara se letrat e shtetit shqiptar të zënë e të mbulojnë dhenë me uthullën e moralit bosh.
Të mbrosh Shqipërinë sot është detyrë shumë e vështirë, e për të nuk duhet ushtria. Sepse atë duhet ta mbrosh nga një kontratë ekonomike zhvatjeje që mbrohet nga politika dhe elitat e teknokratëve të cilët çuditërisht jo vetëm fusin në burg ndonjë që ndërton kasolle pa leje, apo vjedh ca kilovat energji, por edhe bën moralin e shtetbërjes./respublica/